Valorizim i lokacioneve turistike në Malësi

Tuz – Komuna e Tuzit në kuadër të kryeqytetit ka filluar realizimin e projektit ndërkufitar Itali – Shqipëri – Mali i Zi , i cili ka të bëjë me zhvillimin e turizmit në trevën e Malësisë, përkatësisht valorizimin e lokacioneve turistike.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit për Financa, të Ardhura Lokale dhe Investime në Komunën e Tuzit në kuadër të kryeqytetit, Emin Axhoviq, ka bërë të ditur se Komuna e Tuzit për shkak të pozicionit të saj gjeografik, programet e bashkëpunimit ndërkufitar i shikon si një mundësi të mirë ku nëpërmjet hartimeve të projekteve cilësore, të avancohen kushtet e jetës së qytetarëve të cilët jetojnë në zonat kufitare.
“Falënderoj partnerët tonë nga Shqipëria dhe Italia të cilët së bashku me grupin tonë nga Komuna e Tuzit e kanë përgatitur aplikacionin cilësor të projektit nëpërmjet të cilit kanë mundësuar që të avancohen kapacitetet turistike dhe të valorizohen potencialet turistike me të cilat është e pasur Komuna e Tuzit, projekt ky i cili në fund do të kontribuojë në pozicionimin më të mirë të mapës turistike në rajon”, theksoi Axhoviq.
Ai më tutje bëri të ditur se Komuna e Tuzit në kuadër të kryeqytetit, nëpërmjet këtij projekti, kujdes të veçantë do t’u kushtojë kategorive më të prekura të shoqërisë. “Krahas valorizimit të hapësirës, do të mundësojmë që dy lokacione turistike në territorin e Tuzit të jenë të përshtatshme për personat me invaliditet dhe për të moshuarit. Ne do të kryejmë kërkimet se cilat mund të jenë ato lokacione të cilat sipas të gjitha gjasave, njëra do të jetë në Cem tek Ujëvara e cila është atraksion turistik, ndërsa tjetra në Liqenin e Shkodrës, ndoshta në Vitojë”, u shpreh Axhoviq.
Ai duke parë ecurinë e frytshme të këtij projekti, shpreson se puna do të vazhdojë me të njëjtin ritëm sikurse deri më tani për të pasur një realizim sa më të suksesshëm. Ndërkohë, Axhoviq ka treguar se Komuna e Tuzit e cila planifikon themelimin e Organizatës Turistike, nëpërmjet projektit në fjalë do të krijojë predispozitat për pajisje teknike si dhe do të arrijë trajnimin nga fusha e turizimit të arritshëm dhe të qëndrueshëm. “Përmes këtij projekti dhe bashkëpunimit me Organizatën Turistike të Podgoricës, Organizatën Nacionale Turistike të Malit të Zi dhe Ministrinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit do të krijohen kushtet që zyra e cila do të vendoset të operojë në kuadër të projektit, të startojë me kapacitet të plotë në mënyrë që atraksionet turistike, të mirat kulturore dhe natyrore të Komunës së Tuzit të valorizohen nëpërmjet turizmit dhe kështu të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të Komunës”, tha Axhoviq. Këtë projekt e ka mbështetur financiarisht Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitarë, Itali – Shqipëri – Mali i Zi, i cili ka filluar të aplikohet që nga muaji prill i këtij viti dhe do të zgjasë deri në prill të vitit 2020.  t. u.

Të fundit

më të lexuarat