U shfaq premiera e filmit “Lejleku”

Filmi sjell dramën e brezave - rininë që e ka mendjen të emigrojë, prindërit që mbeten të vetmuar në vendlindje, marrëdhëniet që shihen vetëm përmes ekranit e kamerës, si dhe tragjedinë e të moshuarve që shuajnë jetën me mallin e fëmijëve të tyre në Amerikë e gjetiu

Plavë – Në sheshin e qytetit të Plavës, të shtunën mbrëma, më 13 shtator 2025, në praninë e një numri të konsiderueshëm artdashësish nga Plava e Gucia me rrethinë, në organizim dhe mbështetje të Organizatës Turistike të Plavës, u shfaq premiera e filmit “Lejleku” në regji të regjisorit kosovar Isa Qosja, i lindur në Vuthaj të Gucisë.
I tërë filmi në fjalë është xhiruar në fshatin Vuthaj, në vendlindjen e regjisorit Qosja, në realizimin e të cilit përveç aktorëve profesionistë kanë marrë pjesë edhe shumë persona nga Vuthajt e Martinajt. Filmi është shfaqur premierë në shumë festivale në shtete evropiane, në të cilat është shpërblyer me çmime dhe vlerësime të shumta për temën dhe mënyrën e ndjeshme përmes të cilave regjisori Qosja ka paraqitur një realitet të hidhur që prek jo vetëm vuthjanët, por edhe mbarë trojet etnike shqiptare.
Filmi sjell dramën e brezave – rininë që e ka mendjen të emigrojë, prindërit që mbeten të vetmuar në vendlindje, marrëdhëniet që shihen vetëm përmes ekranit e kamerës, si dhe tragjedinë e të moshuarve që shuajnë jetën me mallin e fëmijëve të tyre në Amerikë e gjetiu.
Rikujtojmë se para pak ditësh, shfaqja e premierës së këtij filmi në Festivalin e Filmit “Xhada” në Podgoricë u ndërpre pas kundërshtimeve të disa huliganëve vetëm pse filmi ishte në gjuhën shqipe.
Pas reagimeve të shumta të personaliteteve shtetërore e ndërkombëtare, madje edhe të vetë Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, filmi u rishfaq tri ditë më vonë nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave shtetërore të sigurisë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat