Një udhëtim nëpër kujtime

“Me këtë ekspozitë fotografish dhe regjistrimin e dëgjimit me kujdes të rrëfimit të pëshpëritur të anijes së saj, Lisa regjistron historinë e saj dhe pret një aventurë të re së bashku, një udhëtim të ri, dhe në fakt i bën një homazh të madh fëmijërisë së saj dhe gjyshit të saj të dashur”, ka thënë shkrimtari Muzafer Çaushi

Në Kullën e Balshajve, pjesë e kompleksit të Muzeut në Kalanë e Ulqinit, të premten mbrëma (19 shtator 2025) është hapur ekspozita fotografike e Lisa Nimanbegut.
Duke bërë prezantimin e ekspozitës, udhëheqësja e programit, gazetarja Eljana Hasanaga – Peku ka thënë se para nesh shpaloset “Adria 790”, një udhëtim nëpër kujtime, një rrëfim vizual nga fëmijëria e Lisës e deri te ky moment, i gërshetuar me fotografi dhe kujtime të ngrohta rreth varkës familjare.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një koleksion fotosh, por një ditar i shpirtit të saj, një ftesë për të hyrë në botën ku arti dhe jeta rrjedhin bashkë”, ka thënë ajo.
Shkrimtari Muzafer Çaushi ka thënë se pas pikturave të saj, Lisa na prezantohet me fotografi po aq të vlefshme të anijes së fëmijërisë së saj, dhe një shënim shumë domethënës që mbajti duke regjistruar pëshpëritjen e saj, rrëfimin e Dulcineas së saj.
“Me këtë ekspozitë fotografish dhe regjistrimin e dëgjimit me kujdes të rrëfimit të pëshpëritur të anijes së saj, Lisa regjistron historinë e saj dhe pret një aventurë të re së bashku, një udhëtim të ri, dhe në fakt i bën një homazh të madh fëmijërisë së saj dhe gjyshit të saj të dashur”, ka theksuar ai në vështrimin e tij për ekspozitën.
Çaushi ka thënë se ajo e bën këtë me shumë sukses, duke eksperimentuar në format dhe mënyrat tjera të të shprehurit artistik, kësaj radhe përmes fotografisë artistike, por edhe fjalës së shkruar.
“Dhe kur Adria 790 e saj është në lentet e saj, atëherë edhe dashuria rrezaton. Ajo ndien, sheh qartë, se kjo anije, sot përkohësisht në tokë nën një mushama, është lidhja që e lidh në mënyrë të pazgjidhshme me fëmijërinë. Fëmijërinë e lumtur të të gjithë atyre që patën privilegjin të lindnin këtu dhe të hidhnin hapat e tyre të parë mbi kalldrëmin e lëmuar të Qytetit të Vjetër. Lisa, me këmbën e saj të vogël, shkeli në gjurmët e Dulcineas së madhe, e cila është në heshtje, e fshehur nga errësira”, ka thënë ai.
Për detarin dhe banorin e Kalasë së Ulqinit, Beqo Idrizaga, ekspozita e fotografive të Lisa Nimanbegut vërteton se fëmijët e Kalasë janë të veçantë.
“Pa marrë parasysh a është vajzë a djalë, a bëhet doktor a profesor, gjithmonë në kujtesën e saj ka ato pjesët e fëmijërisë që i përmend ajo kur ka gjuajtur me grepa, anijet, detin… Kjo dëshmon që fëmijët e Kalasë në gjenet e tyre kanë detin”, ka thënë ai.
Në fjalën e saj, autorja e ekspozitës Lisa Nimanbegu ka falënderuar publikun që ka ndarë kohën për t’u ngjitur në Kalanë e vjetër për të parë një ekspozitë, siç ka thënë ajo, “pak më të çuditshme për ne, sepse nuk kemi dëgjuar deri tani që ekspozita është një revistë, janë tregime por nuk është libër”.
Programi i hapjes së ekspozitës ka përfunduar me tingujt e muzikës së violinistit Ardit Lika, mësimdhënës në Shkollën e Muzikës në Ulqin.
Përpos fotografive të paraqitura në ekspozitë, të pranishmit kanë pasur mundësi të pajisen me një katalog me fotografi dhe tekst në formë reviste të autores Lisa Nimanbegu, ku ajo përshkruan fëmijërinë e saj, historinë familjare dhe lidhjen e saj me anijet.
Lisa Nimanbegu ka lindur në Podgoricë në vitin 2003. Ka përfunduar shkollën e mesme të artit “Petar Lubarda” në Cetinë dhe studimet baçelor në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Rijekë, ndërkohë që aktualisht po në këtë Akademi ndjek studimet master. Në vitin 2023 ka hapur ekspozitën e saj të parë personale me piktura, të titulluar “O ti det”. Ajo është po ashtu pjesëmarrëse në disa ekspozita kolektive.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat