Letërsi përpajtim, dialogdhe mirëkuptim

“Kur flitet për pajtim, shpesh kjo bëhet në një nivel të floskulave banale dhe të sloganeve të partive politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, konsideroj se iniciativat siç është aksioni i komunikimit jo të dhunshëm është shumë i rëndësishëm pasi këto janë nisma që shfaqin reflektimin e pajtimit nëpërmjet një stili të sofistikuar dhe me një stil të një letërsie realisht cilësore”, theksoi Mihaillo Markoviq, njëri ndër panelistët

“Deshëm ne ose jo, të gjitha gjuhët tona kanë aq shumë fjalë të përbashkëta, që dikush i quan turqizma, dikush ballkanizma, serbizma etj., por të gjitha këto janë fjalët tona dhe si dëshmi e kësaj është edhe kjo përmbledhje që quhet ‘Biber’, e cila është një fjalë e përbashkët e të gjitha këtyre gjuhëve të ish-Jugosllavisë”, tha ndër të tjera përkthyesi nga Kosova, Qerim Ondozi.
Libri “Biber 06”, një përmbledhje tregimesh trigjuhëshe nga autorë të rajonit që trajtojnë temat e pajtimit, dialogut dhe mirëkuptimit, u promovua të mërkurën, më 1 prill 2026, në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut.
Se si ka lindur ideja për këtë përmbledhje tregimesh, Ivana Franoviq nga ekipi i projektit “Biber” (konkursi rajonal për tregime të shkurtra) u shpreh se aktiviteti letrar filloi të realizohet në vitin 2014 nga një grup njerëzish relativisht të rinj nga hapësira e ish-Jugosllavisë, nga shtete të ndryshme.
“Dhe kemi menduar se çfarë do të mund të bënim ende, që të mund të ndërtojmë paqen dhe ta përhapim në profesione dhe role të tjera në shoqëri. Dhe duke qenë se ka pasur shkrimtarë mes nesh, ka lindur ideja që të nisim me një konkurs letrar dhe kemi menduar se ai mund të ketë kuptim vetëm nëse do të bashkoheshin disa gjuhë”, u shpreh ajo.
Më tej theksoi se, në vijim, ekipi i punës është marrë vesh që tema e trajtuar të jetë ajo e pajtimit, duke përfshirë edhe historitë kundër luftërave, histori që demistifikojnë imazhin e armikut “dhe të punohet në atë drejtim që të mos ketë paragjykime, por të krijohet një empati ndërmjet njerëzish”.
Franoviq tha se në konkursin e parë, të vitit 2015, janë paraqitur mbi treqind tregime, ndërsa më vonë numri ka qenë dukshëm më i lartë.
Ajo shtoi se aktivistët/et e paqes nga rajoni i lexojnë tregimet, secili në gjuhën e vet amtare, e më pas bëhet paraseleksionimi, ndërsa te juria dërgohen rreth 150 tregime që e kanë kaluar filtrimin dhe që janë në gjuhën boshnjake, serbe, kroate, maqedonase, malazeze dhe shqipe.
Mihaillo Markoviq, njëri nga panelistët, tha se mbi temën e pajtimit në rajon flitet në një mënyrë mjaft sensacionale dhe të gabuar.
“Kur flitet për pajtim, shpesh kjo bëhet në një nivel të floskulave banale dhe të sloganeve të partive politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, konsideroj se iniciativat siç është aksioni i komunikimit jo të dhunshëm është shumë i rëndësishëm pasi këto janë nisma që shfaqin reflektimin e pajtimit nëpërmjet një stili të sofistikuar dhe me një stil të një letërsie realisht cilësore”, theksoi Markoviq.
Përkthyesi nga Kosova, Qerim Ondozi, duke folur për përvojën e tij dhe sfidat në përkthimin e teksteve, theksoi se në këtë periudhë mbi dhjetëvjeçare me projektin “Biber” ka zgjedhur rrugën më të lehtë të përkthimit “nga gjuhët e ish-Jugosllavisë në gjuhën e ish-Jugosllavisë”.
Ai theksoi se, përveç përkthimit në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, shumicën e fjalëve nuk ka nevojë t’i përkthejë.
“Deshëm ne ose jo, të gjitha gjuhët tona kanë aq shumë fjalë të përbashkëta, që dikush i quan turqizma, dikush ballkanizma, serbizma etj., por të gjitha këto janë fjalët tona dhe si dëshmi e kësaj është edhe kjo përmbledhje që quhet ‘Biber’, e cila është një fjalë e përbashkët e të gjitha këtyre gjuhëve të ish-Jugosllavisë”, tha ndër të tjera Ondozi.
Në kumtesën e jurisë, të botuar në librin që u promovua, “Biber 06”, theksohet se juria e konkursit të gjashtë rajonal “Biber”, e përbërë nga Almir Kaplan, Jasna Dimitrijeviq dhe Tanja Stupar Trifunoviq, mori vendimin që shpërblimi i parë t’i jepet tregimit “Dječak koji je volio zvona” (Djaloshi që i donte kambanat) të autores Vladimira Beciq. Shpërblimi i dytë iu nda tregimit “Tijela od vode” (Trupa prej uji) të autores Monika Herceg, ndërsa me shpërblimin e tretë u vlerësua tregimi “Erzähle mir etwas über dich” (Tregomë diçka për veten) i autores Danijela Repman.
Promovimi u organizua nga Qendra për Veprim Jo të Dhunshëm (CNA) në bashkëpunim me Komunën e Tuzit.
Në këtë aktivitet u prezantua edhe konkursi rajonal për tregime të shkurtra “Biber 07”, i cili do të jetë i hapur për aplikime deri më 24 maj 2026.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat