Në fokus bashkëpunimi dhe zhvillimi lokal

Komuna e Ulqinit priti për një vizitë zyrtare të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Majkëll Kiz (Michael Keays), në kuadër të një takimi që synon forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Ulqinit dhe SHBA-së.
Në takimin zyrtar, Keays u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me kryetaren e Kuvendit të Komunës, Ivana Popoviq, nënkryetarët Beqir Sellaj dhe Petar Deliq, si dhe deputetin në Kuvendin e Malit të Zi, Dr. Ilir Çapuni. Në takim morën pjesë edhe Alison Dajes (Alison Dyess), shefe e Departamentit për Çështje Politike dhe Ekonomike, dhe Silvija Marnikoviq, këshilltare në Departamentin për Media, Kulturë dhe Arsim të Ambasadës së SHBA-së.
Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara, mundësitë e avancimit të bashkëpunimit, si dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik të Ulqinit, me theks të veçantë në turizëm dhe fushat me interes të përbashkët.
Vizita e delegacionit amerikan përfshiu edhe një sërë aktivitetesh dhe takimesh me përfaqësues të institucioneve, arsimit, shoqërisë civile dhe sektorit privat, duke vënë në pah potencialet e Ulqinit në disa fusha.
Gjatë qëndrimit në Ulqin, delegacioni vizitoi Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim”, ku drejtoresha Snezhana Zhivanoviq, nxënësit dhe mësimdhënësit prezantuan përvojat e bashkëpunimit me një vullnetar të Korpusit të Paqes, duke theksuar ndikimin pozitiv të këtij programi në procesin arsimor dhe krijimin e lidhjeve miqësore ndërmjet qytetarëve malazezë dhe amerikanë.
Në fokus të vizitës ishte edhe trashëgimia kulturore dhe natyrore e qytetit. Përfaqësuesit amerikanë vizituan Xhaminë e Detarëve, ndërsa aktivistja qytetare Zenepa Lika i njohu me rëndësinë ekologjike të Kripores së Ulqinit, një ndër habitatet më të rëndësishme të shpendëve në Adriatik. Në Qytetin e Vjetër, arkeologu dhe ish-pjesëmarrësi i programeve të shkëmbimit amerikan, Anton Lulgjuraj, prezantoi monumentet, historinë dhe muzetë e kësaj zone.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu një takim me drejtuesit e Hotelit “Mediteran”, ku u diskutua për zhvillimin e turizmit në Ulqin dhe mundësitë e zgjerimit të lidhjeve ekonomike e tregtare me partnerë nga Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër pjesë e vizitës iu kushtua takimit me ish-pjesëmarrës të programeve të shkëmbimit të financuara nga qeveria amerikane, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe mënyrën se si këto programe kanë ndikuar në zhvillimin e tyre profesional dhe në avancimin e karrierës.
Përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit shprehën mirënjohjen për vizitën dhe interesimin e Ambasadës amerikane, duke vlerësuar rëndësinë e kontakteve të tilla për forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim.
“Vizita të tilla thellojnë partneritetet, hapin dyert për bizneset dhe investimet amerikane, si dhe krijojnë rrjete bashkëpunimi mes njerëzve të përkushtuar për ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë për qytetarët amerikanë dhe malazezë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat