Tekstet mësimore plotësuese “Histori e shqiptarëve”, të dedikuara për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi që mësimet i ndjekin në gjuhën shqipe në shkollën fillore dhe të mesme, janë promovuar të shtunën (28 shkurt 2026) në Librarinë “Ulqini”.
Bashkautorë të tekstit për klasat VI-IX të shkollës fillore (nëntëvjeçare) janë mësimdhënësit e historisë Tomë Lucaj dhe Jetmira Sellaj, ndërsa të tekstit për klasat I-IV të shkollës së mesme mësimdhënësit Dr. Nexhat Avdiu dhe Mark Junçaj.
Dy librat janë botuar falë bashkëpunimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Shtëpisë Botuese “Albas”.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, ka thënë se duke shfrytëzuar kuadrin ligjor në Mal të Zi, i cili iu mundëson mësimdhënësve kuotën prej 20 për qind si pjesë e hapur e programit në mësimdhënie, e kanë konsideruar të nevojshme dhe zgjidhje të përshtatshme ofrimin e njësive mësimore plotësuese për historinë kombëtare, të përmbledhura brenda dy librave – për ciklin fillor dhe atë të mesëm.
“Ky botim do t’u shërbejë dhe lehtësojë punën mësimdhënësve dhe nxënësve për t’u njohur me vlerat identitare të shqiptarëve dhe të kaluarën tonë historike”, ka thënë ai.
Nika ka theksuar se janë të vetëdijshëm që ky është hapi i parë dhe se mund të ketë mangësi apo gabime, por grupi i punës ka synuar përzgjedhjen e atyre temave që i kanë vlerësuar si më të rëndësishmet për të kaluarën tonë historike.
“Megjithatë, pas punës me librin, do të mirëpresim sugjerimet dhe plotësimet e nevojshme, të cilat premtojmë t’i përfshijmë dhe t’i përsosim në ribotimet e ardhshme”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Shtëpisë Botuese “Albas”, Rita Petro, ka thënë se e kanë mirëpritur këtë bashkëpunim, të cilin e kanë pasur ëndërr që prej themelimit të kësaj shtëpie botuese, veprimtaria e së cilës shtrihet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës.
Sipas saj, kanë qenë politikat e tilla që deri tani kjo shtëpi botuese nuk ka qenë e pranishme edhe ndër shqiptarët në Malin e Zi.
“Kjo është një nismë që sapo e filluam, por që do ta vazhdojmë. Kur librat të kalojnë në duart e nxënësve, ne presim pastaj sugjerimet që të mund t’i përmirësojmë”, ka thënë Petro, duke shpjeguar se “Albas” është një shtëpi botuese e specializuar në fushën e librave shkollorë.
Për tekstet mësimore plotësuese “Histori e shqiptarëve” kanë folur dy nga bashkautorët – Jetmira Sellaj, mësimdhënëse e historisë në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, dhe Mark Junçaj, profesor i historisë në shkollën e mesme “25 Maji” në Tuz.
Duke folur për tekstet ekzistuese të historisë për klasat VI-IX që përdoren në shkollat shqipe në Malin e Zi, Sellaj ka thënë se ato nuk përmbajnë kapituj të mjaftueshëm për historinë kombëtare të shqiptarëve.
“Ato përmbajnë vetëm fragmente të shkurtra, pa kontekst apo thellësi, gjë që lë një boshllëk të dukshëm në njohuritë historike të nxënësve tanë. Nxënësit, duke mos patur një trajtim të plotë dhe të sistemuar të historisë së vet, rrezikojnë të mos kuptojnë qartë identitetin, kulturën dhe rrugëtimin e popullit të tyre në kohë”, ka thënë ajo, duke shtuar se shpeshherë e kanë ndier nevojën për materiale plotësuese që do ta pasqyronin më qartë dhe më dinjitetshëm historinë e shqiptarëve.
Prandaj ajo e ka cilësuar botimin e teksteve mësimore plotësuese të lëndës së historisë si një hap të rëndësishëm për arsimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
“Ai synon të mbështesë mësimdhënësit në punën e tyre dhe t’iu ofrojë nxënësve një burim të strukturuar, të qartë dhe të dobishëm për të kuptuar zhvillimet historike të shqiptarëve ndër shekuj”, ka thënë Sellaj.
Për tekstin mësimor plotësues të historisë për shkollat e mesme ka folur historiani Mark Junçaj, profesor i historisë në shkollën e mesme “25 Maji” në Tuz.
Ai ka thënë se libri në fjalë është në pajtim me programin e lëndës së historisë për drejtimin e gjimnazit të shkollave të mesme në Mal të Zi, konkretisht për nxënësit shqiptarë, pasi që, sipas ligjit, 80 për qind e programit ka të bëjë me njësitë mësimore të detyrueshme për të gjithë nxënësit në Mal të Zi, pa marrë parasysh gjuhën në të cilën mësojnë, për çka edhe ekziston teksti i obliguar mësimor, ndërsa 20 për qind është lënë e lirë që të përdoret për historinë lokale ose për njësitë mësimore me rëndësi për bashkësinë lokale, konkretisht për njësitë kombëtare që janë të rëndësishme për bashkësinë lokale.
Në vazhdim ai ka folur për përmbajtjen dhe strukturimin e librit të historisë për shkollat e mesme në gjuhën shqipe.
“Libri në fjalë është i ndarë në katër kapituj, sipas katër viteve të gjimnazit, pasi që çdo kapitull përmban njësitë mësimore të parapara për një vit. Vlen të përmendet se në shkollat e mesme të Malit të Zi, drejtimi i gjimnazit, lënda e historisë mësohet gjatë katër viteve, ashtu që për çdo vit mësohet një periudhë historike. Në tekstin mësimor ndodhen 11-12 mësime për çdo vit. Në total, për katër vite janë të hartuara 46 njësi mësimore brenda 161 faqeve, sa ka komplet libri”, ka thënë Junçaj.
Sipas kryetarit të KKSH-së, Faik Nika, ky institucion planifikon që në të njëjtën mënyrë të veprojë edhe me lëndët tjera të identitetit kombëtar, si gjeografia, arti muzikor dhe arti figurativ, duke botuar tekste mësimore plotësuese edhe për këto lëndë. Ndërsa pas kësaj t’i drejtohen institucioneve përgjegjëse në Malin e Zi me kërkesën për lejimin e tyre që të përdoren si tekst alternativ, siç kanë vepruar edhe me Abetaren Mbarëkombëtare, e cila si tekst plotësues përdoret në shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Në përurim kanë marrë pjesë konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Ulqin, Arben Doçi, drejtorë dhe mësimdhënës të historisë në shkollat në gjuhën shqipe në Malin e Zi, anëtarë të KKSH-së, dashamirë të arsimit shqip etj.
i. k.
