Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi kërkon nga kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, mr. Aleksa Beçiq, që në kuadër të këtij institucioni të themelohet si njësi e përhershme Zyra për përkthimin në gjuhën shqipe të akteve të ndryshme ligjore.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi theksohet se detyra e kësaj zyre do të ishte “përkthimi nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe e akteve të ndryshme normative duke filluar nga Kushtetuta, ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve, vendimet, urdhrat e institucioneve publike, të cilat i referohen të gjithë shtetasve të Malit të Zi, por që deri tani janë në dispozicion vetëm në gjuhën malazeze”.
Sipas KKSH-së, kërkesa bazohet në dispozitat kushtetuese mbi gjuhën zyrtare dhe gjuhët në përdorim zyrtar, obligimeve të marra nga Mali i Zi në kuadër të Konventës ndërkombëtare për ruajtjen e gjuhëve rajonale, faktin se Mali i Zi është deklaruar si shtet multietnik dhe se gjuha shqipe si e vetmja gjuhë josllave e pakicave është e ndryshme nga gjuhët e tjera.
“Propozojmë që Ju si Kryetar, të merrni vendimin, që në kuadër të Kuvendit të Malit të Zi, të themelohet njësia e Zyrës për përkthime mne-alb me buxhet të caktuar vjetor, e cila do të funksiononte si njësi e përhershme pune në kuadër të Kuvendit të Malit të Zi, ku do të angazhoheshin përkthyesit më kompetentë që kemi (3-5 persona), njohës të mirë të të dyja gjuhëve, dhe kështu kjo zyrë do të ishte në shërbim të Kuvendit për përkthimin e materialeve të caktuara apo për përkthime simultane gjatë seancave në Kuvendin e Malit të Zi dhe në raste të tjera sipas nevojave”, thuhet në kërkesë.
Megjithëse gjuha shqipe në bazë të Kushtetutës së Malit të Zi është në përdorim zyrtar, niveli i përdorimit të saj zyrtar në praktikë është shumë i ulët.
(Kohapress)
