Afati për kryerjen e punimeve – gusht 2028

Një tabelë e vendosur në kryqëzimin e rrugës që të çon nga Katërkolla drejt Krajës tregon për fillimin zyrtar të punimeve për rikonstruksionin e rrugës regjionale Katërkollë – Ostros, me gjatësi rreth 17 kilometra.
Punimet do të kryhen nga SHPK “Putevi” – Tivar, ndërsa mbikëqyrjen do ta bëjë ndërmarrja “Geo Spiin” nga Podgorica. Afati për kryerjen e punimeve është 26 muaj, gjegjësisht deri në gusht 2028.
Në korrik të vitit të kaluar, Drejtoria për Komunikacion, si investitore e këtij projekti, ka hapur tenderin për rikonstruksionin e kësaj rruge. Vlera e parashikuar e investimeve është 17 milionë euro dhe punimet pritet të realizohen në disa faza.
Ndërtimi i kësaj rruge, e cila sot është në gjendje të mjerueshme, është një kërkesë e kahmotshme e banorëve të Anës së Malit dhe Krajës si dhe e përfaqësuesve politikë shqiptarë. Rikonstruksioni i saj pritet të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e pjesës rurale të Anës së Malit, që përfshin disa fshatra, si Brajshën, Rashtishën, Kravarin etj., por sidomos për trevën e Krajës. Si pasojë edhe e mungesës së infrastrukturës rrugore, këto treva kanë përjetuar shpopullim të banorëve, të cilët kanë migruar kryesisht në Ulqin, Tivar dhe në diasporë.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat