“Non grata” për politikanët serbë dhe mesazhi për politikanët shqiptarë

Ndalimi i politikanëve serbë nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si kufizim i lirive dhe të drejtave të njeriut. Për dallim nga Mali i Zi, i cili vazhdon t’i tolerojë sjelljet dhe veprimet e tyre shoviniste, Kosova ka treguar se është shtet dhe se brenda territorit të saj mund të hyjnë vetëm ata që e pranojnë dhe e respektojnë shtetin e Kosovës

Ismet Kallaba

Policia kufitare e Republikës së Kosovës ua ka ndaluar hyrjen disa politikanëve serbë nga Mali i Zi, të njohur për gjuhën e tyre të urrejtjes dhe mohimin e shtetit të Kosovës. Në listën e këtyre personave bëjnë pjesë funksionarët e Demokracisë së Re Serbe, nënkryetari i kësaj partie politike Marko Kovaçeviq, njëherit kryetar i Komunës së Nikshiqit, kryetarja e Kuvendit të Komunës të Beranit, Vida Ivanoviq, dhe kryetari i Komunës së Plevlës, Dario Vranesh.
Ata ishin nisur për të marrë pjesë në festën e Vidovdanit në Gazimestan afër Obiliqit, ku serbët festojnë për çdo vit humbjen e asaj që njihet si Beteja e Kosovës.
Në historinë e re Gazimestani është i njohur si vendi ku udhëheqësi politik serb i kohës, Sllobodan Millosheviq, organizoi tubimin e serbëve në vitin 1989, për të shënuar 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, të cilin e shfrytëzoi për të “dëshmuar” gjoja padrejtësitë, kërcënimin dhe rrezikimin e serbëve nga shqiptarët në Kosovë, që në fakt ishte prelud për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe shkatërrimin e ish-RSFJ-së.
Viteve të fundit kjo festë fetare është keqpërdorur për ekspozimin e ndjenjave shoviniste dhe simbolikës nacionalshoviniste serbe të militantëve të organizuar dhe paguar nga Kisha Ortodokse Serbe dhe shteti i Serbisë, duke bërë që policia e Kosovës të ndërhyjë dhe arrestojë me dhjetëra pjesëmarrës.
Edhe pse i takojnë brezit të politikanëve më të rinj, kryetari i Komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, dhe ai i Komunës së Plevlës, Dario Vranesh, janë të njohur para së gjithash për retorikën e tyre antishqiptare, sidomos kundër Kosovës. Ata nuk e pranojnë realitetin në Kosovë, duke e quajtur atë “shtet të rrejshëm” dhe bërë thirrje për çnjohjen e pavarësisë së saj nga Mali i Zi. Ata injorojnë edhe simbolet shtetërore të Malit të Zi, si flamurin shtetëror dhe himnin nacional. Komunat që ata i drejtojnë nuk kanë organizuar këtë vit shënimin e 20-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi.
Për këtë arsye, ndalimi i politikanëve serbë nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si kufizim i lirive dhe të drejtave të njeriut. Për dallim nga Mali i Zi, i cili vazhdon t’i tolerojë sjelljet dhe veprimet e tyre shoviniste, Kosova ka treguar se është shtet dhe se brenda territorit të saj mund të hyjnë vetëm ata që e respektojnë shtetin e Kosovës.
Përtej kësaj, shpallja “non grata” është një mesazh edhe për atë pjesë të politikës shqiptare në Malin e Zi që bashkëpunon dhe bashkëqeveris me partinë të cilën e përfaqësojnë tre politikanët serbë. Në këtë kontekst, disa politikanë shqiptarë në Malin e Zi vazhdojnë të jenë “non grata” te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Të fundit

më të lexuarat