Në kabinetin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, të mërkurën e kaluar (17 qershor 2026) është organizuar ceremonia zyrtare e ndarjes së kontratave për bashkëfinancimin e projekteve dhe programeve në fushën e krijimtarisë kulturore-artistike për vitin 2026.
Përmes konkursit vjetor të shpallur nga Komuna e Ulqinit janë mbështetur gjithsej 12 projekte kulturore-artistike, ndërsa nga buxheti komunal janë ndarë 16 150 euro për realizimin e tyre. Kjo mbështetje financiare përfshin projekte nga fusha e veprimtarisë botuese, muzikore dhe muzikore-skenike, arteve pamore si dhe veprimtarisë teatrore. Qëllimi i programit është avancimi i jetës kulturore në qytet, nxitja e krijimtarisë bashkëkohore artistike dhe forcimi i kapaciteteve profesionale të krijuesve dhe institucioneve kulturore.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë dhe transparent në përzgjedhjen e projekteve përfituese.
Ai bëri të ditur se për herë të parë janë ndarë mjete të veçanta edhe për projekte muzikore, duke krijuar mundësi që përfitues të jenë jo vetëm organizatat, por edhe individët që veprojnë në fushën e artit dhe kulturës.
“Ky ka qenë një proces plotësisht meritokratik, pa ndikime personale apo partiake. Për herë të parë kemi ndarë fonde posaçërisht edhe për muzikën, duke u mundësuar edhe personave fizikë të përfitojnë direkt nga Komuna”, u shpreh Nimanbegu.
Sekretarja për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, Merita Subashiq – Shabanoviq, vlerësoi se ky konkurs përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të politikave më gjithëpërfshirëse në kulturë.
Ajo shprehu bindjen se mbështetja institucionale për artistët dhe krijuesit duhet të zgjerohet edhe më tej në vitet e ardhshme.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që për herë të parë po ndajmë mjete në këtë mënyrë. Ky është vetëm fillimi, pasi synojmë të rrisim buxhetin dhe të krijojmë konkurse specifike për degë të ndryshme të artit”, tha ajo.
Gjatë takimit u diskutua edhe nevoja për themelimin e Teatrit Profesionist Shqiptar në Malin e Zi. Të pranishmit vlerësuan se një institucion i tillë do të kishte rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe promovimin e kulturës shqiptare, duke kërkuar mbështetje financiare edhe nga niveli shtetëror.
Ndër përfituesit e konkursit, Dr. Haxhi Shabani bëri të ditur se dokumentari kushtuar akademikut Mehmet Kraja, i mbështetur me shumën më të lartë prej 2200 eurosh, do të realizohet në disa qytete me qëllim dokumentimin dhe promovimin e figurës dhe veprës së tij.
Ndërkaq, poetja Valbona Bajri, e cila përfitoi 1100 euro për botimin e librit të saj, e cilësoi këtë mbështetje si një inkurajim të rëndësishëm për krijuesit e pavarur.
Përveç këtyre projekteve, fondet e ndara do të mundësojnë realizimin e veprave të autorëve dhe artistëve të njohur, si Esat Mehmeti, Gazmend Çitaku, Dr. Nail Draga, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, Hilmi Nimanbegu, Cani Lazoja, Islam Axhemoviq etj. Me këtë nismë, Komuna e Ulqinit synon të forcojë jetën kulturore të qytetit dhe të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e artit dhe kulturës.
D. Teliqi
