Një film dokumentar kushtuar fshatit Nënhelm, i titulluar “Narhelmi – fshati piktoresk i bashkëjetesës”, me skenar dhe regji të shkrimtarit Mark Pashku – Lucgjonaj, u shfaq të premten mbrëma, më 17 prill 2026, përpara një audience të konsiderueshme në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz.
Për shtysën fillestare që çoi në dokumentimin e këtij fshati dhe çfarë e veçon, sipas autorit, këtë fshat nga të tjerët në narrativën e bashkëjetesës, për “Kohën javore” ai rrëfen se ruajtja e historive dhe e trashëgimisë së kujtimeve të brezit të vjetër, mbi 80-vjeçar, përkatësisht ruajtja e tyre përmes syrit të kamerës, kanë qenë arsyet kryesore për një hap të tillë.
“Nënhelmin, në raport me fshatrat tjera në Malësi, e veçon uniteti i tri besimeve që jetojnë brenda këtij fshati, bashkëjetesa mes shqiptarëve të dy konfesioneve me sllavët ortodoksë të cilët janë vendosur këtu njëqind vjet më parë. Dhe kjo bashkëjetesë ka qenë interesante të prezantohet dhe ky mesazh të përcillet për aktualitetin tani, por sidomos për brezat që vijnë, që ta kuptojnë se si të parët e tyre kanë jetuar në këtë fshat, si është themeluar ai, kush janë të parët që erdhën etj.”, shprehet autori.
Ai më tej tregon se personazhet e dokumentarit janë përzgjedhur nga brezi i moshave mbi 80 vjeç deri te më i vjetri i moshës 97-vjeçare, duke përfaqësuar kështu të gjithë mbiemrat që jetojnë në këtë fshat.
“Ky ka qenë edhe qëllimi, që të merren opinionet dhe kujtimet nga të gjitha vëllazëritë që jetojnë në Nënhelm”, thotë Lucgjonaj.
Ky film dokumentar, sipas autorit, ishte shfaqur si premierë në dhjetor të vitit të kaluar në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit përpara një publiku të kufizuar të vetë banorëve të Nënhelmit, për arsye se, siç thotë autori, salla nuk disponon kapacitet për publik më të gjerë.
“Më pas janë dhënë dy shfaqje të tjera në qytetin e Nju Jorkut, me mbështetjen e shoqatës ‘Malësia e Madhe’, e cila ka pasur një mikpritje spektakolare, por dhe në Miçigan, ku u përkrah nga shoqatat ‘Jehona e Malësisë’ dhe ‘Malësia e Madhe’, ku u shfaq në teatër profesional”, shprehet autori.
Sipas tij, përjetimet për shfaqjen kanë qenë nga më të ndryshmet, ku ka pasur lot, të qeshura, duartrokitje e përgëzime.
“Jam shumë falënderues dhe i kënaqur me reagimet dhe me mënyrën se si ata e kanë kuptuar këtë film dokumentar”, thekson Lucgjonaj.
Mesazhi që dëshiron autori të përcjellë, përveç dokumentimit të fakteve, është që bashkëjetesa është forma më e duhur për zhvillimin e një shoqërie.
“Mali i Zi është një vend multietnik dhe dihet shumë mirë se gjatë fazave të ndryshme të historisë, luftërat dhe ballafaqimet nuk kanë munguar dhe një mesazh i bashkëjetesës, i paqes, i të shkuarit mirë me njëri-tjetrin, është i mirëseardhur në çdo kohë e epokë”, thekson autori i këtij filmi dokumentar, Mark Pashku – Lucgjonaj.
Fshati Nënhelm shtrihet në territorin e komunës së Tuzit, në skajin juglindor të saj, në një zonë fushore me reliev të butë dhe disa kodra të vogla, në afërsi të liqenit të Shkodrës.
t. u.
