Në mjediset e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, të mërkurën e kaluar (11 nëntor 2026) u mbajt ligjërata edukuese me temë “Parandalimi i ketoacidozës diabetike”, e organizuar nga Shoqata e Diabetikëve “Rrethi i Kaltër” me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, në kuadër të aktiviteteve me rastin e Ditës Botërore të Diabetit.
Ligjërata u mbajt nga Dr. Rajmond Gjonaj, i cili para të pranishmëve shpjegoi rëndësinë e zbulimit të hershëm të ketoacidozës diabetike, një ndër komplikimet më serioze të diabetit, e cila mund të rrezikojë jetën nëse nuk trajtohet me kohë.
Gjatë ligjëratës, Dr. Gjonaj sqaroi se ketoacidoza diabetike shfaqet kur organizmi nuk ka insulinë të mjaftueshme për të shfrytëzuar glukozën si burim energjie. Në këto rrethana, trupi fillon të shpërbëjë yndyrnat, duke prodhuar ketone, të cilat nëse grumbullohen në sasi të mëdha në gjak, shkaktojnë një çrregullim serioz metabolik.
Duke folur për faktorët që mund të nxisin shfaqjen e kësaj gjendjeje, ai theksoi se ndër shkaqet më të shpeshta janë infeksionet, mosmarrja ose ndërprerja e insulinës, temperatura e lartë trupore dhe stresi fizik. Si faktorë të tjerë rreziku përmendi edhe ndërhyrjet kirurgjikale, sulmin në zemër, konsumimin e alkoolit dhe keqpërdorimin e barnave.
Dr. Gjonaj u ndal edhe te simptomat që duhet të shërbejnë si sinjal alarmi për pacientët, si etja e theksuar, urinimi i shpeshtë, të përzierat dhe të vjellat, dhimbjet e barkut, lodhja, vështirësitë në frymëmarrje, si dhe era e pazakontë e frymës. Ai theksoi rëndësinë e kontrollit të nivelit të sheqerit në gjak dhe të ketoneve, duke nënvizuar se ketoacidoza diabetike kërkon trajtim urgjent mjekësor.
Në pjesën e parandalimit u theksua se një rol vendimtar kanë marrja e rregullt e insulinës sipas udhëzimeve të mjekut, monitorimi i vazhdueshëm i glukozës në gjak dhe reagimi i duhur gjatë infeksioneve apo gjendjeve të tjera që mund të çrregullojnë kontrollin e diabetit.
Takimi u shoqërua edhe me një bashkëbisedim të hapur, gjatë të cilit pjesëmarrësit patën mundësi të parashtronin pyetje dhe të ndanin shqetësimet e tyre lidhur me sfidat e përditshme të jetesës me diabet në Ulqin.
Një nga çështjet e ngritura nga pjesëmarrësit ishte nevoja që në Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin të mundësohet prania e një specialisti endokrinolog, të paktën një herë në muaj, për kontrolle rutinë dhe ndjekjen më të afërt të pacientëve me diabet. Dr. Gjonaj e vlerësoi këtë propozim si të nevojshëm dhe të realizueshëm, duke theksuar se për konkretizimin e tij nevojitet koordinim dhe bisedime të mëtejshme me drejtorinë e Shtëpisë së Shëndetit.
Në përfundim të aktivitetit, për të gjithë diabetikët e pranishëm u shpërndanë aparate për matjen e nivelit të sheqerit në gjak, si një ndihmë praktike për monitorimin dhe menaxhimin e përditshëm të sëmundjes.
Dafina Teliqi – Rexha
