Në ambientin e qendrës mësimore të shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq” në Plavë, të martën më 16 qershor 2026, në ceremoninë solemne ishin tubuar gjysmëmaturantët me sukses të shkëlqyer, mësimdhënësit, kujdestarët e klasave: Samba Kandiq, Millena Vukaniq dhe Grujica Rajrogiq, stafi shkollës – drejtori Sellmir Purishiq dhe ndihmësdrejtoresha Minella Markishiq, si dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq me bashkëpunëtorët – nënkryetaren e Komunës, Bellma Sharkinoviq, dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, për të marrë pjesë në dorëzimin e diplomave “Pishtari” (Lluça) për sukses madhor që ata kanë arritur gjatë nëntë viteve shkollore në këtë shkollë dhe në paralelet e shpërndara katër dhe pesëklasëshe në Brezojevicë, Bogajiq, Meteh, Vojno Sellë dhe Hot.
Nga 72 gjysmëmaturantët e pesë paraleleve mësimore të klasës së nëntë, një prej të cilave me tetë sish me mësim në gjuhën shqipe, shtatë gjysmëmaturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, të cilëve u është dorëzuar diploma “Pishtari” (Lluça). Me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, ata janë shpërblyer me nga një libër, që ua kanë dorëzuar drejtori i shkollës Sellmir Purishiq bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq.
Komuna e Plavës, laureatët e diplomës në fjalë i ka shpërblyer me nga 100 euro, një libër dhe një bllok shënimi.
Drejtori i shkollës, Sellmir Purishiq, në fjalën e rastit ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, në veçanti laureatët e diplomës “Pishtari”, duke u fokusuar në shkollimin e tyre në të ardhmen dhe avancimin e diturive të reja të fituara, duke dëshiruar që të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë dhe të jenë të suksesshëm si deri më tani.
Të njëjtën gjë, gjysmëmaturantëve ua ka dëshiruar edhe ndihmësdrejtoresha e kësaj shkolle, Minella Markishiq.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet ka falënderuar mësimdhënësit për punën e tyre në përgatitjen e nxënësve, ndërsa duke iu drejtuar prindërve të nxënësve pishtarë ka thënë se duhen të jenë krenarë që fëmijët e tyre i kanë përgatitur si duhet për jetë.
“Falënderim i sinqertë për atë që i keni mësuar të çmojnë e vlerësojnë dhe i keni motivuar të punojnë e veprojnë, kurse diploma ‘Pishtari’ (Lluça) është reflektim i tyre”, ka thënë ai.
Ndër 72 nxënës që këtë vit shkollor përfunduan shkollën fillore nëntëklasëshe në shkollën në fjalë, shtatë sish janë laureatë të diplomës “Pishtari” (Lluça): Imran Dreshkoviq, Allden Aksalliq, Demir Balliq, Dragutin Vukaniq, Ema Osmançeviq, Llejlla Purishiq dhe Esmira Canoviq, por asnjë nxënës nga paralelet me mësim në gjuhën shqipe.
Të gjithë gjysmëmaturantët laureatë të diplomës “Pishtari” të kësaj shkolle deklaruan se do t’i vazhdojnë mësimet, kryesisht në SHMP “Beqo Bashiq” në Plavë.
Në ceremoninë solemne të ndarjes së diplomave “Pishtari”, drejtori i shkollës Sellmir Purishiq ka ndarë gjithashtu fletfalënderime për nxënësit gjysmëmaturantë, të cilët gjatë vitit shkollor 2025/2026 e kanë përfaqësuar këtë shkollë në garën shtetërore të gjuhës angleze: Allden Aksalliq, Sarah Dina Gutiq dhe Llejlla Purishiq, si dhe mentores së tyre, profesoreshës së gjuhës angleze, Millena Vukaniq.
Sh. Hasangjekaj
