Anabela Camaj, fituese e Garave të Recituesve të Rinj 2025

Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë u takoi nxënëseve Bora Kurti dhe Brejdina Rexha nga shkolla “Bedri Elezaga” - Katërkollë, vendi i dytë nxënësve Isar Kaca dhe Laura Pekaj nga shkolla “Marshall Tito” - Ulqin, kurse vendi i tretë nxënëses Shpresa Shabaj nga shkolla “Mahmut Lekiq” - Tuz. Në kategorinë e shkollave të mesme, vendin e parë e zuri Ildorina Lekperiq nga Medreseja “Mehmed Fatih”- Milesh, vendin e dytë Rinesa Cekoviq dhe Qazim Tula nga shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” - Ulqin, ndërsa vendin e tretë Janina Selimaj nga shkolla e mesme e kombinuar “Beqo Bashiq” - Plavë

Në Galerinë e Qendrës për Kulturë në Ulqin, të mbushur me artdashës e dashamirë të gjuhës shqipe, të shtunën, më 8 nëntor 2025, Fondacioni “Studenti” organizoi aktivitetin tradicional “Garat e Recituesve të Rinj 2025”, kushtuar nxënësve të shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Këto gara organizohen nga Fondacioni “Studenti” që nga viti 2006 dhe këtë vit u mbajtën për herë të dytë, pas fazës së parë të zhvilluar më 30 maj 2025 në Ulqin, për shkollat e komunave të Ulqinit dhe Tivarit. Në këtë fazë të dytë morën pjesë nxënës nga tetë shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme nga trevat shqiptare në Mal të Zi – Ulqin, Tivar, Tuz, Plavë, Guci dhe Rozhajë.
Në hapje të mbrëmjes u përshëndetën të pranishmit, mes të cilëve ishte konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, përfaqësues nga Komuna e Ulqinit, mësimdhënës, prindër dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në emër të organizatorit, kryetarja e Fondacionit “Studenti”, Albiona Pali, falënderoi pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët që mbështesin këtë nismë për ruajtjen e vlerave kulturore dhe gjuhësore në mesin e të rinjve shqiptarë.
“Sonte është një mbrëmje shumë e veçantë, sepse jemi të bashkuar të gjithë shqiptarët e Malit të Zi në këtë natë kaq të bukur që na lidh me gjuhën dhe poezinë tonë shqipe. Në këtë edicion të garave të recituesve të rinj, bashkojmë në një skenë të përbashkët nxënës nga të gjitha shkollat shqipe të Malit të Zi. Kjo është një festë e brezit të ri, të cilët me shumë krenari e mbajnë gjallë gjuhën tonë. Ju, nxënës, jeni ata që sonte me zërin dhe emocionin tuaj na tregoni se gjuha shqipe mbahet e fortë dhe krenare çdo ditë. Dua të falënderoj të gjithë mësuesit për punën e tyre të palodhur dhe prindërit për mbështetjen ndaj fëmijëve. Po ashtu, në emër të Fondacionit ‘Studenti’, dua të falënderoj Komunën e Ulqinit dhe secilin që ka kontribuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”, u shpreh ajo.
Juria profesioniste e përbërë nga Astrit Fani (aktor i Teatrit “Migjeni” – Shkodër), Rozafa Shpuza (poete dhe fotografe nga Shkodra) dhe Dr. Isida Hoxha (pedagoge e gazetarisë dhe komunikimit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”) vlerësoi paraqitjet e pjesëmarrësve në bazë të interpretimit, artikulimit dhe ndjeshmërisë artistike.
Nxënësit konkurruan në dy kategori – shkollat fillore dhe shkollat e mesme – me një repertor të gjerë poetik, që përfshinte krijime nga Migjeni, Çajupi, Dritëro Agolli, Fatmir Muja, Fan Noli, Teodor Keko e autorë të tjerë të letërsisë shqipe.
Në mesin e recituesve pati edhe interpretime në çift, kolazhe poetike dhe poezi autoriale, ndërsa mbrëmja u pasurua me pjesë muzikore nga nxënësit e Shkollës për Arsimin Fillor të Muzikës dhe Baletit në Ulqin: Aria Hasanaga (violinë), Irsi Shabanoviq (flaut) dhe Kaid Resulbegoviq (kitarë).

