Nga data 8 deri më 13 shtator 2025, Kalaja e lashtë e Ulqinit, një monument i gjallë i historisë dhe kulturës, u shndërrua në një qendër të madhe arti, ku u bashkuan ngjyrat, format, stilet dhe kulturat nga mbarë bota. Në rrugicat e gurta, pranë mureve shekullore dhe në hijen e Detit Adriatik, Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit (Art Symposium 2025) solli gjallëri, kreativitet dhe frymë bashkëpunimi ndërkombëtar.
Ngjarja u organizua nga Komuna e Ulqinit, Ministria e Medias dhe Kulturës, Organizata Turistike e Ulqinit, Qendra për Kulturë e Ulqinit, OJQ “Art Dulcinium” dhe D. Fleiss East West Artists, nën koordinimin e palodhur të Vahida Nimanbegut dhe Mersiha Resulbegoviq – Mavriqit.
Në këtë edicion të dytë morën pjesë artistë nga mbi 20 shtete të botës: Polonia, Sllovenia, Belgjika, Hungaria, Gjermania, Gjeorgjia, Egjipti, Jordania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Turqia, Kroacia, Serbia, Katari, Maroku, Spanja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi etj. Ata sollën me vete një mozaik kulturash dhe stilesh të ndryshme – nga piktura moderne e deri tek artet tradicionale.
Hapësirat e Kalasë, një simbol i trashëgimisë së Ulqinit, u mbushën çdo ditë me zërat e artistëve, fëmijëve, vizitorëve dhe banorëve të qytetit, të cilët kishin mundësinë të shihnin nga afër procesin krijues. Dritaret e hotelit “Pallati Venezia” shikonin mbi detin e kaltër, duke u bërë sfond i përkryer për këtë udhëtim artistik që kapërceu kufijtë.
Përgjatë pesë ditëve, u mbajtën ekspozita, prezantime publike, punëtori krijuese me nxënësit e shkollave të Ulqinit dhe ditë të hapura për publikun, ku vizitorët mund të shihnin në kohë reale lindjen e veprave artistike. Ishte një dialog i hapur mes publikut dhe artit, ku artistët jo vetëm prezantuan punën e tyre, por edhe ndanë përvojat, frymëzimin dhe historitë personale.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në Kullën e Balshajve (Muzeun e Ulqinit), kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti kulturor për qytetin.
“Ulqini është një qytet që gjithmonë ka ditur të jetojë me artin dhe kulturën, duke i konsideruar ato si ura bashkimi mes njerëzve. Ky simpozium është një dëshmi se arti nuk njeh kufij dhe se Ulqini mbetet një vend mikpritës ku kulturat e ndryshme bashkohen në harmoni. Në emër të Komunës së Ulqinit, përshëndes të gjithë artistët pjesëmarrës dhe uroj që kjo përvojë të mbetet një kujtim i paharruar për secilin prej jush”, ka thënë ai.
Partnerët ndërkombëtarë dhe mesazhet e tyre
Organizata D. Fleiss & East West Artists Worldwide, një nga bashkorganizatorët kryesorë të simpoziumit, shprehu mirënjohjen e vet:
“Jemi të nderuar të jemi pjesë e këtij projekti të madh. Është frymëzuese të shohësh kaq shumë artistë të talentuar të mbledhur në Ulqin dhe jemi mirënjohës që mund të kontribuojmë në këtë shkëmbim të gjallë idesh dhe krijimtarish. Ky projekt bëhet edhe më i veçantë falë bashkëpunimit afatgjatë me miq të dashur dhe bashkëpunëtorë të hershëm”.
Po ashtu, DEWA e.V. Dresden – Gjermani, e cila mbështeti dhe bashkëdizajnoi ngjarjen, nënvizoi rolin e saj të rëndësishëm:
“Jemi krenarë që mbështesim dhe marrim pjesë në këtë festë ndërkombëtare të artit dhe lidhjes mes kulturave. Është frymëzuese të shohësh kaq shumë artistë të talentuar së bashku në Ulqin. Ky bashkëpunim me miq të vjetër e bën projektin edhe më kuptimplotë.”
Përvoja e artistëve pjesëmarrës në përfundim të simpoziumit
Shumë prej artistëve ndanë emocionet e tyre për këtë përvojë të veçantë.
“Kalova një javë të mrekullueshme në Mal të Zi, në Ulqin, ku u ftova të marr pjesë mes 33 artistëve nga 24 vende të botës, në këtë simpozium të jashtëzakonshëm. Njoha njerëz të mrekullueshëm, fitova miqësi të reja, pashë vende të jashtëzakonshme dhe zbulova një vend të bukur. Faleminderit Vahida Nimanbegu, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Dorotea Fleiss dhe të gjithë pjesëmarrësve në këtë projekt të shkëlqyer!”, ka thënë një prej artisteve pjesëmarrëse.
Ndërkohë, artistja shqiptare Eris Bushati e përshkroi këtë përvojë me mirënjohje.
“Falënderime të veçanta shkojnë për këtë organizim të kolonisë ndërkombëtare të artistëve ‘Ulqin 2025’ dhe për Vahida Hasanaga – Nimanbegun e Mersiha Resulbegoviq – Mavriqin, për këto ditë plot art, gëzim, kulturë, histori dhe kujtime”, ka shkruar ajo.
Ulqini – një urë kulturore mes Lindjes dhe Perëndimit
Përveç krijimeve artistike, një moment kulmor ishin punëtoritë me fëmijët e shkollave të Ulqinit, të cilët patën rastin të punonin krah për krah me artistë ndërkombëtarë. Këto orë pune u shndërruan në një shkollë të vërtetë arti, ku fëmijët mësuan se arti është një gjuhë universale që i lidhë njerëzit përtej gjuhëve e kufijve.
Me përfundimin e këtij simpoziumi, Ulqini u konfirmua edhe një herë si një qendër e rëndësishme kulturore dhe artistike e rajonit, një vend ku arti nuk është thjesht pasion individual, por një urë bashkëpunimi dhe dialogu ndërkombëtar.
Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit në Ulqin nuk ishte vetëm një ngjarje, por një përvojë e paharruar që i dha qytetit shpirtin e një kryeqyteti të artit botëror.
D. Teliqi
