Një përgjegjësi e vazhdueshme ndaj shoqërisë

Në këtë realitet të ri, nuk mjafton që përmbajtja mediatike të jetë vetëm në gjuhën amtare. Ajo duhet të jetë gjithashtu relevante për interesat e publikut, vizualisht tërheqëse dhe e shpërndarë në platformat ku të rinjtë janë më të pranishëm. Përndryshe, mediet e pakicave rrezikojnë të humbasin jo vetëm kontaktin me lexuesit dhe shikuesit, por edhe rolin e tyre në përcjelljen e identitetit, gjuhës dhe vlerave shoqërore te brezat e rinj

Ali Salaj

Mediet në gjuhën shqipe në Malin e Zi kanë një rëndësi të veçantë në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës shqipe. Njëkohësisht, ato luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e informimit të drejtë dhe të paanshëm për qytetarët, në një mjedis të karakterizuar nga shumëllojshmëria etnike dhe kulturore. Përtej funksionit informues, këto medie përbëjnë një instrument të rëndësishëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare dhe mbrojtjen nga diskriminimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Rëndësia e medieve të pakicave qëndron edhe në faktin se ato mbulojnë një hapësirë informimi që shpesh mbetet jashtë vëmendjes së medieve në gjuhën e shumicës. Ngjarjet lokale, kulturore dhe kombëtare të komuniteteve pakicë nuk marrin gjithmonë hapësirën e duhur në mediet kryesore, për shkak të veçorive të tyre dhe vëllimit të madh të informacionit që këto medie trajtojnë. Edhe kur problemet e pakicave bëhen pjesë e raportimit të medieve të shumicës, ato shpesh paraqiten përmes një qasjeje sensacionaliste, me korniza të ngushta dhe negative, të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të njëanshme në perceptimin publik.
Megjithatë, mediet në gjuhën shqipe përballen me sfida të shumta, veçanërisht në përshtatjen me zhvillimet teknologjike dhe transformimin digjital. Kjo sfidë bëhet edhe më e dukshme kur merret parasysh fakti se të rinjtë po i konsumojnë gjithnjë e më shumë përmbajtjet mediatike përmes platformave digjitale dhe algoritmeve që përcaktojnë atë që u shfaqet në ekran.
Në këtë realitet të ri, nuk mjafton që përmbajtja mediatike të jetë vetëm në gjuhën amtare. Ajo duhet të jetë gjithashtu relevante për interesat e publikut, vizualisht tërheqëse dhe e shpërndarë në platformat ku të rinjtë janë më të pranishëm. Përndryshe, mediet e pakicave rrezikojnë të humbasin jo vetëm kontaktin me lexuesit dhe shikuesit, por edhe rolin e tyre në përcjelljen e identitetit, gjuhës dhe vlerave shoqërore te brezat e rinj.
Përballimi i këtyre sfidave kërkon profesionalizëm të mirëfilltë në gazetari. Ky profesionalizëm nuk mund të mbështetet vetëm në arsimimin adekuat të gazetarëve, por kërkon edhe ngritje të vazhdueshme të standardeve profesionale, zhvillim të aftësive të specializuara dhe përvetësim të njohurive të reja teknologjike. Shkëmbimi i përvojave dhe përmbajtjeve, organizimi i trajnimeve të përbashkëta me mediet e mëdha kombëtare, si dhe krijimi dhe zbatimi i kornizave etike janë elemente thelbësore për zhvillimin e gazetarisë profesionale.
Profesionalizmi dhe përgjegjësia duhet të jenë përparësi e padiskutueshme, ndërsa sensacionalizmi duhet të mbetet i papranueshëm në gazetarinë e pakicave. Këto medie kanë përgjegjësinë të shërbejnë si platforma të hapura për trajtimin e çështjeve që lidhen me përdorimin e gjuhës dhe të shkrimit shqip, pozitën politike të komunitetit, punën dhe veprimtarinë e institucioneve të pakicave, si dhe nismat kulturore, arsimore dhe shoqërore. Përmes këtij funksioni, ato kontribuojnë në informimin e qytetarëve, në forcimin e identitetit dhe në zhvillimin e një debati publik të shëndoshë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është pluralizmi i brendshëm. Mediet në gjuhën shqipe nuk duhet të shndërrohen në struktura të njëjta, të cilat ndjekin dhe kopjojnë modelet e njëra-tjetrës. Përkundrazi, ato duhet të promovojnë larminë e mendimeve dhe të qëndrimeve, duke pasqyruar diversitetin që ekziston brenda vetë komunitetit shqiptar.
