Grupi i Burrave “Burimi” nga Ulqini është prezantuar denjësisht të edicionin e 14-të të Festivalit të Këngës Qytetare “Teuta”, i cili është mbajtur të shtunën (27 shtator 2025) në Tetovë, i organizuar nga Qendra e Kulturës së këtij qyteti.
Ai është mirëpritur nga publiku në sallën e Qendrës së Kulturës në Tetovë, i cili ka duartrokitur gjatë kohës së interpretimit dhe pas përfundimit të çdo kënge.
Ky grup është paraqitur me këngët: “Vijnë vaporat”, “Moj vashë syt’ e zez m’i ke”, “Mori lulja e pranverës”, “Prej kodrine na erdh’ haberi”, “M’ka shku mendja me-u feju” dhe “Shegë e amël, shegë e butë”.
Kjo është hera e parë që një grup nga Ulqini dhe nga shqiptarët në Malin e Zi merr pjesë në këtë festival.
Udhëheqësi artistik i Grupit të Burrave “Burimi”, Mustafë Zhugjeli, ka thënë se prezantimi i këngëve tona në një vend tjetër është nder për këtë grup, sidomos në Tetovë, në këtë qytet me traditë të këngës qytetare.
“Ky festival i këngës qytetare iu ofroi pjesëmarrësve një kënaqësi të veçantë për t’i prezantuar këngët e veta si dhe melosin e vet me instrumente tipike të vendit. Mikpritja dhe organizimi kishte një ngrohtësi saqë pjesëmarrësit e ndienin veten si në shtëpi të vet. Secila këngë e interpretuar dhe kënduar nga ‘Burimi’ tërë kohën u shoqërua me duartrokitje nga publiku. Pra, ishte privilegj dhe nder të paraqesim këngët tona. Organizatorët ishin në nivelin e duhur profesional”, rrëfen ai përshtypjet e tij.
Grupet pjesëmarrëse
Përpos Grupit të Burrave “Burimi”, në edicionin e 14-të të Festivalit “Teuta” kanë marrë grupe muzikore dhe ansamble të njohura nga të gjitha trojet shqiptare, si Kori i Grave “Teuta” nga Tetova si nikoqir, SHKA “Presheva” nga Presheva, Kori i Grave “Nexhmije Pagarusha” nga Prishtina, Okteti “Ilirikum” nga Tetova, Ansambli “Isuf Myzyri” nga Elbasani dhe Grupi “Rilindja” nga Gjakova.
Sipas udhëheqësit artistik të Grupit të Burrave “Burimi”, Mustafë Zhugjeli, të gjitha grupet që morën pjesë në këtë festival dukeshin si një familje e madhe, duke i dhënë Festivalit “Teuta” një pasuri të veçantë profesionale.
Festivali i Këngës Qytetare “Teuta” është hapur nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Në fjalën e tij, ai ka theksuar rëndësinë e artit dhe kulturës si “shpirti i kombit”, duke shtuar se pa to shoqëria nuk mund të zhvillohet plotësisht.
“Ky festival, përveçse mban emrin e mbretëreshës Teuta – mbrojtëse e kulturës dhe identitetit kombëtar, ruan edhe simbolikën e saj. Një popull që harron këngët e tij, harron edhe veten”, u shpreh Gashi.
Historiku i Festivalit “Teuta”
Festivali i Këngës Qytetare “Teuta” nisi në vitin 2007, si organizim i Qendrës së Kulturës së Tetovës, me nismën e Korit të Grave “Teuta”, i themeluar në vitin 2005 nga vullneti dhe dëshira e disa grave entuziaste të qytetit të Tetovës, të cilat kohë më parë ishin të angazhuara nëpër shoqata të ndryshme artistike. Emërtimi i Festivalit “Teuta”, i njëjtë me Korin e Grave, duke i dhënë emrin e mbretëreshës “Teuta” u bë me qëllim si simbol i qëndresës së femrës. Ideja ishte që në këtë festival të marrin pjesë grupe muzikore nga të gjitha qytetet shqiptare.
Edicioni i sivjetshëm i Festivalit “Teuta” kishte një rëndësi të veçantë, pasi përkoi me 20-vjetorin e themelimit të Korit të Grave “Teuta”, i cili ka ruajtur me pasion dhe përkushtim traditën muzikore qytetare.
Ky festival tradicional, i cili ndër vite ka ruajtur dhe promovuar magjinë e këngës së vjetër qytetare, konsiderohet një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Tetovës dhe më gjerë.
i. k.
