Të mërkurën që lamë, koleksionistja e mirënjohur nga Malësia, Shaqe Dushaj, para nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollës fillore në Dacaj të Rozhajës ka prezantuar pasurinë kombëtare – xhubletën, si dhe ka demonstruar veshjen e saj, këtë veshje tipike e unike të malësoreve.
Ajo ka thënë se xhubleta është veshje tipike e grave dhe vajzave malësore në Shqipëri, pra në Malësinë e Madhe, Dukagjin, Rugovë dhe trevat shqiptare veriore.
“Kjo pasuri kombëtare që prej vitit 2022 është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s për mbrojtje. Dihet se xhubleta ka hyrë në këtë listë duke përfshirë dhe artizanatin për përgatitjen e saj dhe sot këtu para jush do të demonstroj mënyrën e veshjes dhe përdorimin e saj”, ka thënë Dushaj.
Ajo shpjegoi se kohë më parë xhubleta ka qenë veshje e nuseve, grave e vajzave në përditshmëri e që tregonte edhe statusin shoqëror dhe ekonomik të asaj që e mbante xhubletën, një dëshmi e trashëgimisë shekullore ndër shqiptarët e Malësive të Veriut.
Koleksionistja e xhubletës në vazhdim shpjegoi se ç’është në fakt xhubleta.
Ajo duke e ekspozuar dhe veshur njërën nga mësueset e reja të shkollës, tha se xhubleta është një fund në trajtë këmbane, e valëzuar përfundi e veçanërisht në pjesën e prapme. Kjo veshje përbëhet nga shumë elemente e që janë një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku e spikësh, të punuar mjeshtërisht me dorë, të vëna horizontalisht dhe të ndërthurura me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.
Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat.
Ajo pastaj duke i prezantuar para nxënësve dhe mësimdhënësve pjesët tjera të këtij kostumi me traditë shumëshekullore, i shpjegoi ato relike të artit popullor një nga një, duke veçuar disa nga to me interes që e kompletojnë një kostum, siç është xhubleta jonë: kraholina, kërdhokla, xhoka, paraniku, shputat, kallmat etj.
Si kostum i lashtë shqiptar, Xhubleta i ka rrënjët e lashta e ndoshta ndër më të lashtat në Ballkan. Prejardhja e saj lidhet më rrënjet ilire. Vetë struktura e saj, elementet dekorative paraqesin ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë p.e.s dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.
Xhubleta e Malësisë së Madhe pa dyshim është trashëgimi e qartë e kulturës sonë ilire, ku nëpërmjet saj paraqitet historia e lashtë e kombit tonë e që malësorët tanë e përcollën brez pas brezi dhe arritën ta ruajnë identitetin e kombit shqiptar, pikërisht nëpërmjet motiveve, ku emblema më e dukshme për të gjitha është shqiponja. Një xhubletë të tillë, të pasur me simbole ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin në zot, figura mitike që simbolizojnë dashurinë dhe begatojnë bukurinë e femrës malësore, i gjejmë vetëm te xhubleta edhe sot.
Prezantimin e xhubletës në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, znj. Dushaj ia ka mundësuar Komuna e Tuzit.
Ali Daci
