Nga Ulcinj në Dulcigno

Inspirimi për këtë tekst erdhi nga një bisedë e rastit dhe pyetja “se nga isha”. Nga Mali i Zi thashë, nga Ulqini. Kam qenë, tha bashkëbiseduesi, në Mal të Zi. Budva, Kotorr, Tivat por nuk kam dëgjuar për Ulqinin. Mos e njeh si Ulcinj ia ktheva? Jo tha, se kam dëgjuar.
Kur dikush që viziton bregdetin tonë nuk ka dëgjuar për qytetin me numrin më të madh të plazheve në Mal të Zi atëherë e kemi një problem. Ky problem ka burime të shumta, duke filluar nga prezantimi dhe marketingu i dobët i qytetit, infrastruktura, rregulli etj. e deri tek emri i tij. Po, e keni lexuar saktë, emri!
Emri ndërkombëtar ULCINJ është një nga emrat më joatraktivë të një destinacioni turistik. Sidomos për të huajt. Lexohet dhe shqiptohet vështirë dhe tek ai që e dëgjon nuk ngjall asnjë ndjenjë dhe nuk frymëzon imagjinatën. Jomelodik deri në skaj!
Deri në vitin 1880 Ulqini ndërkombëtarisht ishte i njohur si Dulcigno dhe pjesa më e madhe e historisë së shkruar të Ulqinit e identifikon me këtë emër. Me dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi,
Dulcigno bëhet zyrtarisht Ulcinj.
Ndryshimi i emrit lë pasoja edhe në vazhdimësinë historike të një vendi. Me kalimin nga Dulcigno në Ulcinj qyteti është dëmtuar nga pikëpamja historike, estetike dhe ekonomike. Me siguri Mali i Zi, i nxitur nga dëshira që Ulqinin ta ndajë nga e kaluara e tij dhe t’i japë një vulë të pronësisë malazeze, vendosi që Dulcigno të mos jetë më emri me të cilin do të njihet qyteti jonë në botë.
Një emër qyteti është më shumë se një etiketë, është një reflektim i identitetit, kulturës dhe
karakterit të tij. Kur në fillim të shekullit XX, miliarderi francez Jacques Lebaudy vizon Ulqinin
thotë: Dulcigno! Çfarë emri i bukur për destinacion botëror të qejfit! Emër që sugjeron bukuri,
kënaqësi dhe tërheqje’’.
Nga pikëpamja estetike, një emër qyteti që tingëllon bukur ka rëndësi për shkak të përshtypjes së parë, imazhit turistik, brendit dhe ndikimit të përgjithshëm ekonomik. Nga pikëpamja kulturore një emër tingëllues zgjon kureshtjen e vizitorëve dhe krenarinë e banorëve.
Nuk është e vështirë të konkludohet se ndryshimi i emrit ndërkombëtar të qytetit nga Ulcinj në Dulcigno do të ishte transformues. Ulcinj prapë do të mbetet Ulcinj për malazezët dhe Ulqinin, për shqiptarët dhe nuk është kjo tentativë për të zvogëluar karakterin shqiptaro-malazez të qytetit.
Përkundrazi, duke e promovuar ndërkombëtarisht, promovojnë edhe kulturat dhe identitetet që e bëjnë qytetin.
Mbetet të shpresojmë që udhëheqësit e komunës tonë do ta shohin rëndësinë e kësaj ideje dhe do të nisin procedurat që Ulqini ndërkombëtarisht të njihet si Dulcigno. Por ne të tjerëve, derisa presim që kjo ide të lëshojë rrënjë tek vendimmarrësit, mund ta luajmë rrolin tonë duke përdorur Dulcigno në vend të Ulcinj në të gjitha materialet në gjuhët e huaja.
Nëse Crna Gora mund të jetë Montenegro atëherë edhe Ulcinj mund të jetë Dulcigno!

Petrit Llunji

Të fundit

më të lexuarat