Problem që kërkon zgjidhje afatgjata

Ky segment rrugor është bërë problematik sidomos për kalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë, që gjithashtu përkeqësojnë ngarkesën dhe vështirësojnë kalimin për qytetarët. Ky është një shqetësim që është diskutuar për vite me radhë në organet vendimmarrëse lokale, por megjithëse është identifikuar nevoja për një rrugë dytësore që do të shmangte kalimin nëpër qendrën e qytetit, një projekt i tillë ende nuk është jetësuar

Toni Ujkaj

Me afrimin e muajve të ngarkuar turistikë – siç është maji e në vazhdim – vërehet shtim i ndjeshëm i trafikut nëpër qytete, edhe pse në disa të tilla gjendja është e rënduar gjatë gjithë muajve të vitit.
Ky problem, që nuk është i panjohur për qytetet më të mëdha, ka arritur një nivel të konsiderueshëm edhe në Tuz, veçanërisht gjatë muajve të verës kur fluksi i automjeteve është më i lartë.

Ndërtimi i bajpasit nuk është më luks, por një domosdoshmëri infrastrukturore për Tuzin. Pa një zgjidhje afatgjatë që do të devijonte trafikun e automjeteve të rënda jashtë qendrës urbane, qyteti do të vazhdojë të vuajë nga bllokimet e përditshme


Nëse kaloni përmes qendrës së Tuzit, mund të hasni ndalesa të shpeshta dhe një trafik të dendur që mund të marrë minuta të tëra për të kaluar një segment të shkurtër rrugor prej më pak se dy kilometrash. Dhe shumë herë, duket më e vështirë të kaloni këtë distancë të shkurtër (nga hyrja deri në dalje nga qyteti) sesa të shkoni nga Tuzi në Podgoricë. Kjo ka bërë që trafiku në qytet të bëhet shqetësim i përditshëm për banorët, por edhe për ata që kalojnë nga ky aks rrugor ndërkombëtar që lidh Podgoricën me Shqipërinë përmes pikës kufitare në Han të Hotit.
Ky segment rrugor është bërë problematik sidomos për kalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë, që gjithashtu përkeqësojnë ngarkesën dhe vështirësojnë kalimin për qytetarët. Ky është një shqetësim që është diskutuar për vite me radhë në organet vendimmarrëse lokale, por megjithëse është identifikuar nevoja për një rrugë dytësore që do të shmangte kalimin nëpër qendrën e qytetit, një projekt i tillë ende nuk është jetësuar.
Përveç fluksit të automjeteve, një tjetër faktor shqetësues janë parkimet e parregullta. Shoferë të pandërgjegjshëm i parkojnë automjetet në vende të ndaluara, shpeshherë në mes të rrugës, duke krijuar pengesa të panevojshme për qarkullimin normal. Pavarësisht se në “luftë” me këtë problem është çdo ditë Policia Komunale, e cila shqipton gjoba, duket se kjo nuk mjafton për t’i vetëdijesuar të gjithë drejtuesit e automjeteve.
Ky problem i trafikut, siç është theksuar shpesh, nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por është edhe një çështje që kërkon reflektim nga vetë qytetarët. Kultura e komunikacionit dhe respektimi i rregullave të qarkullimit janë të nevojshme për të ulur tensionin dhe për të lehtësuar situatën. Ndonëse ndryshimi i këtyre praktikave nuk mund të bëhet brenda natës, është koha që secili të reflektojë dhe të bëjë hapa të vegjël për një qytet më të qetë dhe të rregullt.

Përveç fluksit të automjeteve, një tjetër faktor shqetësues janë parkimet e parregullta. Shoferë të pandërgjegjshëm i parkojnë automjetet në vende të ndaluara, shpeshherë në mes të rrugës, duke krijuar pengesa të panevojshme për qarkullimin normal. Pavarësisht se në “luftë” me këtë problem është çdo ditë Policia Komunale, e cila shqipton gjoba, duket se kjo nuk mjafton për të vetëdijesuar të gjithë drejtuesit e automjeteve


Dhe, përveç veprimit institucional, është e domosdoshme që qytetarët të jenë shembuj të mirë për të tjerët. Kjo mund të ndihmojë në krijimin e një qyteti ku lëvizja është më e lirë dhe më e sigurt për të gjithë, dhe të mos bëhemi të njohur për rrëmujë dhe kaos në komunikacion. Ky problem nuk është vetëm një fenomen veror në Tuz, por një çështje që i preokupon qytetarët pothuajse gjatë gjithë vitit.
Prandaj ndërtimi i bajpasit nuk është më luks, por një domosdoshmëri infrastrukturore për Tuzin. Pa një zgjidhje afatgjatë që do të devijonte trafikun e automjeteve të rënda jashtë qendrës urbane, qyteti do të vazhdojë të vuajë nga bllokimet e përditshme.

Të fundit

më të lexuarat