Një udhëtim artistik që lidh kulturat dhe promovon qytetin

Artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia, për tri ditë punuan, frymëzuan dhe krijuan vepra që pasqyrojnë bukuritë natyrore, shpirtin historik dhe shumëllojshmërinë kulturore të Ulqinit

Me ekspozitën e mbajtur të shtunën në mbrëmje (6 shtator 2025), u përmbyll edicioni i tetë i kolonisë ndërkombëtare të piktorëve “Ulqini në Telajo”, një manifestim tashmë i kthyer në traditë kulturore që i ka dhënë jetë qytetit bregdetar dhe ka mbledhur rreth vetes mbi 60 artistë nga i gjithë rajoni.
Artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia, për tri ditë punuan, frymëzuan dhe krijuan vepra që pasqyrojnë bukuritë natyrore, shpirtin historik dhe shumëllojshmërinë kulturore të Ulqinit.
Kolonia “Ulqini në Telajo” nuk është vetëm një ngjarje artistike, por një urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes kombeve dhe kulturave të ndryshme.
Artistët ishin të vendosur në ambientet e ndryshme të qytetit të vjetër dhe veprat e krijuara nga kjo përvojë janë një mozaik ngjyrash, ndjesish dhe interpretimesh, ku çdo telajo sjell një histori të re – qoftë një rrugicë me kalldrëm, një dritare me perde të bardhë, apo një çast të kapur në plazhet e gjata të Ulqinit.

Fjalë përshëndetëse dhe mirënjohjeje për artistët
Në hapjen e ekspozitës përmbyllëse, e cila u mbajt në Sheshin e Suvenirëve, pjesëmarrësit u përshëndetën nga organizatorët.
Irena Toçi, drejtoreshë e Institutit për Promocionin e Librit nga Tirana, në fjalën e saj theksoi rëndësinë që ka arti si një gjuhë universale, e cila i kapërcen kufijtë, dallimet dhe përkatësitë, duke ndërtuar ura mes njerëzve dhe kombeve.
“Kolonia ‘Ulqini në Telajo’ është një dëshmi e gjallë e fuqisë së butë të kulturës – një fuqi që na mëson të dëgjojmë, të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi përtej kufijve etnikë apo politikë. Arti flet në një gjuhë që nuk ka nevojë për përkthim – ai shkon drejt e në shpirt”, u shpreh ajo.
Në vazhdim, Toçi falënderoi bashkorganizatorët për përkushtimin dhe vizionin që kanë shfaqur ndër vite për ta kthyer këtë ngjarje në një pikë referimi për artin bashkëkohor në rajon.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiqi theksoi ndikimin e madh që ka pasur kolonia “Ulqini në Telajo” në promovimin kulturor dhe turistik të qytetit.
Ai vlerësoi veçanërisht bashkëjetesën harmonike mes artit dhe turizmit, duke e cilësuar këtë ngjarje si një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkulturor.
Drejtori i Organizatës Turistike shtoi se bukuritë e Ulqinit e bëjnë punën e artistëve edhe më të frytshme, pasi qyteti ofron një larmi peizazhesh dhe ngjyrash që frymëzojnë krijimtarinë.
“Ulqini është i bukur në çdo stinë. Besoj se për artistët, krijimi i mbi 100 punimeve gjatë këtyre ditëve ka qenë jo vetëm i mundur, por edhe i lehtë, falë energjisë që të jep ky qytet. Çdo cep i tij është një kompozim i natyrshëm, një burim i pashtershëm frymëzimi”, theksoi Hoxhiqi.
Gzim Hajdinaga, drejtor i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e vazhdimësisë së kolonisë “Ulqini në Telajo”, duke e cilësuar si një ngjarje që i jep jetë kulturës, ndërthur natyrën me artin dhe ndërton ura komunikimi mes qyteteve dhe shteteve.
“Mirë se keni ardhur për të tetin vit me radhë në Ulqin – qytetin e kulturës, qytetin e vjetër ilir, ku historia dhe tradita bashkëjetojnë në mënyrë të jashtëzakonshme me të tashmen. Nuk ka motiv më të mirë dhe më të bukur për ju artistët sesa kjo dhuratë që natyra i ka falë Ulqinit – dritën e veçantë, ngjyrat, detin, kalldrëmin, qiellin e hapur dhe atmosferën plot frymëzim. Kur natyra e mrekullueshme e Ulqinit takohet me penelin dhe shpirtin e një artisti, lind diçka unike. Kjo koloni është shembulli më i mirë i këtij bashkëpunimi mes ambientit dhe frymëzimit krijues. Kjo është arsyeja pse çdo vit, ‘Ulqini në Telajo’ sjell vepra gjithnjë e më të bukura dhe të veçanta”, ka thënë ai, duke shtuar se kolonia e piktorëve nuk është vetëm një aktivitet kulturor, por një formë e sofistikuar promovimi për qytetin dhe një pasurim i ofertës turistike të tij.
Ndërkohë, Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, theksoi rëndësinë që kanë manifestime të tilla artistike në ndërtimin e dialogut ndërkulturor dhe në promovimin e bashkëjetesës.
“Ministria që përfaqësoj, ashtu si edhe Qeveria e Malit të Zi, do të mbështesë gjithmonë aktivitete të tilla që kontribuojnë në zhvillimin kulturor dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Arti është një formë e fuqishme komunikimi që i tejkalon barrierat dhe i afron njerëzit. Jemi krenarë që një iniciativë si kolonia ‘Ulqini në Telajo’ është bërë tashmë pjesë e kalendarit tonë kulturor dhe një pikë e rëndësishme referimi për bashkëjetesën dhe dialogun ndërkulturor në rajon”, ka thënë ai.
Në emër të artistëve ulqinakë, piktori Agron Ujkashi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe mysafirët nga rajoni, duke shprehur kënaqësinë e tij për faktin se Ulqini po kthehet gjithnjë e më shumë në një qendër të rëndësishme të takimeve krijuese dhe artistike në rajon.
“Si artist nga Ulqini, ishte një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë koloni, por edhe të shoqërohem me emra të njohur të artit nga vendet e rajonit tonë. Këtu kemi pasur mundësinë të bashkëpunojmë, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të ndajmë përvoja të çmuara që pasurojnë rrugëtimin tonë krijues. Në këtë koloni marrin pjesë artistë të shquar, secili me stilin dhe individualitetin e vet, duke sjellë një kolorit të pasur artistik që reflekton jo vetëm nivelin e tyre profesional, por edhe shumëllojshmërinë kulturore të rajonit tonë. Është kënaqësi të jesh pjesë e një ambienti të tillë krijues. Punuam për tri ditë me shumë përkushtim, frymëzuar nga bukuritë e Ulqinit dhe atmosfera e veçantë që krijohet kur artistët vijnë së bashku. Jo vetëm që kemi krijuar vepra të reja, por edhe kemi kaluar shumë bukur – mes miqësie, frymëzimi dhe dashurie për artin”, u shpreh ai.

Një pasuri që mbetet në qytet
Vepra të përzgjedhura nga kolonia do t’i dhurohen Galerisë së Qytetit, si pjesë e një arkivi në rritje që dokumenton zhvillimin e kësaj ngjarjeje ndër vite. Çdo edicion lë pas një trashëgimi të vyer – një koleksion të veprave që i japin Ulqinit një identitet vizual bashkëkohor dhe e pozicionojnë atë në hartën e ngjarjeve të rëndësishme artistike të rajonit.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat