Në Galerinë “Oda” në Shkodër të mërkurën mbrëma (19 nëntor 2025) është hapur ekspozita me titull “Pema hyjnore” e fotografit ulqinak Gazmend Çitaku, një udhëtim poetik që sjell para publikut ullirin, pemën simbol që prej mijëra vitesh shënon historinë, shpirtin dhe dritën e qytetit të Ulqinit. Në fotografitë e tij, ulliri nuk shfaqet si element dekorativ, por si një qenie e gjallë, e ngarkuar me kujtime dhe dëshmi e një qytetërimi që vazhdon të frymojë pranë mureve të kalasë.
Ullishta mbi dymijëvjeçare e Ulqinit, një ndër më të lashtat në rajon, vjen në këtë ekspozitë si tempull i kujtesës dhe reflektimit. Çitaku kujton se përveç bukurisë së tyre, këto pemë mbartin edhe një detyrim për njeriun: t’i ruajë, t’u qëndrojë pranë dhe të mos harrojë vlerën që përfaqësojnë.
Në hapjen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe studiuesi dhe intelektuali i njohur shqiptar nga Mali i Zi, Nail Draga, i cili e vuri këtë aktivitet artistik në një kontekst më të gjerë bashkëpunimi ndërqytetas.
“Shkodra dhe Ulqini, pavarësisht afërsisë gjeografike, ende nuk e kanë shfrytëzuar plotësisht potencialin e bashkëpunimit mes tyre”, u shpreh Draga, duke theksuar se të dy qytetet ndajnë histori, traditë, identitet kulturor dhe marrëdhënie të hershme shoqërore, ndërsa bashkëpunimi institucional mbetet larg mundësive reale.
Sipas tij, kultura, turizmi, trashëgimia, arsimi dhe promovimi i vlerave shqiptare janë fusha ku mund të ndërtohen hapa konkretë dhe projekte të qëndrueshme. Draga rikujtoi se lidhja Shkodër–Ulqin ka qenë natyrale ndër shekuj, por sot institucioneve u takon të krijojnë ura të reja bashkëpunimi që sjellin përfitime të ndërsjella.
Galeria “Oda”, e vendosur në Shkodër, prej kohësh është shndërruar pikërisht në një urë të tillë komunikimi, duke mbështetur vazhdimisht nisma të artistëve shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ajo shërben si hapësirë dialogu për artin dhe për bashkëpunimin kulturor në mbarë hapësirën shqiptare.
“Pema hyjnore” në këtë kontekst merr një kuptim edhe më të gjerë: është jo vetëm një dëshmi e bukurisë së natyrës dhe e historisë së Ulqinit, por edhe një thirrje për lidhje më të forta mes qyteteve tona, po aq të rrënjosura dhe të qëndrueshme sa ullinjtë mijëravjeçarë që Çitaku sjell në qendër të vëmendjes.
Marjo Gjini
