Ulqin – Problemi i qarkullimit të ujit në grykëderdhjen e degës së djathtë të lumit Buna në Detin Adriatik, i cili ka çuar në ngushtimin jonatyror dhe pothuajse mbylljen e saj për shkak edhe të nivelit të ulët të ujit, ka nxitur më në fund reagimin e institucioneve dhe organeve kompetente.
Prej shumë kohësh, specialistët dhe ekologët kanë paralajmëruar rrezikun e ngushtimit dhe mbylljes së grykëderdhjes së djathtë të lumit Buna për shkak të ndërhyrjes pa kriter në shtratin e këtij lumi dhe ndërtimit të shtëpizave në të dy krahët e degës së djathtë të Bunës.
Ditëve të fundit ka qenë ekologu Xhelal Hoxhiq që ka akuzuar organet kompetente dhe Komunën e Ulqinit për këtë dukuri, duke thënë se ajo nuk është rezultat i ndonjë katastrofe natyrore, por i paditurisë dhe i papërgjegjësisë.
Ai ka thënë se nuk është dëgjuar e as marrë parasysh asnjë propozim i ekspertëve dhe i përfaqësuesve të organizatave joqeveritare që merren me këtë problematikë.
Hoxhiq ka kërkuar zgjerimin e lugajës, duke thënë se nuk mjafton që të zgjidhen pasojat, por që të mënjanohen shkaqet.
Lidhur me këtë problem kanë reaguar të martën nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit, duke i cilësuar kritikat si përpjekje për hedhjen e përgjegjësisë mbi Komunën e Ulqinit.
“Mendojmë se nuk ka qytetar në Ulqin, që nuk e din se Lumi Buna, i tërë shtrati i saj, ujdhesa Ada i përkasin zonës së të mirave detare, ku Komuna e Ulqinit, fatkeqësisht, nuk ka kurrfarë kompetencash mbi këtë territor”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Përkundër kësaj, theksohet se Komuna e Ulqinit ka ndërmarrë masa duke njoftuar institucionet kompetente në Mal të Zi – Drejtorinë për Ujra dhe Ndërmarrjen Publike “Të Mirat Detare”.
“Gjatë javës së shkuar, me institucionet e përmendura kemi ranë dakort për aktivitete konkrete, respektivisht angazhimin e makinerisë së nevojshme që do të punojë në normalizimin gradual të situatës”, thuhet në deklaratë.
Zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit përkujton se Drejtoria për Ujra gjatë vitit 2014 ka publikuar thirrjen publike për zgjedhjen e firmës që do të mënjanojë dhe do të grumbullojë materialin nga pjesa e djathtë e lumit Buna, por fatkeqësisht në këtë thirrje nuk është paraqitur askush.
Nga Komuna e Ulqinit kanë përfunduar se ajo bashkë me organet shtetërore të Malit të Zi do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura dhe do të ruajnë lumin Buna dhe ujdhesën Ada dhe nuk do të lejojnë dëmtimin e njërit prej resurseve më të njohura të këtij lokaliteti.
Kjo është hera e parë që viteve të fundit vjen deri te mbyllja e grykëderdhjes së djathtë të lumit Buna.
(Kohapress)