Shoqata “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) shënoi të premten, më 6 nëntor 2026, në ambientet e saj, dy përvjetorë të rëndësishëm – 17-vjetorin e themelimit dhe 10-vjetorin e hapjes së shërbimeve të drejtpërdrejta për fëmijët me aftësi të kufizuara në Tuz.
Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, Sabra Deceviq, u shpreh se këta dy përvjetorë përfaqësojnë një rrugëtim të gjatë pune, përkushtimi, sfidash dhe sakrificash.
“Para 17 vitesh, Shoqata ‘Fëmijët e Malit të Zi’ e nisi rrugëtimin e saj me një mision të qartë – që të jetë zë, mbështetje dhe partner i fëmijëve, veçanërisht i atyre që kanë më shumë nevojë për përkrahje dhe mundësi. Gjatë këtyre viteve kemi realizuar projekte të shumta, aktivitete edukative, sociale dhe ndërgjegjësuese. Kemi organizuar vizita, ekskursione, punëtori kreative, aktivitete kulturore dhe rekreative, duke u munduar që fëmijëve t’u ofrojmë jo vetëm shërbime, por edhe përvoja të bukura, miqësi, gëzim dhe mundësi për të qenë pjesë aktive e shoqërisë”, u shpreh Deceviq.
Ajo bëri të ditur se një nga momentet më të rëndësishme të këtij rrugëtimi ishte hapja, para 10 vitesh, e shërbimeve të drejtpërdrejta për fëmijët me aftësi të kufizuara në Tuz.
“Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, sepse besuam se mbështetja për këta fëmijë nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë apo në dokumente strategjike. Ajo duhet të jetë konkrete, e përditshme dhe e afërt me fëmijën dhe familjen e tij. Sot, pas dhjetë vitesh, mund të themi me krenari se kemi ndërtuar një shërbim që ka një rëndësi të veçantë për shumë fëmijë dhe familje në komunën tonë”, tha ajo.
Deceviq vuri në dukje edhe shërbimet profesionale që ofrojnë, si ato psikologjike, të logopedisë dhe sociale, si dhe mbështetjen përmes asistentes personale. Ajo bëri të ditur se ekipi i tyre realizon rreth 226 sesione individuale dhe mbështetëse çdo muaj.
“Por pas këtyre shifrave nuk qëndrojnë vetëm statistika. Pas secilit takim qëndron një fëmijë, një familje, një sfidë, një përpjekje dhe shpeshherë një arritje e vogël që për familjen dhe për ne ka një domethënie shumë të madhe. Një element tjetër shumë i rëndësishëm i punës sonë është se ndër vite kemi arritur të ofrojmë shërbime falas për fëmijët dhe familjet e tyre, duke ua lehtësuar atyre një pjesë të barrës financiare dhe duke ua mundësuar vazhdimësinë e mbështetjes profesionale”, shprehet Deceviq.
Ajo theksoi se puna e shoqatës nuk përfundon te shërbimet profesionale, duke shtuar se fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të jenë të pranishëm dhe aktivë në çdo aspekt të jetës shoqërore.
“Prandaj, gjatë këtyre viteve kemi organizuar vizita të ndryshme, ekskursione, aktivitete sociale, punëtori dhe takime me fëmijë të tjerë, duke krijuar mundësi për socializim, komunikim, përvoja të reja dhe krijimin e miqësive. Ne duam që fëmijët tanë të mos mbeten të izoluar në shtëpi apo vetëm brenda shërbimeve që u ofrohen. Duam t’i shohim në shkolla, në parqe, në aktivitete kulturore, në udhëtime dhe në çdo hapësirë ku zhvillohet jeta e komunitetit”, thotë ajo.
Në këtë përvjetor, vijoi Deceviq, shoqata dëshironte që të mos fliste vetëm për atë që kishte bërë gjatë këtyre viteve, por t’u jepte zë edhe familjeve, të cilat janë pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi.
“U kërkuam prindërve të ndajnë me ne se çfarë do të thotë Shoqata ‘Fëmijët e Malit të Zi’ për ta. Përgjigjet e tyre ishin ndër dhuratat më të bukura që mund të merrnim për këtë përvjetor. Njëra nga nënat, Adrijana, shkruan: ‘Të gjithë punonjësit e shoqatës, në krye me Sabrën, janë një zemër e madhe që rreh për fëmijët tanë’. Ndërsa Valbona, në mesazhin e saj, shprehet: ‘Shoqata juaj është shumë më tepër se një vend ku fëmijët marrin trajtime. Është një vend shprese dhe mbështetjeje për një të ardhme më të mirë’, thotë Deceviq.
Sipas drejtoreshës ekzekutive, këto dhe mesazhe të tjera janë dëshmi e besimit që familjet kanë krijuar tek ata dhe e lidhjes njerëzore që kanë ndërtuar së bashku ndër vite.
“Nëse gjatë këtyre 17 viteve kemi arritur të ndërtojmë diçka me vlerë, atëherë është pikërisht kjo lidhje njerëzore, ky besim dhe kjo ndjenjë se së bashku mund të bëjmë ndryshimin. Le të jetë ky përvjetor një motivim i ri për të gjithë ne që të vazhdojmë me, edhe më shumë energji, përkushtim dhe përgjegjësi. Urime 17-vjetori i Shoqatës ‘Fëmijët e Malit të Zi’! Urime 10-vjetori i shërbimeve të drejtpërdrejta në Tuz”, përfundoi Deceviq.
t. u.
