Podgoricë – Bisedimet për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, të mbajtura të mërkurën (4 janar 2023) kanë dështuar, sepse shumica parlamentare e përbërë nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA nuk kanë arritur marrëveshje.
Në fund të takimit, mandatori i propozuar nga Kuvendi i Malit të Zi për formimin e Qeverisë së re, deputeti Miodrag Lekiq, njëherazi kryetar i DEMOS-it, ka deklaruar se nuk do të ketë qeveri të re.
“Kam thënë se qeveria do të jetë serioze, ose nuk do të ketë qeveri. Pra, nuk do të ketë (qeveri), kurse kush ka qenë serioz le ta gjykojnë qytetarët”, ka thënë ai.
Forcat që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Malit të Zi kanë akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e bisedimeve. Fronti Demokratik ka akuzuar Lëvizjen Qytetare URA dhe Partinë Popullore Socialiste në pushtet, të cilat nuk i kanë dhënë nënshkrimet për thirrjen e seancës së Kuvendit në të cilën do të votohej për Qeverinë e re. Ndërkohë që nga këto dy parti politike janë përgjigjur se kjo ka ndodhur për shkaqe parimore dhe konceptuale, sepse nuk është paraqitur program konkret, gjegjësisht prioritetet dhe synimet e Qeverisë së re.
Bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, i ka kritikuar po ashtu përpjekjet dhe mënyrën e formimit të një qeverie të re në bazë të Ligjit të ndryshuar të Presidentit, i cili ia shkurton kompetencat kreut të shtetit, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e një qeverie të tillë.
Më herët, pas emërimit mandator për formimin e qeverisë së re nga Kuvendi i Malit të Zi, më 29 dhjetor të vitit të kaluar, Lekiq kishte deklaruar se afati për këtë është 20 janari.
Pas dështimit të bisedimeve duket se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë gjithnjë e më afër dhe mundësia e vetme për daljen nga kriza politike.
Në pranverë të këtij viti Presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i përfundon mandati. Prandaj si një prej mundësive shikohet edhe ajo që zgjedhjet eventuale të parakohshme parlamentare në Malin e Zi të mbahen në të njëjtën ditë me ato presidenciale.
(Kohapress)