Fituesit
Fituese e përgjithshme e Garave të recituesve të rinj 2025 u shpall Anabela Camaj nga shkolla e mesme e përzier “25 Maji”- Tuz.
Në kategorinë e shkollave fillore, vendi i parë u takoi nxënëseve Bora Kurti dhe Brejdina Rexha nga shkolla “Bedri Elezaga” – Katërkollë, vendi i dytë nxënësve Isar Kaca dhe Laura Pekaj nga shkolla “Marshall Tito” – Ulqin, kurse vendi i tretë nxënëses Shpresa Shabaj nga shkolla “Mahmut Lekiq” – Tuz.
Në kategorinë e shkollave të mesme, vendin e parë e zuri Ildorina Lekperiq nga Medreseja “Mehmed Fatih”- Milesh, vendin e dytë Rinesa Cekoviq dhe Qazim Tula nga shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” – Ulqin, ndërsa vendin e tretë Janina Selimaj nga shkolla e mesme e kombinuar “Beqo Bashiq” – Plavë.
Fituesit e çmimeve organizatori i shpërbleu me të holla dhe diploma, kurse të gjithë pjesëmarrësve dhe mësimdhënësve që i përgatitën u ndanë libra në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në promovimin e artit poetik dhe gjuhës shqipe. Libra nxënësve pjesëmarrës në gara u dhuroi edhe poeti Ali Gjeçbritaj.
Para ndarjes së çmimeve anëtarët e jurisë shprehën emocionet e tyre për këtë aktivitet.
“Në radhë të parë, mua më thërrasin rrënjët, sepse të parët e mi janë nga Ulqini. Sonte dua të falënderoj ata që më ftuan; jashtëzakonisht shumë dua t’ju falënderoj juve që jeni prezentë, dhe në veçanti të gjithë nxënësit pjesëmarrës. Jam shumë i emocionuar sepse kam dëgjuar një shqipe të pastër. Kjo është meritë e prindërve dhe e shqiptarëve në Mal të Zi, të cilët mbajnë gjuhën shqipe të pastër dhe emocionojnë pamasë çdo të pranishëm. Në pozicionin që kisha sonte, pashë disa fëmijë të cilët kapërcejnë edhe shkallët e Teatrit ‘Migjeni’, sepse me interpretimin e tyre unë pashë një projeksion artistik që, duke punuar dhe me vullnetin e tyre, jo vetëm mund t’i bëjë aktorë të mirë, por edhe shqiptarë të mirë, ashtu siç jeni të gjithë”, është shprehur aktori Astrit Fani.
Anëtarja tjetër e jurisë, poetja Rozafa Shpuza u shpreh se “artikulimi i pastër dhe ndjeshmëria e tyre artistike më emocionuan thellë”, ndërsa për Dr. Isida Hoxhën “pjesëmarrësit treguan një nivel të lartë kreativiteti dhe kulturë komunikimi, duke reflektuar përkushtimin e tyre ndaj letërsisë shqipe”.
Në përmbyllje të mbrëmjes, organizatorët falënderuan Komunën e Ulqinit për mbështetjen e dhënë në kuadër të projektit për organizatat joqeveritare, si dhe të gjitha shkollat që iu përgjigjen ftesës për pjesëmarrje.
Atmosfera festive, emocionet e recitimit dhe energjia rinore e pjesëmarrësve e bënë këtë aktivitet një ndër ngjarjet më të bukura kulturore të këtij viti në komunitetin shqiptar në Mal të Zi.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat