Dëshmi e vlerave kulturore dhe trashëgimisë shpirtërore e materiale

“Kjo ndjenjë më shtyu të ndërmarr nismën për të shkruar këtë libër, me qëllim që të pasqyroj dhe të ruaj vlerat kulturore të shqiptarëve në Rozhajë, trashëgiminë e tyre shpirtërore e materiale, traditat e trashëguara brez pas brezi dhe, në fund, edhe disa dromca të historisë sonë kolektive”, është shprehur autori.

Në Bibliotekën e Qytetit të Rozhajës, më 30 dhjetor 2025 u bë promovimi i librit “Rozhaja në kujtimet e vjetra” të autorit Faruk Daci, në prani të shumë dashamirëve të librit, krijuesve, pedagogëve, përfaqësuesve të organizatave e institucioneve të ndryshme, qytetarëve të Rozhajës,
si dhe mysafirëve nga Plava, Peja, Istogu dhe qytete të tjera.
Në mesin e personaliteteve ishin edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Rozhajës, Almir Avdiq, përfaqësuesja e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Edina Ramoviq, ish-kryetari i Komunës së Deçanit, Musa Berisha, pastaj nga mërgata, humanisti i madh Arbert Lubeniqi, Metë Mavraj etj.
Për librin, që është botuar nga Shtëpia Botuese “AMALTHEA” nga Prishtina në dhjetor 2025, foli prof. dr. Kushtrim Dreshaj, duke vënë në pah vlerat historike, dokumentare dhe emocionale të veprës si dhe përmbajtjen e saj.
“Rozhaja si zonë malore është e pasur me vlera natyore dhe kulturore të të gjitha komuniteteve. Zhvillimi shoqëror në periudha të ndryshme i karakterizon proceset që kanë ndodhur e ato veçanërisht hetohen në kulturë. Traditat mendohet që ekzistojnë prej shekujsh në këtë rrethinë dhe janë kultivuar në vazhdimësi nga të gjitha shtresat shoqërore, e që shkojnë deri në ditët e sotme, si: mbamendja e legjendave, këngëve, vallet, ritualet, ninullat, përrallat, veshja tradicionale, karakteristikat e së folmes, ushqimi, mjetet e punës, veglat muzikore”, ka thënë ai, duke shtuar se autori është munduar që këto vlera të futen në listën e trashëgimisë kulturore të Rozhajës, si vlera kombëtare shqiptare, dhe më tutje edhe në trashegiminë kulturore në Mal të Zi, sepse janë autentike dhe origjinale.
Dreshaj më pas ka folur për përmbajtjen dhe strukturimin e librit, të ndarë në disa krerë: kreu 1 “Rozhaja me rrethinë”, kreu 2 “Copëza historie për Rozhajën”, kreu 3 “Trashëgimia kulturore e Rozhajës”, kreu 4 “Kujtimet shqiptare të shkruara për Rozhajën” dhe kreu 5 “E kaluara e shqiptarëve përmes imazheve”. Në fund të librit jepet një kronologji e ngjarjeve që kanë ndodhur ndër vite në Rozhajë.
Ai ka theksuar se në librin e vëllimshëm me rreth 300 faqe, me përmbajtje të begatë, format të vogël dhe simpatik, autori ka përdorur metodologji standarde dhe literaturë të mirëfilltë bashkëkohore.
Një fjalë përshëndetëse dhe evokuese, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i eksodit të vitit 1999, mbajti Nuradin Imeraj, drejtor ekzekutiv i Klubit Letrar “Podguri” nga Istogu, ndërsa fjalë rasti mbajtën hoxhë Sadri Zekaj, në cilësinë e refugjatit në Rozhajë, si dhe veterani i arsimit Sokol Daci, si recensent i librit.
Në emër të nikoqirit, të pranishmit i përshëndeti drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit, Fetija Kurtagiq.
Në fund të promovimit foli autori i librit, Faruk Daci, i cili falënderoi dekanin e Fakultetit të Turizmit në UBT, për korrigjimet dhe rregullimin e librit, në mënyrë që kjo trashëgimi kulturore të paraqitet në mënyrë sa më të mirë, vetëm në interes të qytetarëve të Rozhajës, zhvillimit të kulturës së Rozhajës dhe Malit të Zi në përgjithësi, në mënyrë që kjo kulturë të mbetet e shkruar, të jetë më e begatë dhe të hyjë në Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit.
Ai ka treguar se ideja për të shkruar librin ka qenë e kahmotshme, bile qëkur ishte fëmijë, i cili ishte rritur ndër këto bjeshkë duke qenë krenar për përkatësinë e tij shqiptare.
“Gjithmonë kam pasur deshirë të jem aty në odë e të dëgjoj për proceset e jetës në katund, kulturën, punën e përditshme, familjen, veshjet, adetet dhe zakonet, e deri te ndonjë ngjarje historike që nuk është e shkruar, por që është mbajtur mend si gojëdhënë apo legjendë”, ka thënë Daci.
Autori ka theksuar se i mbështetur në përvojën e tij nga hulumtimet dhe studimet e mëhershme për Rozhajën, ka vlerësuar se ajo çfarë ishte shkruar deri tani nuk mjaftonte.
“Kjo ndjenjë më shtyu të ndërmarr nismën për të shkruar këtë libër, me qëllim që të pasqyroj dhe të ruaj vlerat kulturore të shqiptarëve në Rozhajë, trashëgiminë e tyre shpirtërore e materiale, traditat e trashëguara brez pas brezi dhe, në fund, edhe disa dromca të historisë sonë kolektive”, është shprehur Daci.
Në fund të promovimit, autori falënderoi në mënyrë të veçantë bashkëpunëtorët – dekanin e Fakultetit të Turizmit në UBT, prof. dr. Kushtrim Dreshaj, prof. dr. Dardan Lajçi, redaktorin Rexhep Dedushaj, recensentët Mujo Daciq dhe Sokol Daci, redaktorin gjuhësor Ekrem Kryeziu dhe Shtëpinë Botuese “Amalthea” nga Prishtina. Ai ka falënderuar po ashtu edhe organet e qeverisjes lokale, përfaqësuesen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, të gjithë të pranishmit dhe mysafirët, si dhe mediat për përcjelljen e aktivitetit.
Vlerë e shtuar e këtij aktiviteti ishte performanca e këngëtarit të njohur Ali Shabanaj, i cili me dy këngë të bukura e relaksoi dhe begatoi atmosferën.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat