Sezoni veror deri tani i qetë, pa zjarre në terren

Sezoni veror, për shkak të temperaturave të larta, ka qenë tradicionalisht periudha më kritike për këtë shërbim. Megjithatë, deri në fund të muajit korrik, kjo verë po rezulton e qetë dhe pa zjarre në terren

Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit në komunën e Ulqinit luan një rol kyç në mbarëvajtjen e sezonit turistik. Gjatë muajve të verës, me rritjen e numrit të vizitorëve, shtohet edhe numri i situatave ku kërkohet ndërhyrja e këtij shërbimi, qoftë për aksidente, zjarre, përmbytje apo raste të tjera emergjente.
Sezoni veror, për shkak të temperaturave të larta, ka qenë tradicionalisht periudha më kritike për këtë shërbim. Megjithatë, deri në fund të muajit korrik, kjo verë po rezulton e qetë dhe pa zjarre në terren.
Kryeshefi i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Abdullah Nimanbegu, vlerëson se kjo situatë është rezultat i ndërgjegjësimit më të madh të qytetarëve për respektimin e ndalimit të ndezjes së zjarreve në periudhën e verës, por edhe i kontrolleve të shtuara që ekipet e shërbimit zhvillojnë vazhdimisht në terren.
“Sezoni veror ka qenë gjithmonë më sfiduesi për ne, por deri tani mund të themi se situata është e qetë. Besoj se kjo vjen si rezultat i kujdesit më të madh të qytetarëve, por edhe i punës parandaluese që bëjmë në terren”, shprehet Nimanbegu.
Ai thekson se mirëmbajtja e këtij shërbimi kërkon investime të vazhdueshme. Pajisjet e specializuara duhet të rinovohen periodikisht, ndërsa edhe uniformat kanë një afat përdorimi dhe zëvendësohen sipas nevojës.
Sipas tij, është për t’u vlerësuar fakti që gjatë dy viteve të fundit Komuna e Ulqinit ka investuar më shumë në përmirësimin e kushteve të punës dhe në pajisjen e këtij shërbimi.
Gjatë sezonit veror rritet edhe numri i të punësuarve. Nimanbegu bën të ditur se ekipit i bashkohen edhe të rinj, disa prej tyre vetëm 20 vjeç, ndërsa gjatë verës Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit numëron rreth 50 punonjës.
“Besoj se dëshira për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe për të ndihmuar të tjerët është arsyeja kryesore pse shumë të rinj zgjedhin t’i bashkohen ekipit tonë”, thotë ai.
Sipas Nimanbegut, ndërhyrjet janë nga më të ndryshmet, por përparësi absolute kanë rastet ku rrezikohet jeta e njerëzve.
“Reagimi ynë primar janë aksidentet, zjarret dhe përmbytjet, pra të gjitha situatat ku ekziston rrezik për jetën e qytetarëve. Më pas u përgjigjemi edhe thirrjeve të tjera, duke u përpjekur t’u dalim në ndihmë të gjithëve”, shprehet ai.
Nimanbegu vlerëson gjithashtu bashkëpunimin e mirë me shërbimet komunale, ndërsa sfidë mbetet infrastruktura e qytetit, veçanërisht rrugët e ngushta, të cilat shpesh e vështirësojnë ndërhyrjen e automjeteve zjarrfikëse.
“Bashkëpunimi me institucionet është shumë i mirë. Vështirësia kryesore mbeten rrugët e ngushta, por zakonisht hasim në mirëkuptimin e qytetarëve, të cilët na ndihmojnë të kryejmë punën sa më shpejt”, thekson ai.
Në fund, kryeshefi i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit u bën apel qytetarëve dhe turistëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë muajve të verës.
“Mjafton edhe një cigare e hedhur nga automjeti apo në anë të rrugës për të shkaktuar një zjarr me pasoja të mëdha. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit dhe të sigurisë së përbashkët”, përfundon Abdullah Nimanbegu.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat