Në Galerinë e Qendrës së Kulturës, të hënën, më 6 prill 2026, është përuruar libri i ri i shkrimtarit, gazetarit dhe publicistit Ali Llunji “Ulqini e deti”, botuar nga Fondacioni “Lika”.
Libri përbëhet nga biseda, portrete, rrëfime, tregime etj. që autori, në atë kohë reporter i Radiotelevizionit të Prishtinës, i ka realizuar me detarët, kapedanët dhe familjarët e tyre në Ulqin.
Moderatori Gazmend Çitaku ka thënë në hyrje se nuk jemi mbledhur thjesht për të përuruar një libër, por “për të hapur një dritare drejt historisë sonë të gjallë, drejt atyre portreteve që Aliu i gjeti në rrugicat e Ulqinit, të bregdetit tonë dhe në çdo cep ku frymon shpirti shqiptar, për t’i përjetësuar fillimisht në shiritin e filmit të Radiotelevizionit të Prishtinës, e sot fatmirësisht në faqet e këtij libri të cilin po e përurojmë sonte”.
Sipas tij, ky botim është pasaportë e identitetit tonë.
“Përmes këtij libri, personazhet e Aliut nuk janë thjesht figurat e një dokumentari të vjetër, por bashkëbisedues të përhershëm me ne dhe me brezat që do të vijnë”, ka thënë ai.
Studiuesi Dr. Nail Draga ka folur për vlerat dokumentare dhe rëndësinë e këtij libri për historinë e Ulqinit dhe historiografinë shqiptare.
Ai ka thënë se duke lexuar këtë libër, çdo lexues do të njihet me disa të dhëna që janë pjesë e kujtesës urbane të Ulqinit, që me kujdes të veçantë janë evidentuar nga autori.
“Ky libër paraqet të kaluarën e Ulqinit, të paktën këto tre shekujt e fundit, periudhë kur në këtë qytet lulëzoi veprimtaria e detarisë e me të edhe e kusarisë”, ka theksuar Draga, duke treguar se në këtë botim janë përfshirë një gamë e gjerë detarësh të moshave të ndryshme, të cilët kanë bërë emër në kohën e tyre.
“Ata në këtë botim na paraqiten si dëshmi e një jetë dinamike, në luftë me detin dhe mbijetesën në det, duke mbetur emblemë e qytetit të Ulqinit”, ka pohuar ai.
Në fjalën e tij, publicisti Ismet Karamanaga është përqendruar në vlerat njerëzore të autorit Ali Llunji, lidhjet familjare dhe bashkëpunimin e tij me të.
Ai e ka cilësuar autorin si “një enciklopedi e rrallë në këmbë”.
“Ali Llunji është një arkiv i gjallë i historisë së Ulqinit. Por jo vetëm i Ulqinit. Ai nuk harron asgjë dhe çdo gjë e ka të regjistruar në kujtesën e tij. Ai di shumë gojëdhëna, shumë gjëra”, ka thënë Karamanaga, duke rrëfyer edhe detaje nga takimet me autorin kur ai vjen në vendlindjen e tij në Ulqin.
Botuesi Jusuf Lika ka treguar për të pranishmit se si ka lindur dhe është realizuar ideja për botimin e librit, duke shpjeguar se çdo gjë ka filluar nga një takim i rastësishëm me autorin, në Mendreq (Ranë), në shtator të vitit 2023.
“Duke folur për recensionin që e kishte shkruar për librin tim ‘Dasma e Ulqinit’, u hap biseda edhe për materialin e këtij libri, të cilin e kemi ne sot përpara. Më tha që e kam një pikë në zemër, sepse tash 60 vjet kam mbledhur material – rrëfime, biseda, tregime, përjetime me detarët tanë në Kala, me nënat e tyre, gratë e tyre, motrat e familjarët e tyre dhe me magnetofon, kur isha reporter i Radiotelevizionit të Prishtinës e pastaj edhe me kamerë, i kam shënuar dhe i kam hedhur në letër”, ka thënë ai.
Lika ka shpjeguar se mëpastaj djalit të autorit, Lulzimit, ia ka dhënë disa fotografi nga fototeka e tij për ilustrimin e materialit të librit, të cilin ai e ka shkruar në kompjuter pasi që dorëshkrimi ishte me makinë shkrimi.
Në emër të familjes Llunji, pjesëmarrësit në përurim i ka përshëndetur Asllan Llunji, i cili duke folur mbi krijimtarinë e Ali Llunjit ka thënë se “përkushtimi i tij ndaj fjalës së shkruar dhe ruajtjes së kujtesës kolektive mbetet një shembull frymëzues për brezat e rinj”.
Në vazhdim ai ka lexuar edhe një letër të autorit, i cili në mungesë të pranisë fizike në përurim ka dërguar një mesazh përshëndetjeje për të pranishmit.
Promovimi është gërshetuar edhe me disa pika muzikore, ku nxënëset e Shkollës fillore të Muzikës dhe Baletit në Ulqin, Ajana Llunji dhe Erina Buzuku kanë luajtur në piano pjesë nga kompozitorë të njohur.
Përurimi është organizuar në kuadër të programit për shënimin e Ditës së Ulqinit.
i. k.
