Rrëfime mbi historinë e Kosovës dhe përjetimet e luftës

Autori Baton Haxhiu tha se te shqiptarët e Malit të Zi dëshiron të ndërtojë rrëfimin për Kosovën dhe Shqipërinë, që ata ta shohin se çfarë ka ndodhur realisht

“Kosova – historia që zhbëri Jugosllavinë“ dhe “Brenda luftës“ janë dy titujt e librave të autorit, gazetarit dhe analistit nga Kosova, Baton Haxhiu, që u promovuan të shtunën mbrëma, më 14 nëntor 2026, në hapësirat e Hotelit “Hilton” në Podgoricë.
Në prani të një numri të vogël pjesëmarrësish në sallë, fjalën përshëndetëse dhe të mirëseardhjes e mbajti Marash Dukaj, i cili e falënderoi autorin dhe botuesin që kishin zgjedhur të vinin këtu për të promovuar këta libra, pasi, siç tha ai, shqiptarët në Malin e Zi janë pjesë e kësaj harte të promovimit të librave dhe të kulturës shqiptare.
Në emër të botuesit, foli Henri Çili, përfaqësues i Fondacionit UET Press – Tiranë, i cili ishte njëkohësisht moderator i mbrëmjes dhe bashkëbisedues me autorin.
Ai e cilësoi autorin e veprave një personalitet eminent në skenën publike shqiptare dhe një gazetar mbarëshqiptar.
Ndërkaq, autori i librave, Baton Haxhiu, në prononcimin për gazetën “Koha javore”, u shpreh se përmes këtyre veprave i sjell lexuesit të kaluarën e shkruar në kohën kur ka ndodhur.
Librin e parë “Kosova – historia që zhbëri Jugosllavinë“ thotë se e ka shkruar mbi dokumentet e shumë burimeve, dhe të dytin “Brenda luftës”, që është prezenca e tij, që nga shkronja e parë deri tek e fundit.
Libri “Brenda luftës” përmban 34 rrëfime personale të autorit, që sjellin kujtime dhe përjetime nga periudha para dhe gjatë Luftës së Kosovës, deri në vitin 1999.
I pyetur se çfarë e ka frymëzuar që t’i vihet kësaj pune për të jetësuar këto dy vepra, autori tha se gjeneratat e reja në Shqipëri dhe Kosovë nuk kanë njohuri për të kaluarën dhe shpesh refuzojnë ta mësojnë dhe të dinë se çfarë ka ndodhur. Kjo, sipas tij, është një ndër arsyet për këto dy vepra.
“Më është dashur të ulem që së paku të ndërtoj rrëfimin e gjithë asaj që ka ndodhur, me prezencën time. Dhe prezenca ime i jep fuqi ngjarjes, i jep fuqi edhe vuajtjes, dhimbjes, fitores dhe të gjitha të tjerave”, shprehet autori.
Në përgjigje të pyetjes nëse është bërë mjaftueshëm në trajtimin e ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, ai tha se në të ardhmen nuk duhet të bëhen libra vetëm mbi ato të burimeve ish-komuniste, sepse, sipas tij, problemi i Kosovës, çështja dhe brendia e saj nuk mund të shkruhen pa arkivat e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë etj.
Autori i librave “Brenda luftës“ dhe “Kosova – historia që zhbëri Jugosllavinë“, Baton Haxhiu, tha se te shqiptarët e Malit të Zi dëshiron të ndërtojë rrëfimin për Kosovën dhe Shqipërinë, që ata ta shohin se çfarë ka ndodhur realisht.
“Dhe unë jam përpjekur që me këta dy libra shqiptarëve këtu në Mal të Zi t’iu jap një të vërtetë”, theksoi autori.
Ai më tej shtoi se, po të ishin përkthyer këta dy libra, të gjithë banorët e Malit të Zi do ta mësonin të vërtetën se çfarë realisht ka ndodhur në Kosovë.
Në fund, autori apeloi që të lexohen këta libra, të cilët, sipas tij shërbejnë për të mësuar të kaluarën, për të qenë rehat sot.

t.u.

Të fundit

më të lexuarat