Qeveria financon këtë institucion me 500 mijë euro për vitin 2018

Podgoricë- Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të kremtimit të 10- vjetorit të Medresesë “Mehmed Fatih”, e cila është organizuar javën që shkoi në Qendrën Kulturore- Informative, “Budo Tomoviq” në Podgoricë. Lajmi është bërë i ditur nga Shërbimi i Marrëdhënieve me Publikun i Qeverisë së Malit të Zi.
Kreu i qeverisë ju ka thënë mësimdhënësve, të punësuarve, maturantëve dhe maturanteve të Medresesë “Mehmed Fatih”, se qeveria malazeze vite me radhë me përkushtim, projekton sistemin arsimor i cili do t’i mundësojë çdo nxënësi dhe studenti pajisjen me njohuri të domosdoshme për sukses në karrierën profesionale dhe se në Malin e Zi multikonfesional nuk ka përgatitje më të mirë për jetën sesa arsimimi i cili është garancia më e mirë e respektit ndaj të tjerëve.
“Arsimimi kualitativ është njëri ndër faktorët më të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës i avancimit të shoqërisë sonë demokratike dhe ekonomike. Qeveria vite më herët, me përkushtim projekton sistemin arsimor i cili do t’i mundësojë çdo nxënësi dhe studenti arritje të njohurive të domosdoshme për sukses në karrierë profesionale. Por, ne nuk përkushtohemi vetëm për afirmimin individual por dëshirojmë që njohuritë e të rinjve tonë, të jenë mbështetje e fortë për shoqërinë malazeze në kohën që kemi para nesh. Vetëdija e zhvilluar e karakterit multikonfesional të Malit të Zi paraqet përparësi për njohjen e kulturës, historisë dhe traditës. Nuk ka përgatitje më të mirë për jetën në një shoqëri të pasur, sesa arsimimi cilësor i cili është dhe garanci më e mirë i respektimit të tjerëve dhe që janë të ndryshëm nga ne në shoqërinë tonë”, ka thënë kreu i qeverisë, Dushko Markoviq, në ceremoninë e mbajtur në QKI “Budo Tomoviq” me rastin e 10- vjetorit të themelimit të Medresesë dhe të ndarjes së diplomave për 63 maturantë/e të diplomuar të kësaj medreseje.
Kryeministri ka thënë se ky institucion arsimor dëshmon se Mali i Zi është një shtet me një demokraci të ndërtuar me një sistem arsimor bashkëkohor.
“Kjo shkollë tashmë një dekadë të plotë e realizon misionin e saj edukativo- arsimor në përputhje me politikat dhe standardet bashkëkohore në fushën e arsimit. Programi i saj ka rëndësi dhe një program të vlefshëm të një gjimnazi të përgjithshëm në Mal të Zi, ndërsa diplomat e medresesë janë të vlefshme në sistemin tonë arsimor. Kjo medrese përfaqëson një arsimim të gjithanshëm për histori, filozofi, letërsi dhe art. Duke vlerësuar pikërisht këto fakte, qeveria e Malit të Zi para më pak se një muaji ka pranuar financimin e medresesë “Mehmed Fatih” me shumën prej gjysmë milioni euro për vitin 2018 dhe po kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, është shprehur ndër të tjera kryemiminstri Markoviq.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, nënkryetari i qeverisë së Malit të Zi Rafet Husoviq, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmet Zenka, ministri i Komunikacionit dhe Detarisë, Osman Nurkoviq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kenan Purishiq, ministri i Shëndetësisë, Kenan Hrapoviq, kryebashkiaku i Podgoricës, Sllavolub Stijepoviq, drejtori i Entit për Punësim Sulo Mustafiq, ambasadori i Turqisë në Mal të Zi Serhad Galip, ambasadori i Palestinës Rabii Alhantouliju, zv/ambasadori i SHBA-ve në Mal të Zi dhe avokati i Popullit, Shuqko Bakoviq. t. u.

Të fundit

më të lexuarat