Logjika e përfitimit të momentit ose kap çfarë të kapësh

Në fushën e turizmit te ne mbizotëron logjika e përfitimit të momentit ose e thënë me gjuhën popullore – kap çfarë të kapësh. Kjo mund të duket përfituese në pamje të parë, por në një afat më të gjatë është e destinuar të dështojë. Është e vërtetë se çmimet janë rritur edhe në të gjitha vendet e rajonit, por ky është vetëm një justifikim i pabazë që nuk mund të arsyetojë mendësinë e gabuar të formimit të çmimeve dhe të të bërit turizëm

Ismet Kallaba

Vera është periudha që në qytetet bregdetare pritet me padurim për shkak të mundësisë së përfitimit nga ekonomia e turizmit. Turizmi është fusha kryesore në qytetet bregdetare të Malit të Zi dhe të rajonit në përgjithësi që gjeneron të ardhura të mëdha. Ai është një burim i mirë fitimi dhe i jetesës. Pjesa më e madhe e banorëve në këto qytete janë të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me turizmin. Kjo është arsyeja pse në qytetet turistike bregdetare jetohet për verën. Tani kur sezoni turistik në shumicën e qyteteve bregdetare në rajon zgjat më shkurt, faktikisht vetëm dy-tre muaj apo edhe më pak, njerëzit përpiqen të bëjnë çdo gjë për të fituar. Por turizmi është një fushë tepër e ndjeshme dhe jo e lehtë, prandaj zhvillimi i turizmit në mënyrë stihike ndikon dëmshëm në perspektivën e ekonomisë së turizmit.

Tani kur sezoni turistik në shumicën e qyteteve bregdetare në rajon zgjat më shkurt, faktikisht vetëm dy-tre muaj apo edhe më pak, njerëzit përpiqen të bëjnë çdo gjë për të fituar. Por turizmi është një fushë tepër e ndjeshme dhe jo e lehtë, prandaj zhvillimi i turizmit në mënyrë stihike ndikon dëmshëm në perspektivën e ekonomisë së turizmit


Krahas problemeve që vit pas viti shoqërojnë turistët në Mal të Zi, si infrastruktura e dobët rrugore, tollovitë në trafik, zhurma nga muzika, papastërtia, vende-vende edhe mungesa e ujit si në Kalanë e Ulqinit, etj., këtë vit është evidente rritja enorme e çmimeve të prodhimeve dhe shërbimeve. Anomalia me çmimet ka ndodhur pothuajse kudo, jo vetëm te ne, por edhe në vendet e rajonit dhe në botë. Megjithatë, Ulqini ka qenë i njohur si destinacion më i lirë në krahasim me qytetet tjera bregdetare në Malin e Zi, sidomos me Budvën, e njohur si destinacion i shtrenjtë dhe për turistët me xhep të majmë. Por këtij qyteti (Budvës) i ka ndodhur ajo për të cilën ekspertët e ekonomisë së turizmit kanë tërhequr vërejtjen – rënia e numrit të turistëve, para së gjithash, si pasojë e politikës së gabuar të çmimeve të larta. Kopjimi i modelit të keq të Budvës, duke i rritur çmimet në mënyrë joreale, mund ta çojë në humbëtirë edhe turizmin në Ulqin.

Nëse vazhdon në këtë mënyrë, Ulqini jo vetëm që nuk do të jetë konkurrues me qytetet tjera duke tërhequr turistë të rinj, por rrezikon të humbasë edhe turistët tradicionalë të cilët vazhdojnë ta konsiderojnë Ulqinin destinacionin e tyre të preferuar turistik


Në fushën e turizmit te ne mbizotëron logjika e përfitimit të momentit ose e thënë me gjuhën popullore – kap çfarë të kapësh (KÇK). Kjo mund të duket përfituese në pamje të parë, por në një afat më të gjatë është e destinuar të dështojë. Është e vërtetë se çmimet janë rritur edhe në të gjitha vendet e rajonit, por ky është vetëm një justifikim i pabazë që nuk mund të arsyetojë mendësinë e gabuar të formimit të çmimeve dhe të të bërit turizëm. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, Ulqini jo vetëm që nuk do të jetë konkurrues me qytetet tjera duke tërhequr turistë të rinj, por rrezikon të humbasë edhe turistët tradicionalë të cilët vazhdojnë ta konsiderojnë Ulqinin destinacionin e tyre të preferuar turistik.

Të fundit

më të lexuarat