
22 Nëntori nuk është vetëm një datë në kalendarin tonë kombëtar. Është dita kur kujtojmë një nga vendimet më të rëndësishme të historisë sonë kulturore: bashkimin e shqiptarëve rreth një alfabeti të përbashkët.
Në nëntorin e vitit 1908, në Manastir, intelektualë, patriotë dhe veprimtarë shqiptarë u mblodhën me një qëllim të madh: t’i jepnin gjuhës shqipe një alfabet të njësuar. Ishte një vendim që shkonte përtej shkronjave. Ai shënonte një hap të rëndësishëm drejt bashkimit kulturor, zhvillimit të arsimit kombëtar dhe forcimit të vetëdijes shqiptare.
Sot, më shumë se një shekull pas Kongresit të Manastirit, kemi arsye të festojmë por edhe të ndalemi e të reflektojmë. Sepse alfabetin e kemi, gjuhën e kemi, por a po e përdorim dhe po e ruajmë atë me përgjegjësinë që kërkon koha?
Tekstet shkollore – pasqyra e gjuhës që u përcjellim brezave
Një nga çështjet që meriton vëmendje të veçantë është përdorimi i gjuhës shqipe në tekstet shkollore. Teksti shkollor nuk është vetëm një mjet për të përcjellë njohuri. Ai është edhe model gjuhësor, kulturor dhe komunikues për nxënësit.
Pikërisht për këtë arsye, cilësia e gjuhës në tekstet mësimore duhet të jetë një përparësi e sistemit arsimor. Përkthimet jo gjithmonë të natyrshme, terminologjia e paunifikuar, gabimet drejtshkrimore dhe formulimet e ndërlikuara mund të krijojnë vështirësi në të nxënit dhe në zhvillimin e shprehive gjuhësore.
Kjo çështje merr rëndësi të veçantë në mjediset ku nxënësit mësojnë në gjuhën shqipe, por jetojnë në një realitet shumëgjuhësh, siç është Mali i Zi. Në këto rrethana, sigurimi i teksteve cilësore në gjuhën shqipe nuk është thjesht një çështje teknike e botimit. Kjo është çështje e barazisë arsimore, e dinjitetit gjuhësor dhe e së drejtës për të mësuar në gjuhën amtare.
Duhet të shtrohet një pyetje e rëndësishme: a po u ofrojmë nxënësve tekste që jo vetëm u japin njohuri, por edhe i mësojnë të mendojnë, të shkruajnë dhe të komunikojnë drejt në gjuhën shqipe?
Të rinjtë dhe gjuha në epokën digjitale
Një tjetër sfidë është mënyra se si brezi i ri e përdor gjuhën. Rrjetet sociale, komunikimi i shpejtë elektronik dhe ndikimi i gjuhëve të tjera kanë ndryshuar dukshëm mënyrën e komunikimit të të rinjve.
Shkurtesat, fjalët e huaja, përzierja e gjuhëve dhe përdorimi i një shqipeje të pakujdesshme janë bërë pjesë e komunikimit të përditshëm. Natyrisht, gjuha është një organizëm i gjallë dhe ndryshimi është pjesë e zhvillimit të saj. Nuk duhet ta shohim çdo fjalë të huaj apo çdo formë të re komunikimi si kërcënim. Megjithatë, shqetësimi lind atëherë kur i riu fillon të ketë vështirësi të shprehë mendimet e veta në mënyrë të qartë, të argumentojë një ide apo të shkruajë një tekst të rregullt në gjuhën amtare.
Në këtë realitet, përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm të rinjve. Familja, shkolla, institucionet kulturore dhe mediet kanë rolin e tyre. Nuk mund t’u kërkojmë të rinjve të flasin dhe të shkruajnë drejt nëse vetë nuk u ofrojmë shembuj të mirë gjuhësorë.
Shkolla duhet të jetë vendi ku gjuha nuk mësohet vetëm si rregull gramatikor, por përdoret si mjet i të menduarit, i krijimtarisë dhe i komunikimit. Nxënësit duhet të nxiten të lexojnë libra, të shkruajnë ese, të zhvillojnë debate, të përgatisin gazeta shkollore dhe të përdorin shqipen edhe në hapësirën digjitale.
Shqipja në Mal të Zi – një përgjegjësi që kërkon më shumë vëmendje
Për shqiptarët në Mal të Zi, ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe ka një domethënie të veçantë. Ajo është pjesë e identitetit kulturor dhe e vazhdimësisë ndërmjet brezave.
Në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci dhe në vendbanimet e tjera ku jetojnë shqiptarët, gjuha shqipe është pjesë e jetës familjare, arsimore dhe kulturore. Por përdorimi i saj kërkon përkujdesje të vazhdueshme, veçanërisht në arsim. Për fat të keq, gjuha shqipe në Plavë po humbet dhe kjo përbën një shqetësim serioz.
Nevojitet një angazhim më i madh për përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore në shqip, për terminologji të qëndrueshme në të gjitha lëndët, për përkthime profesionale dhe për botimin e materialeve bashkëkohore që u përgjigjen nevojave të nxënësve.
Po ashtu, duhet të krijohen më shumë hapësira ku të rinjtë mund ta përdorin shqipen në mënyrë aktive: në bibliotekat shkollore, në projektet kërkimore, në aktivitetet letrare, në mediet lokale dhe në platformat digjitale.
Nuk mjafton që gjuha shqipe të jetë e pranishme në orarin mësimor. Ajo duhet të jetë e pranishme në jetën intelektuale dhe krijuese të të rinjve.
Nga kujtesa historike drejt përgjegjësisë së sotme
Kongresi i Manastirit na la një trashëgimi të çmuar. Ata që u mblodhën në vitin 1908 e kuptuan se pa një gjuhë të njësuar dhe pa arsim në gjuhën amtare, zhvillimi kulturor i një populli do të ishte shumë më i vështirë.
Sot sfida është ndryshe. Nuk kemi më të njëjtën betejë për alfabetin, por kemi përgjegjësinë për cilësinë, pasurimin dhe përdorimin e gjuhës. Nuk mjafton të përkujtojmë Kongresin e Manastirit me aktivitete festive, programe kulturore dhe fjalime solemne; duhet që kjo ditë të shndërrohet në një nxitje për veprim konkret.
Ndoshta pyetja më e rëndësishme që duhet t’ia bëjmë vetes në këtë 22 nëntor është: çfarë po bëjmë ne sot për gjuhën që brezat e mëparshëm e ruajtën dhe e zhvilluan me aq përkushtim?
Alfabeti na bashkoi, por gjuha na mban të lidhur çdo ditë. Dhe nëse duam që shqipja të mbetet gjuhë e gjallë edhe për brezat që vijnë, ajo duhet të lexohet, të shkruhet, të mësohet dhe të përdoret me dinjitet.
22 Nëntori nuk duhet të jetë vetëm dita kur kujtojmë shkronjat që na bashkuan, por edhe dita kur pyesim veten se çfarë po bëjmë për fjalën shqipe sot.
