Piktori Agron Ujkashi u vlerësua me Çmimin “Autori më i mirë”

Në këtë ekspozitë me temë “Midis linjave dhe ngjyrave”, punimet e veta i kanë paraqitur rreth 70 artistë nga Shqipëria dhe diaspora, duke sjellë një dialog të gjerë mes formave, mediumeve dhe qasjeve të ndryshme bashkëkohore. Në mesin e tyre, krahas piktorit Ujkashi, kanë marrë pjesë edhe tre piktorë të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi – Cano Duli, Kaltrina Hoti dhe Monika Dukaj

Piktori nga Ulqini, Agron Ujkashi, është vlerësuar me Çmimin e Autorit më të mirë në edicionin e 19-të të ekspozitës kombëtare “Salloni i Vjeshtës”, që organizohet nga Galeria e Arteve Shkodër.
Ujkashi është vlerësuar për veprën me titull “Dimensional jump” (Kërcim në një dimension tjetër), ku ai si autor kërcen në dritaret dimensionale, ndërsa Rozafa në atë dimension është një organizëm kibernetik (cyborg).
Edhe pse thotë se nuk ka pritur të fitojë ndonjë çmim, piktori falënderon jurinë për vlerësimin, duke thënë se i vjen mirë që kanë filluar ta vlerësojnë artin konceptual.
Në këtë ekspozitë me temë “Midis linjave dhe ngjyrave”, punimet e veta i kanë paraqitur rreth 70 artistë nga Shqipëria dhe diaspora, duke sjellë një dialog të gjerë mes formave, mediumeve dhe qasjeve të ndryshme bashkëkohore. Në mesin e tyre, krahas piktorit Ujkashi, kanë marrë pjesë edhe tre piktorë të tjerë shqiptarë nga Mali i Zi – Cano Duli, Kaltrina Hoti dhe Monika Dukaj.
Vlerësimi i punimeve është bërë nga juria e përbërë nga artistet Luljeta Rama – Muçaj, Eltjana Shkreli dhe Besjona Vidrica.
Përveç çmimit për Autorin më të mirë, janë ndarë edhe dy çmime të tjera: me Çmimin “Vepra më e Mirë” është vlerësuar ajo e piktorit Arben Suma, kurse me Çmimin e Risisë Genti Spirollavi.
Për drejtorin e Galerisë së Arteve Shkodër, Fatmir Juka, “Salloni i Vjeshtës” mbetet një ngjarje kulturore kryesore që “përpos sasisë, po kërkon gjithmonë një cilësi prezantimi, por edhe po e zgjeron territorin e prezantimit, jo vetëm të artit, por edhe të Shkodrës si një qendër ku ndërthuren vlerat artistike”.
Kuratori i ekspozitës, Olsi Plasa, ka thënë se ekspozita ka pasur vështirësitë e veta, sepse tema nuk ka qenë shumë e thjeshtë dhe ka pasur piktorë të cilët nuk e kanë kuptuar si duhet temën.
“Por në përgjithësi, punët janë shumë të mira dhe shumë të bukura. Shumë punë të mira kanë ardhur dhe ka ndërruar fryma e stilit klasik. Shohim shumë punë të frymës më moderne, të një lloj pune më konceptuale, më me ide. Dhe kjo e bën edhe ndryshimin në përgjithësi të kësaj galerie”, është shprehur ai.
Ekspozita “Salloni i Vjeshtës”, e hapur më 27 nëntor 2025, konsiderohet një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e artit pamor në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat