Një kurorë me fjalë poetike

“‘Loti i hënës’ është një libër që pasqyron botën e pasur të ndjenjave të një vajze të re, e cila di të shohë me sy të pastër, të ndiejë me zemër të ndjeshme dhe të shprehë fjalë të sinqerta. Poezitë e tij janë një ndërthurje e dashurisë, kujtimeve, reflektimeve dhe shpresës duke dhuruar te lexuesi një përvojë të ngrohtë dhe të paharrueshme”, ka thënë redaktorja e librit Luljeta Avdiu - Cura

Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të mërkurën, më 29 tetor 2025, është bërë përurimi i vëllimit të parë poetik të autores Kejselda Mekshi, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore “Marshall Tito” në Ulqin.
Udhëheqësja e përurimit, njëherazi udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, Ardita Rama, ka thënë se ndjehet e lumtur që është bërë pjesë e rrugëtimit letrar të një krijueseje të re duke uruar që libri i Mekshit të jetë vetëm fillimi i një udhëtimi të saj të bukur në botën e artit dhe të fjalës së shkruar.
Ajo ka nënvizuar rëndësinë e promovimit të autorëve dhe talenteve të reja, duke thënë se vetëm kështu krijojmë një shoqëri që lexon, mendon, krijon dhe reflekton.
“Sa herë që promovojmë një autor të ri, ne jo vetëm ngrejmë në piedestal krijimtarinë e një të riu, por dërgojmë edhe një mesazh të fortë: Të rinjtë tanë kanë zë – dhe ky zë meriton të dëgjohet”, ka theksuar Rama.
Për librin kanë folur redaktorja Luljeta Avdiu – Cura dhe mësuesja e parë e Kejseldës në Elbasan, Totila Nurka.
“Në tërësi, ‘Loti i hënës’ është një libër që pasqyron botën e pasur të ndjenjave të një vajze të re, e cila di të shohë me sy të pastër, të ndiejë me zemër të ndjeshme dhe të shprehë fjalë të sinqerta. Poezitë e tij janë një ndërthurje e dashurisë, kujtimeve, reflektimeve dhe shpresës duke dhuruar te lexuesi një përvojë të ngrohtë dhe të paharrueshme”, ka thënë Avdiu – Cura, duke shtuar se ky libër është një dëshmi se krijimtaria e mirëfilltë nuk njeh moshë, por shpirt.
Duke kujtuar fillimet e Kejseldës në klasën e parë, mësuesja Totila Nurka ka treguar se në ditën e parë të shkollës ajo kishte ardhur me një kurorë në kokë, si një princeshë e vogël.
“Ajo kurorë në sytë e mi nuk ishte vetëm një zbulim fëmijënor. Ishte një shenjë e ëndrrave dhe e imagjinatës që ajo bartte brenda vetes së saj… Sot, ajo princeshë e vogël ka zgjedhur të mbajë një tjetër kurorë – kurorën e fjalës poetike. Në vend të luleve në flokë, sot ajo mban fjalët që lulëzojnë nëpër vargje, mendime dhe ndjenja pa fund”, ka thënë ajo.
Ndërsa vetë autorja e re nuk i ka fshehur emocionet, duke e cilësuar përurimin si një ditë shumë të rëndësishme për të, një ditë ku sheh të kthehet në realitet një ëndërr e saj.
“Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje poezish. Është një copëz shpirti, një rrugëtim, një zë që nuk mund ta flisja me të tjerët. Por vetëm zemra ime e dinte se çfarë mbante dhe vetëm një ditë kur thashë: do marr një letër, një pendë të artë dhe të shkruaj këtë libër. Ky libër është një dritë që më ka mësuar se si të largohem nga errësira”, ka thënë Mekshi, duke treguar se frymëzimi i ka ardhur nga shumë njerëz, nga ndjenjat, nga përvojat e përditshme të jetës së saj.
Vargje nga përmbledhja me poezi “Loti i hënës” ka lexuar Unejsa Muçaj, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore “Marshall Tito”, përndryshe shoqe e autores, nën shoqërimin me kitarë të nxënësit të Shkollës së Muzikës Ulqin, Pjetër Mirdita.
Kejselda Mekshi është një autore e re që premton. Ajo ka fituar disa çmime në konkurset letrare për fëmijë (nxënës).
Përurimi i librit është organizuar nga Biblioteka e Qytetit, përkatësisht Qendra e Kulturës – Ulqin.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat