Inaugurohet biblioteka e re

Projekti është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Kjo qendër e re pritet të shndërrohet në një vatër të rëndësishme të dijes dhe kulturës për banorët e Anës së Malit dhe më gjerë

Në Katërkollë të Anës së Malit, më 7 mars 2026, me rastin e shënimit të Ditës së Mësuesit, u bë inaugurimi i qendrës shumëfunksionale bibliotekë/librari, një hapësirë e re kulturore dedikuar librit, dijes dhe aktiviteteve kulturore në gjuhën shqipe. Ky projekt u realizua në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, duke e shpallur të hapur librarinë mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi rëndësinë për zhvillimin e jetës kulturore e arsimore në zonë.
“Jo rastësisht sonte, më 7 mars, duke kujtuar hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe, vjen edhe hapja e librarisë në Katërkollë. Ky institucion kulturor është një institucion që hapet pas shumë kohësh, një institucion të cilin Komuna e Ulqinit dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ia dhurojnë popullit të vet dhe shpresojmë që të jetë një ambient multikulturor, ku do të mbahen edhe mbrëmje letrare, takime, si dhe t’u dedikohet në veçanti të rinjve. Ftoj të gjithë afaristët dhe intelektualët që të japin kontributin e tyre dhe të mbështesin librarinë”, ka thënë ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, në fjalën e tij u shpreh se hapja e kësaj qendre vlerësohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e jetës kulturore në Anën e Malit, duke kontribuuar në promovimin e dijes, arsimit dhe kulturës si vlera themelore të zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.
“Kjo qendër nuk do të jetë vetëm një vend me libra, por një vatër e dijes, kulturës, leximit dhe kërkimit shkencor për të gjithë. Ajo do të jetë një hapësirë ku të rinjtë do të lexojnë, do të mësojnë dhe do të zhvillojnë mendimin e tyre, ndërsa të rriturit do të kenë mundësi të zgjerojnë njohuritë për të kaluarën dhe të përgatisin punimet e tyre për të ardhmen. Ky ambient do të jetë për ta një shtëpi e dytë. Shkrimtarët do të kenë mundësi të promovojnë veprat e tyre dhe të takohen me lexuesit. Le të shndërrohet kjo librari në një derë të hapur për të gjithë adhuruesit e dijes, sepse aty ku ka libra ka dije, e aty ku ka dije ka të ardhme”, theksoi ai.
Shkëlzen Sulejmani, iniciatori i hapjes së kësaj librarie, u shpreh se ideja për krijimin e saj lindi nga dëshira për t’i dhënë vendlindjes një hapësirë të dedikuar librit dhe kulturës.
“Treva e Anës së Malit, ndër vite, i është përkushtuar arsimit dhe gjithmonë ka pasur në fokus arsimimin e brezave të rinj. Prindërit tanë dhe arsimtarët, që nga shkolla fillore, na kanë mësuar se në libër gjendet pasuria më e madhe. Kjo iniciativë ka lindur si një nevojë për të vazhduar traditën e bibliotekës që ka qenë e pranishme në kohën kur ne ishim nxënës të shkollës fillore. Ideja buron edhe nga një ndjenjë nostalgjie, por vazhdimësia e saj është rezultat i këmbënguljes dhe përkushtimit të të gjithë ekipit realizues. Rezultati është ky që shihni sot, ndërsa suksesi dhe përmbushja e plotë e kësaj nisme do të arrihet vetëm nëse kjo qendër do të jetë funksionale”, ka pohuar ai.
Kjo qendër e re pritet të shndërrohet në një vatër të rëndësishme të dijes dhe kulturës për banorët e Anës së Malit dhe më gjerë.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat