Ulqini këtë fundjavë u bë epiqendra e kulturës dhe artit rajonal, duke pritur një sërë performancash dhe ekspozitash nën moton “Inter-Etno Fest”, i cili u zhvillua më 13 dhe 14 gusht në Pazarin e Vjetër të Artizanëve. Aktiviteti, i organizuar nga Shoqata e Artizanëve “Globus Art”, solli një atmosferë të gjallë dhe plot ngjyra, ku muzika, arti dhe kultura u bashkuan për të krijuar një mozaik unik kulturor.
Festivali u hap me tingujt e violinës së Herta Toskës, e cila u cilësua nga të pranishmit si një nga performancat më të mrekullueshme të mbrëmjes. Ajo u shoqërua nga violinistja Edlira Shkurti, duke sjellë një duet që la pa fjalë publikun.
“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të performoj në Ulqin, në këtë ambient kaq të veçantë dhe për një publik kaq të ngrohtë. Jam shumë e lumtur që vij për herë të dytë në Ulqin. Këtu ndihem gjithmonë e mirëpritur, sepse mikpritja e njerëzve dhe atmosfera e qytetit janë të jashtëzakonshme. Veçanërisht Pazari i Artizanëve më duket magjepsës, sepse këtu ndihen ngjyrat, shijet dhe traditat vendase”, u shpreh Herta Toska pas koncertit.
Ramiz Hajdari, kryetar i Shoqatës “Globus Art”, njëherazi edhe organizator i këtij manifestimi, u shpreh se pas një angazhimi dhe përkushtimi të gjatë, “Inter-Etno Festivali” në Ulqin arriti të ketë pjesëmarrje edhe më të madhe të mysafirëve, duke u bërë një aktivitet i cili dallon nga të tjerët.
“Puna e palodhshme dhe entuziazmi i pjesëmarrësve na bëjnë krenarë, sepse përmes këtij organizimi jo vetëm që afirmojmë artizanatin dhe trashëgiminë kulturore, por edhe i japim një frymë të re jetës kulturore dhe shoqërore të qytetit tonë, e në veçanti Pazarit të Artizanëve. Gjatë këtyre dy netëve pati një atmosferë të jashtëzakonshme, ku mes të tjerëve performoi edhe violinistja dhe solistja e njohur Herta Toska, e cila me artin e saj solli emocion dhe mrekulli, duke bërë që shumë vizitorë të ndalen e të shijojnë këtë përvojë unike. Kjo më jep forcë dhe më bën të kuptoj se jam në rrugën e duhur, duke e kthyer Ulqinin në një qendër të aktiviteteve kulturore dhe artistike”, theksoi ai.
Hajdari paralajmëroi aktivitete të ngjashme edhe gjatë muajit tetor.
“Ky festival si dhe aktivitetet e tjera që organizojmë, pasurojnë jetën kulturore dhe shoqërore të qytetit, prandaj është jetike dhe e domosdoshme vazhdimësia e tyre. Unë, personalisht, do të angazhohem maksimalisht që këto aktivitete të mos ndalen, por të zhvillohen edhe më shumë në të ardhmen”, përfundoi ai.
Një tjetër moment i veçantë ishte interpretimi i këngëtares 12-vjeçare nga Kërçova, Isra Elmazi, e cila ka fituar një sërë festivalesh në rajon. Me zërin e saj të fuqishëm dhe interpretimin e ndjerë, ajo arriti të rrëmbejë zemrat e publikut.
Publiku pati rastin të shijojë edhe performancën e këngëtares Blenda Habipi, e cila solli një energji të veçantë në skenë, si dhe interpretimet e “Esspresivo Band” nga Ulqini, që ndezën atmosferën me ritmet e tyre moderne. Një vend të rëndësishëm në program zuri edhe kori shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim”, i cili tregoi talentin e të rinjve ulqinakë.
Përveç muzikës, ekspozita të ndryshme të artizanëve vendas zbukuruan hapësirat e Pazarin të Vjetër, duke i dhënë festivalit një dimension më të gjerë kulturor. Vizitorët patën mundësi të njihen me punimet e dorës, artin tradicional dhe krijimet moderne të mjeshtërve lokalë.
D. Teliqi