Asnjë pakicë kombëtare nuk është homogjene. Edhe brenda një grupi të caktuar etnik, gjuhësor apo fetar ekzistojnë mendime, interesa, bindje politike dhe shtresëzime të ndryshme sociale, të cilat duhet të gjejnë hapësirën e tyre në mediet e komunitetit. Kjo qasje është thelbësore për të garantuar një informim të balancuar, etik dhe demokratik, duke shmangur paraqitjen e pakicave si një bllok i vetëm, me interesa dhe qëndrime të njëjta.
Homogjenizimi i mendimit dhe mospasqyrimi i diversitetit të brendshëm i shkaktojnë një dëm të konsiderueshëm gazetarisë. Një media që nuk u jep hapësirë mendimeve të ndryshme rrezikon të humbasë funksionin e saj si platformë e debatit publik dhe të shndërrohet në një instrument të njëanshëm komunikimi.
Në këtë kontekst, besueshmëria përbën një nga shtyllat themelore të gazetarisë profesionale. Ajo nënkupton shkallën në të cilën publiku i beson një mediumi dhe informacionit që ai përcjell. Lajmi i saktë, i ndershëm, i paanshëm dhe i mbështetur në fakte të verifikuara është themeli mbi të cilin ndërtohen etika dhe profesionalizmi në media.
Besueshmëria forcohet kur media pasqyron realitetin e komunitetit në mënyrë të paanshme, pa zbukurime dhe ekzagjerime, duke trajtuar problemet reale në të gjitha fushat e jetës së tij. Një gazetari e tillë nuk kufizohet vetëm në përcjelljen e ngjarjeve, por kontribuon edhe në identifikimin e problemeve, nxitjen e debatit dhe kërkimin e përgjegjësisë nga institucionet.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në epokën digjitale, kur lajmet e rreme (fake news) dhe dezinformatat përhapen me shpejtësi të madhe. Në këtë mjedis, besueshmëria është një nga elementet kryesore që e dallon gazetarinë profesionale nga postimet e pakonfirmuara dhe propaganda në rrjetet sociale. Publiku duhet të jetë në gjendje të dallojë informacionin e verifikuar nga përmbajtjet manipuluese, ndërsa mediet profesionale kanë përgjegjësinë të ofrojnë standarde të larta të saktësisë dhe transparencës.
Besimi i publikut fitohet ndër vite, përmes punës së ndershme, përgjegjësisë dhe respektimit të standardeve etike, por mund të humbasë shumë shpejt në rastet kur një gazetar apo një media shpërndan dezinformata ose përpiqet të manipulojë opinionin publik. Prandaj, besueshmëria nuk është vetëm një vlerë profesionale, por edhe një përgjegjësi e vazhdueshme ndaj shoqërisë.
Gazetaria njihet si “pushteti i katërt” dhe luan rolin e rojtarit të shoqërisë, duke mbikëqyrur pushtetin, duke nxitur transparencën dhe duke kontribuuar në mbrojtjen e interesit publik. Kur media humbet besueshmërinë, pasojat nuk kufizohen vetëm në marrëdhënien e saj me publikun. Ato mund të ndikojnë edhe në dobësimin e besimit tek institucionet dhe te vetë demokracia.
Për këtë arsye, profesionalizmi, pluralizmi dhe besueshmëria duhet të përbëjnë bazën e funksionimit të medieve në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Vetëm përmes gazetarisë së përgjegjshme, të pavarur dhe të orientuar drejt interesit publik, këto medie mund të ruajnë rolin e tyre si mbrojtëse të gjuhës dhe identitetit, si dhe si faktorë të rëndësishëm të zhvillimit demokratik të shoqërisë.

Të fundit

më të lexuarat