Në një ceremoni solemne, të organizuar në Hotelin “Emerald” në Prishtinë, të hënën, më 30 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani – Sadriu ka dekoruar me medalje presidenciale personalitete nga fusha të ndryshme si mirënjohje për të arriturat dhe kontributin e tyre shoqëror në dobi të popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës.
Me medalje presidenciale janë dekoruar edhe disa personalitete nga fusha e shkencës, arsimit dhe kulturës të shqiptarëve në Malin e Zi, si studiuesi dhe ish-profesori universitar Prof. dr. Ruzhdi Ushaku, këngëtari Shaban Gjekaj, shkrimtari dhe gazetari Ibrahim Berjashi (pas vdekjes), mësimdhënësi dhe aktivisti shoqëror Xhemal Nikaj (pas vdekjes), regjisori dhe ish-profesori universitar Emin Halili, si dhe artistja Prof. mr. Zake Prelvukaj, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Në fjalën e saj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu ka thënë se
“dekoratat që po ndahen janë përveçse mirënjohje, edhe dëshmi e sakrificës dhe guximit, dëshmi e popullit tonë, i cili nuk u përkul, nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë nga liria asnjëherë, dëshmi e mundit, djersës dhe angazhimit të gjeneratave të tëra, që dhanë gjithçka për shtetin tonë të dashur”.
Duke iu referuar kohës së organizimit të ceremonisë së ndarjes së dekoratave, ajo ka thënë se marsi është një muaj i rëndë në historinë tonë.
“Është një muaj kujtese dhe reflektimi, ku pothuajse çdo ditë na rikthen në ngjarje të dhimbshme, në masakrat e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë ndaj popullit tonë. Por njëkohësisht, është edhe një muaj që dëshmon qëndrueshmërinë, rezistencën dhe vendosmërinë për mos t’u dorëzuar kurrë. Është muaj i krenarisë për trimërinë dhe heroizmin e treguar nga breza të tërë, në mënyrë që ne sot të jemi të lirë, në shtetin tonë të pavarur e demokratik”, ka thënë presidentja Osmani – Sadriu.
(Kohapress)
