Të mësojmë të bashkohemi rreth asaj që është e drejtë

Mendoj se paqja është një nga shprehjet më të larta të inteligjencës njerëzore. Të jetosh në paqe nuk do të thotë të mos kesh mendime të ndryshme, por të dish t’i pranosh ato pa e shndërruar ndryshimin në armiqësi

Kaltrina Hoti

Në këtë botë ku jetojmë, njeriu ka arritur të zbulojë shumë gjëra. Ka zhvilluar shkencën, teknologjinë, ka eksploruar hapësirën dhe ka arritur të kuptojë shumë nga misteret e natyrës. Por, pavarësisht gjithë kësaj inteligjence, ende nuk ka mësuar të jetojë në paqe me njëri-tjetrin.
Njeriu jeton në një vend jo vetëm për të pasur një hapësirë ku të ndërtojë jetën e tij, por edhe për të zbuluar pasuritë që e rrethojnë, për t’i kuptuar dhe për t’i ndarë me të tjerët, me sinqeritet dhe respekt. Pse, atëherë, egoizmi, lakmia dhe dëshira për pushtet vazhdojnë të jenë më të forta se dëshira për të jetuar në paqe? Çfarë e shtyn njeriun të luftojë për pronë, për territor, për kufij dhe për pushtet? Çfarë fiton në fund, kur për këto interesa sakrifikon jetën, dinjitetin dhe të ardhmen e njerëzve?
Kufijtë mund t’i ndajnë shtetet, por nuk duhet të jenë arsyeja që dy popuj të mos respektojnë njëri-tjetrin. Toka ka aq shumë bukuri për t’u zbuluar, aq shumë pasuri për t’u mbrojtur dhe aq shumë hapësirë për të gjithë. Pse duhet të mendojmë vetëm se si ta zotërojmë atë, në vend që të mësojmë ta jetojmë dhe ta ruajmë?
Mendoj se paqja është një nga shprehjet më të larta të inteligjencës njerëzore. Të jetosh në paqe nuk do të thotë të mos kesh mendime të ndryshme, por të dish t’i pranosh ato pa e shndërruar ndryshimin në armiqësi.
Ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga ata që janë në pushtet. Ai mund të fillojë edhe nga njerëzit e zakonshëm, nga mënyra se si mendojmë, si sillemi dhe si reagojmë ndaj padrejtësive.
Shpesh, njerëzit që kanë luftuar për liri, drejtësi dhe njerëzillëk, pas shumë përpjekjesh lodhen. Të lodhesh nga lufta për ndryshim nuk do të thotë se ke humbur besimin tek e drejta, por ndonjëherë do të thotë se ke humbur besimin te mundësia për ta arritur atë. Dhe pikërisht këtu lind një tjetër problem: kur njerëzit tërhiqen, kur heshtin dhe fillojnë të besojnë se asgjë nuk mund të ndryshojë, ata pa e kuptuar ua lënë të tjerëve të drejtën për të vendosur në emër të tyre.
Por fuqia nuk duhet t’u lihet vetëm atyre që e kanë marrë në duart e tyre. Ajo është edhe te njerëzit e zakonshëm. Sikur njerëzit e zakonshëm ta kuptonin se mundësia për të sjellë ndryshime qëndron edhe në duart e tyre, atëherë nuk do t’ua linin të tjerëve të drejtën për të vendosur gjithmonë në emër të tyre.
Ne duhet të mësojmë të bashkohemi rreth asaj që është e drejtë, të mos lejojmë që zëri ynë të shkelet dhe të mos pranojmë padrejtësinë vetëm sepse na duket se nuk kemi fuqi ta ndryshojmë.
Ndoshta problemi më i madh i njeriut është se ka harruar të jetojë. Ka harruar se jeta nuk është vetëm të fitosh, të zotërosh apo të kesh më shumë se të tjerët. Jeta është të përjetosh, të ndash, të respektosh dhe të kuptosh se edhe tjetri ka të drejtë të jetojë me dinjitet.
Nuk duhet ta shpenzojmë kohën tonë duke luftuar për ta zotëruar botën, kur mund ta shfrytëzojmë atë kohë për ta përjetuar jetën.
Në fund, nuk është pushteti ai që ia jep kuptimin jetës së njeriut, por mënyra se si ai zgjedh ta jetojë atë.

Të fundit

më të lexuarat