Sarajeva ishte mikpritëse e Kampionatit Evropian të Klubeve në Taekwondo, i cili u zhvillua nga 17 deri më 21 qershor 2026 për të gjitha kategoritë.
Ditën e parë të garave në program ishin kategoritë e pionierëve, ku garuesit e TKD “Ulqini” arritën një rezultat të jashtëzakonshëm. Në kampionat morën pjesë klubet nga vendet e Evropës, me mbi 2000 garues nga më shumë se 40 vende evropiane.
Në deklaratën për media të TKD “Ulqini” thuhet se ky klub mori pjesë me shtatë garues dhe fitoi katër medalje evropiane.
Garuesi më i suksesshëm ishte Xhihan Maniq, i cili në kategorinë deri në 36 kg fitoi medaljen e argjendtë. Ai arriti deri te medalja e argjendtë pas tri fitoreve të njëpasnjëshme. Në raundin e parë mposhti garuesin nga Turqia, Bult Eren, në raundin e dytë ishte më i mirë se përfaqësuesi i Bosnjë dhe Hercegovinës, Hamza Modronja, ndërsa në raundin e tretë mposhti garuesin nga Britania e Madhe, Yousuf Afzal. Në finale për medaljen e artë humbi nga përfaqësuesi i Italisë, Nikol T’Acquisto.
Medalje të bronzta fituan Armend Lula, Nejra Dervisheviq dhe Asija Kollari.
Armend Lula, në kategorinë deri në 27 kg, në raundin e parë mposhti garuesin nga Ukraina, Kiril Hres, ndërsa në raundin e dytë përfaqësuesin e Britanisë së Madhe, Michael Wichel. Në gjysmëfinale u ndalua nga garuesi i Bosnjë dhe Hercegovinës, Ibrahim Mujkiq, duke siguruar medaljen e bronztë.
Nejra Dervisheviq, në kategorinë deri në 30 kg, në raundin e parë mposhti garuesen nga Greqia, Elena Mitsos, ndërsa në raundin e dytë ishte më e mirë se përfaqësuesja e Turqisë, Selin Seray Batmaz. Në gjysmëfinale u mund nga garuesja e Suedisë, Uma Badnjeviq, duke fituar medaljen e bronztë.
Asija Kollari, në kategorinë deri në 27 kg, në raundin e parë mposhti garuesen nga Bosnja dhe Hercegovina, Esma Mujeziq, ndërsa në raundin e dytë përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, Ana Otasevki. Në gjysmëfinale u ndalua nga garuesja e Rusisë, Sofia Khvostikova, duke fituar medaljen e bronztë.
Në garë morën pjesë edhe Gani Resulbegoviq, në kategorinë deri në 30 kg, i cili u ndal në raundin e parë nga garuesi i Azerbajxhanit, Akbar Taghiyev; Rea Nelaj, në kategorinë deri në 33 kg, e cila u ndal nga garuesja e Bosnjë dhe Hercegovinës, Kanita Zukiq; si dhe Rajana Bogdanoviq, në kategorinë deri në 27 kg, e cila u mposht nga përfaqësuesja e Bosnjë dhe Hercegovinës, Dalal Dediq.
Katër medaljet e fituara në një nga kampionatet më të forta evropiane për klube përfaqësojnë një sukses të madh për TKD Ulqini.
(Kohapress)
