Mbrojtja e Plazhit të Madh, kusht për rrugën evropiane të Malit të Zi

Në një vizitë zyrtare të organizuar me ftesë të Lëvizjes Qytetare URA, eurodeputeti austriak nga radhët e të Gjelbërve, Thomas Waitz (Tomas Vajs), njëherësh bashkëkryesues i Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Mali i Zi (POSP), qëndroi në Komunën e Ulqinit, ku zhvilloi një sërë takimesh me autoritetet lokale, përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile.
Qëllimi i vizitës ishte diskutimi rreth rëndësisë së mbrojtjes së Plazhit të Madh dhe zonave përreth me vlera të larta ekologjike, si Kriporja e Ulqinit, në kontekstin e Marrëveshjes së diskutueshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Në qendër të vëmendjes ishte paralajmërimi i projekteve zhvillimore që mund të rrezikojnë mjedisin dhe të anashkalojnë interesin publik.
“Projektet që mund të realizohen mbi bazën e kësaj marrëveshjeje mund të jenë në kundërshtim me ligjet evropiane, çka do të mund të përbëjë pengesë serioze për anëtarësimin e Malit të Zi në BE. Veçanërisht shqetësuese është anashkalimi i pjesëmarrjes së komuniteteve lokale në përgatitjen e projekteve të tilla”, theksoi Waitz.
Ai vuri në dukje se Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së e mbështesin integrimin evropian të Malit të Zi, por paralajmëroi se veprime të tilla mund ta dëmtojnë rëndë këtë proces.
“Ndoshta e keni parë letrën që komisionerja Kos i ka dërguar Presidentit Millatoviq, në të cilën ka shprehur shqetësime për rregullat e prokurimit publik. E drejta evropiane, legjislacioni i përbashkët, mund të jetë në kundërshtim me projektet që realizohen në kuadër të kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai.
Waitz theksoi nevojën për respektimin e sundimit të ligjit dhe përfshirjen aktive të komuniteteve lokale në çdo proces vendimmarrës që prek territorin e tyre.
“Mbrojtja e mjedisit duhet të luajë një rol kyç në zhvillimin e projekteve turistike. E ardhmja e turizmit qëndron në kombinimin e turizmit cilësor dhe përjetimit të natyrës. Kjo shihet në të gjithë Bashkimin Evropian, prandaj është shumë e rëndësishme që komuniteti lokal të mbrojë trashëgiminë natyrore të Ulqinit – dhe kjo duhet të respektohet në çdo proces që zhvillohet nga pushteti qendror”, përfundoi eurodeputeti.
Vizita e eurodeputetit Waitz është pritur me optimizëm nga qeverisja lokale në Ulqin dhe është vlerësuar si mbështetje e qëndrimeve të saj.
“Qëndrimi i të gjithë komunitetit në komunën e Ulqinit është i qartë: jemi kundër miratimit të Marrëveshjes me Emiratet. U bëj edhe një herë thirrje deputetëve që të mos votojnë për të”, deklaroi kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, duke shtuar se, edhe në rast të miratimit të marrëveshjes, autoritetet lokale do të vazhdojnë të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe hapësirën publike.
Nga ana tjetër, kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq theksoi se vizita e Waitz ishte një sinjal i rëndësishëm për qeverinë malazeze, duke treguar se respektimi i standardeve evropiane nuk është opsional në procesin e integrimit.
“Na duhet mbështetje ndërkombëtare, na duhen njerëz si z. Waitz, i cili është mik i madh i Malit të Zi dhe që vazhdimisht ndihmon që zëri ynë të dëgjohet në Parlamentin Evropian dhe institucionet evropiane. Kjo është fitorja jonë e madhe”, ka thënë ai.
Gjatë vizitës në Ulqin, eurodeputeti Thomas Waitz zhvilloi një inspektim në terren të Kripores dhe Plazhit të Madh – dy zona me vlera të jashtëzakonshme ekologjike dhe turistike. Në përfundim të vizitës u theksua se çdo projekt zhvillimor në këto zona duhet të kalojë përmes një procesi transparent, të bazuar në ligjet vendase dhe ato evropiane, me përfshirje të plotë të komunitetit lokal dhe konsultime të hapura me qytetarët.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat