Më 26 dhjetor 2025, në Ulqin u mbajt Festivali i 18-të i Këngës për Fëmijë, një manifestim kulturor që prej vitesh përfaqëson një nga ngjarjet më të dashura dhe më të rëndësishme për fëmijët dhe familjet e tyre. Ky edicion shënoi një moment të veçantë në historinë e festivalit, pasi për herë të parë u organizua në ambient të hapur, duke i dhënë aktivitetit një dimension të ri artistik dhe festiv, si dhe duke krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë mes skenës, publikut dhe qytetit.
Festivali u realizua nën organizimin e Qendrës për Kulturë të Ulqinit, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, Ministrisë së Kulturës dhe Medias dhe Organizatës Turistike të Ulqinit. Ky bashkëpunim institucional dëshmon përkushtimin e përbashkët për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, veçanërisht asaj që i dedikohet brezit më të ri, duke i dhënë hapësirë talentit, krijimtarisë dhe edukimit artistik të fëmijëve.
Hapja e festivalit u shënua nga fjala përshëndetëse e përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës dhe Medias në Mal të Zi, Petar Kovaçeviq, i cili vlerësoi lart rolin dhe vazhdimësinë e këtij manifestimi kulturor.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se ka kënaqësi të përshëndesë në emër të Ministrisë së Kulturës dhe Medias me rastin e festivalit tradicional të fëmijëve në Ulqin.
“Kjo ide, e cila po shënon plot 18 vite, së shpejti do të shënojë edhe jubileun e dy dekadave. Bëhet fjalë për një traditë të rëndësishme jo vetëm për fëmijët, por edhe për krijimin e një muzike të mirëfilltë dhe zgjerimin e kreativitetit. Ky festival luan një rol të rëndësishëm në fillimin e karrierës së të rinjve që shfaqin talentin e tyre. Ky festival është gjithashtu një shembull i mirë i multikulturalizmit në Mal të Zi, të cilin Ministria e Kulturës dhe Medias e mbështet edhe këtë vit. Uroj që ky festival të zgjerohet edhe më shumë nga viti në vit”, ka thënë ai.
Në emër të Komunës së Ulqinit, të pranishmit i përshëndeti sekretarja e Sekretariatit për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, Merita Subashiq – Shabanoviq, e cila me një fjalë të ngrohtë dhe emocionale iu drejtua veçanërisht fëmijëve pjesëmarrës.
Ajo theksoi rëndësinë e këtij festivali për zhvillimin emocional dhe artistik të më të vegjëlve.
“Ky festival është i veçantë, sepse u jep zemër të vegjëlve tanë, imagjinatës së tyre dhe gëzimit. Kënga e fëmijëve na bashkon dhe na kujton sa e rëndësishme është të mbështesim talentin, pafajësinë dhe kreativitetin e tyre. Të dashur fëmijë, sot skena është e juaja, andaj gëzohuni me çdo performancë”, u shpreh ajo.
Në konkurrim këtë vit ishin 22 këngë, të interpretuara nga fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët u ngjitën në skenë me shumë entuziazëm, guxim dhe dashuri për muzikën. Çdo performancë solli emocione të veçanta, duke reflektuar botën e pastër të fëmijërisë, temat familjare, dashurinë për nënën, atdheun, lojën dhe gëzimin.
Vlerësimi i këngëve u bë nga një juri profesionale, e përbërë nga emra të njohur të fushës së artit dhe kulturës: Cani Lazoja, producent i Qendrës për Kulturë të Ulqinit, Valbona Hoxhiq, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe Egzona Salaj, soprano dhe profesoreshë e muzikës. Juria pati një detyrë të vështirë për shkak të nivelit të lartë artistik dhe përkushtimit të treguar nga të gjithë pjesëmarrësit.
Gjatë mbrëmjes finale u ndanë edhe çmimet tradicionale të Festivalit. Çmimi i Parë iu nda dy motrave Serena dhe Sarina Duraku, me këngën “Vallja e fëmijëve”, me muzikë dhe orkestrim nga Blendi Maxharri dhe tekst nga Senada Kaleziq, të cilat me energjinë, harmoninë dhe interpretimin e tyre fituan zemrat e jurisë dhe publikut. Vendin e dytë e fitoi Denis Lamoja me këngën “Atdheu im”, ku muzika, orkestrimi dhe teksti janë realizuar nga Gëzim Gjekaj, një këngë me tematikë atdhetare që u prit shumë mirë nga publiku. Vendi i tretë shkoi për Nina Kostiqit, me këngën “Mama, Hvala ti”, me muzikë dhe orkestrim nga Islam Axhemoviq dhe tekst nga Gjika Filipoviq.
Çmimi Special “Fiqri Hasanaga” iu nda Rona dhe Era Kurti për këngën “Mamit tim”, me muzikë dhe orkestrim nga Blendi Maxharri dhe tekst nga Sidorela Berishaj, e cila preku publikun me emocionin dhe sinqeritetin e interpretimit. Ndërsa Çmimi për tekstin më të mirë iu dha Idana dhe Amris Borshit për këngën “Dhuroi një kukull”, me muzikë dhe orkestrimin nga Bardhyl Hysa dhe tekst nga Adelina Mamaqi, një këngë që u vlerësua për ndjeshmërinë dhe mesazhin e saj të bukur për botën e fëmijëve.
Festivali i 18-të i Këngës për Fëmijë në Ulqin konfirmoi edhe një herë rëndësinë e tij si një platformë e vlefshme për zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, duke kontribuar në edukimin kulturor dhe artistik të fëmijëve. Ky manifestim jo vetëm që pasuroi jetën kulturore të qytetit, por edhe përcolli mesazhe të forta për rëndësinë e artit, bashkëjetesës dhe mbështetjes së brezit të ri, duke lënë pas një atmosferë festive dhe pritshmëri edhe më të mëdha për edicionet e ardhshme.
D. Teliqi
