Kapedani Nazif Shabani u lind më 9 qershor të vitit 1939 në shtëpinë e familjes së tij në Kalanë e Ulqinit, nga nëna Vasfija (e lindur Lazoja). Nazif Shabani ishte djali i parë i Hysni Shabanit dhe nipi i Riza Shabanit – të tre kapedanë të shquar anijesh kudo që kanë lundruar.
Edhe pse ai me të drejtë kishte dëshirë ta quanin Kapo, unë me zemër e thirrja Daja Nazif. Krahas kësaj, fatmirësisht ne dy kishim një kimi të jashtëzakonshme. Shumë shpesh vinte në shtëpinë e motrës së tij Nazires (gjyshja ime) për ta vizituar, ku shfrytëzonte rastin për të na këshilluar rreth çështjeve të ndryshme, si për profesionet tona të ardhme por edhe për sjellje e moral. Me kënaqësi bashkëbisedonim në gjuhën angleze, të cilën e fliste rrjedhshëm e në këtë mënyrë njihej me nivelin e njohjes së kësaj gjuhe nga ne (unë dhe vëllai im – atëherë nxënës të shkollës fillore).
Gjatë sezonit veror, pothuajse gjithmonë vinte i veshur me kostum ngjyrë bezhë, i përbërë nga këmisha me mëngë të shkurtra dhe pantallonat në të njëjtën ngjyrë. Gjithmonë, përpara se të ulej i çonte pantallonat nga gjunjtë e sipër që të mos bëhen “me gjunjë”. Mund të duket një detaj i parëndësishëm, por me këtë dua të dëshmoj se sa pedant ka qenë.
Në qafë mbante varëse ari me një detaj të spirancës. E mbaj mend që kishte edhe tatuazh me të njëjtën tematikë.
Ndiqte një stil të shëndetshëm jetese, ishte konsumator dhe vizitor i rregullt i pazarit të gjelbër në Ulqin dhe i donte shumë produketet e shëndetshme vendore.
Ishte një nga përkrahësit e mi më të mëdhenj, duke ndjekur punën time si gazetare, ku shpesh më telefononte për të më përgëzuar ose për të pyetur se çfarë nuk po shkonte siç duhej kur bëja ndonjë pauzë më të gjatë nga puna.
E doja sepse jam rritur me praninë e tij në jetën time. Ishte daja i babait tim të ndjerë. Babai im (nipi i tij) i ngjasonte shumë. Ishin shumë të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe e urrenin gënjeshtrën. Babai im ka qenë nipi i tij (djali i motrës së tij të parë) dhe kur fliste për Daja Nazifin, gjithmonë thoshte që e vlerësonte shumë për tiparet që e karakterizonin si dhe për kujdesin që tregonte ndaj tij.
“Sa herë kthehej nga deti, më sillte nga diçka të artë” – thoshte baba për Daja Nazifin.
Nazif Kapo Shabani ndërroi jetë më 18 tetor të këtij viti. Në “lundrimin” e tij të përhershëm shkoi i qetë, vetëm disa muaj pas shoqes së tij të jetës Esma (Ese). Pas vetes la tre djem: Rizanë, Farukun dhe Agronin.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
Zoti e faltë dhe e mëshiroftë me shkallën më të lartë të Xhenetit Firdeus!
Arjona Resulani
