Përgatitjet në fazën përfundimtare

Plavë/Guci – Fushata parazgjedhore për zgjedhjen e presidentit të Malit të Zi, të cilat do të mbahen më 15 prill të këtij viti në komunat Plavë e Guci, janë në fazën përfundimtare.
Komisioni zgjedhor pesë anëtarësh i Komunës së Plavës, në krye me zëvendëskryetarin Emir Shaboviq, gjatë fushatës parazgjedhore i ka bërë përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në fjalë të cilat janë në fazën përfundimtare. Me kohë ka vizituar të gjitha objektet në qendrat e votimeve, në të cilat do të mbahen zgjedhjet, si dhe ka emëruar këshillat zgjedhore pesë anëtarëshe, trajnimin dhe edukimin e të cilëve e kanë bërë para pak ditësh edukatorët eminent të dërguar në Plavë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Malit të Zi. Gjatë javës në të gjitha qendrate votimit do të bëhet distribuomi i regjistrave të votuesve, pajisjet (aparatet) elektronike për identifikimin e votuesve, si dhe materiali dhe inventari paraprak për zgjedhje. Votimet do të mbahen në lokalet e objekteve shkollore, në ato të shtëpive të kulturës, si dhe në shtëpitë private.
Në deklaratën për Koha Javore, zëvendëskryetari i këshillit zgjedhor komunal, Emir Shaboviq, njoftoi se zgjedhjet presidenciale në këtë komunë do të mbahen në 22 qendra votimi: katër në Plavë dhe 18 në vendbanimet rurale periferike: Brezojevicë, Potkrajë, Papratishte, Nokshiq, Zhanicë të epërme, Mashnicë, Murinë, Rudo Pole, Gllavicë, Përnjavor, Skiqë – Korita, Bogaiq – Mallo Sello, Zaversh – Gjuriqka Rijeka, Jasenicë – Hot, Vojno Sellë – Hakaj, Budojevicë, Meteh – Komoraçë dhe Jara – Babino Pole. Të drejtë votimi në zgjedhjet presidenciale për zgjedhjen e presidentit të Malit të Zi kanë 9175 qytetarë të regjistruar, 26 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit të vitit 2016.
Edhe në Komunën e Gucisë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, po ashtu me kohë i ka bërë përgatitjet paraprake për mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale për zgjedhjen e presidentit të Malit të Zi, që do të mbahen më 15 prill. Komisioni në fjalë ka vizituar objektet në të cilat do të mbahen zgjedhjet, si dhe ka emëruar këshillat zgjedhore të cilat do t’i udhëheqin zgjedhjet në fjalë, edukimi dhe trajnimi i të cilëve është bërë gjatë kësaj jave, kur edhe do të bëhet edhe distribuimi i regjistrave të zgjedhësve, pajisjeve elektronike për identifikimin e votuesve dhe inventarit dhe materialit të nevojshëm për votim.
Në deklaratën për Koha Javore, kryetari i Këshillit komunal të komunës në fjalë, Sanid Rexhepagiq, njoftoi se zgjedhjet do të mbahen në dhjetë qendra votimi, nga të cilat: tri në Guci dhe shtatë në vendbanimet rurale periferike: Martinaj, Dosugjë, Gërnçar, Kolinë, Dola, Krushevë – Vishnjevë dhe Vuthaj, në të cilat të drejtë vote do të kenë 4563 votues të regjistruar, 11 më pak se në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në zgjedhjet presidenciale do të garojnë shtatë kandidatë. Zgjedhjet do të fillojnë në ora 7:00 dhe do të përfundojnë në orën 20:00. Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat