Rozhajë – Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” dhe Shoqata “Kosova për Sanxhakun” kanë organizuar të dielën (21 shtator 2025) në Rozhajë sesionin shkencor, temë bosht i të cilit ishte “Lufta e Dytë Botërore (1939-1045)”.
Në këtë sesion shkencor, të 21-të me radhë që organizon Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” e në bashkëpunim me Shoqatën “Kosova për Sanxhakun”, me kumtesat e tyre janë paraqitur 31 studiues nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe mërgata.
Në fjalën e hapjes, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”, Mr. Nue Oroshi ka thënë se sot është një ditë e madhe për përtëritjen e kujtesës sonë historike.
“Është ditë e madhe, sepse jemi studiues nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe mërgata e madhe atdhetare, ku përmes argumentit shkencor të themi të vërtetën e hidhur historike që na ndodhi gjatë historisë sonë, aq të vështirë por edhe qëndrestare”, ka theksuar ai.
Oroshi ka nënvizuar rëndësinë e mbajtjes së këtij sesioni shkencor në Rozhajë, për vetë faktin se jo larg këtij qyteti, gjatë Luftës së Dytë Botërore ka ndodhur masakra e tmerrshme e Bihorit, kurse pak më larg, në Tivar – Masakra e Tivarit.
Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Mr. Ismet Azizi, në fjalën e tij përshëndetëse ka thënë se ky sesion ka vlerë të madhe, pikërisht për faktin se po mbahet në Rozhajën e qëndresës dhe në Sanxhak.
Ai përmendi po ashtu luftërat që janë zhvilluar në këtë zonë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe heroizmin e shqiptarëve për t’i mbrojtur këto troje.
Azizi kujtoi masakrën e Bihorit dhe luftën heroike të shqiptarëve për të mbrojtur Pazarin e Ri nga hordhitë çetnike. Po ashtu ai theksoi rolin e Aqif Blytës e Ahmet Dacit në mbrojtjen e Pazarit dhe më pastaj kujtoi pushkatimin e tyre nga udhëheqja komuniste e asaj kohe.
Temat e shtjelluara në këtë sesion ishin kryesisht tema historike që përfshinin periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe betejat që janë zhvilluar në territorin e Sanxhakut dhe më gjerë, përfshirë edhe Masakrën e Bihorit dhe atë të Tivarit.
Prof. Dr. Ilijaz Rexha është paraqitur me një temë historike – “Vendbanimet në trevën e Tregovishtës sipas Defterit të Sanxhakut të Prizrenit 1535”, e cila zgjoi një interesim të madh ndër të pranishmit.
Po kështu, Prof. Dr. Jusuf Osmani foli për “Tapitë e pronave në Kazanë e Tregovishtës (Rozhajës) në vitet 1847-1912”.
Temë shumë argumentuese pati Dr. Qerim Lita nga Shkupi, i cili shpalosi dokumentet e kohës mbi “Nënprefekturën e Rozhajës gjatë Luftës së Dytë Botërore”, një temë me mjaft interes për Rozhajën dhe popullin e saj.
Studiuesja e njohur Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha në punimin e saj shkencor foli për kontributin atdhetar të kolosit të Sanxhakut, Aqif Blytës, i cili së bashku më Prefektin e Pazarit të Ri, Ahmet Dacin, është pushkatuar nga sistemi komunist në vitin 1945.
Një trajtesë historike shumë domethënëse pati edhe Dr. Fitim Veliu, i cili foli për Masakrën e Tivarit dhe të mbijetuarin e kësaj masakre, Azem Hajdinin – Xanin.
Studiuesi nga Shqipëria, Gjet Ndoj, foli për kushtet historike të ripërtëritjes së frymës shqiptare në Sanxhak gjatë LDB-së (1939-1944).
Doktori i shkencave të historisë, Jeton Idrizi, në trajtesën e tij foli për masakrën e pushtuesve bullgarë ndaj popullsisë shqiptare në rrethin e Gjilanit dhe mbi masakrën e Bihorit, kurse Mr. Ramadan Mehmeti kumtoi mbi shkollat shqipe në Prefekturën e Pejës gjatë viteve 1941-1944. Emrie Krosi foli mbi rolin dhe veprimtarinë atdhetare të heroinës Marie Shllaku.
Studiuesi i historisë Fazli Muriqi, në trajtesën e tij ceku rolin dhe qëndresën e nacionalistëve rugovas për bashkimin kombëtar të trojeve etnike, të prirë nga bajraktari i Rugovës, Sak Fazlija. Me kumtesa mjaft interesante u paraqitën edhe dhjetëra studiues të tjerë nga mbarë hapësira gjeografike shqiptare dhe mërgata.
Punimet e këtij sesioni shkencor do të botohen në një botim të veçantë nga shoqatat që e organizuan sesionin shkencor.
Ali Daci
