Në mjediset e Librarisë ”Ulqini“, të enjten, më 12 nëntor 2026, është mbajtur punëtoria me temë ”Perspektiva gjinore e bashkësive lokale të Ulqinit“, me fokus në rëndësinë e përfshirjes së grave në aktivizmin qytetar, rrjetëzimin dhe ndikimin e tyre në bashkësitë lokale.
Aktiviteti u organizua nga OJQ “Punta Institute”, në kuadër të projektit ”Perspektiva gjinore e bashkësive lokale të Ulqinit“, i cili realizohet me mbështetjen financiare të Komunës së Ulqinit.
Punëtoria u hap me fjalimet përshëndetëse, ku të pranishmëve iu drejtuan Mirjeta Gjoni – sekretare për Vetëqeverisjen Lokale, Merita Subashiq – sekretare për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, Edon Çaushi – përfaqësues i Sekretariatit për Sport dhe Rini, këshilltarja në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, Jasmina Hasa, si dhe Hadixha Gjoni, kryetare e OJQ ”Punta Institute“.
Në vazhdim u zhvillua paneli me temë ”Aktivizmi qytetar i grave: rrjetëzimi, avokimi dhe ndikimi në bashkësitë lokale“. Në panel morën pjesë Mirjeta Gjoni, sekretare për Vetëqeverisjen Lokale, dhe Ardita Rama, udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit, ndërsa diskutimin e moderoi Hadixha Gjoni.
Kryetarja e OJQ “Punta Institute“, Hadixha Gjoni, theksoi se përmes këtij aktiviteti synohet të promovohet pjesëmarrja aktive e grave në jetën publike dhe qytetare, të fuqizohet roli i tyre në bashkësitë lokale, si dhe të nxitet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Sekretarja për Vetëqeverisjen Lokale në Komunën e Ulqinit, Mirjeta Gjoni, ka thënë se është shqetësues fakti se në nivelin e vetëqeverisjes lokale ende nuk kemi asnjë grua në pozitën e kryetares së bashkësive lokale, ndërsa përfaqësimi i grave në organet vendimmarrëse mbetet një sfidë që kërkon më shumë angazhim dhe përkushtim.
“Kjo dëshmon se duhet të punojmë më shumë për krijimin e mundësive reale që gratë të jenë jo vetëm pjesëmarrëse, por edhe udhëheqëse dhe vendimmarrëse”, u shpreh ajo.
Ndërkaq, udhëheqësja e Bibliotekës së Qytetit – Ulqin, Ardita Rama, ka theksuar se fuqizimi i grave nuk është vetëm çështje përfaqësimi, por edhe mundësi për të dëshmuar dije, profesionalizëm dhe aftësi në çdo fushë të jetës shoqërore.
“Nuk kërkojmë privilegje, por mundësi të barabarta për të marrë përgjegjësi, për të udhëhequr dhe për të kontribuuar me dinjitet e meritë. Besoj se suksesi i një gruaje nuk duhet të shihet si konkurrencë, por si frymëzim për të tjerat. Prandaj, kemi përgjegjësi të hapim rrugë, të mbështesim njëra-tjetrën dhe të krijojmë hapësira ku vajzat dhe gratë jo vetëm të marrin pjesë, por edhe të jenë vendimmarrëse dhe bartëse të ndryshimit. Sepse rruga që hapim me guxim, punë dhe këmbëngulje merr vlerën e saj të vërtetë atëherë kur ua lehtëson rrugën edhe atyre që vijnë pas nesh”, u shpreh ajo.
Dafina Teliqi – Rexha
