Shoqata “Penda” organizoi të shtunën, më 26 shtator 2026, në Shtëpinë Muze “Dedë Gjo’ Luli”, një aktivitet kulturor me rastin e 111-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Dedë Gjon Luli.
Në aktivitet, në prani të figurave nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore, akademike e politike, folën Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Mark Junçaj dhe Marjan Lulgjuraj.
Fillimisht, të pranishmit, në emër të Shoqatës “Penda” i përshëndeti Dr. Anton Gjokaj, i cili tha se Dedë Gjon Luli është dhe do të mbetet simbol i qëndresës, i guximit dhe i dashurisë së pakusht për lirinë dhe popullin e vet.
“Duke e përkujtuar atë, mbajmë gjallë idealet që na bashkojnë edhe sot dhe me dritën e tyre ndriçojmë të ardhmen”, theksoi Gjokaj.
Ndërkohë, këtë organizim e përshëndeti Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, Gjergj Leqejza, i cili e cilësoi heroin kombëtar Dedë Gjon Luli simbol të atdhedashurisë, vetëmohimit dhe sakrificës për të dyja pjesët shqiptare, këndej dhe andej kufirit.
Ndërkaq, historiani Mark Junçaj, në kumtesën e tij “Veprimtaria e Dedë Gjo’ Lulit nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri te shpallja e Pavarësisë” u shpreh se Malësia e Madhe, që nga momenti i rënies së saj nën sundimin osman dhe deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ishte njëra ndër krahinat më kryengritëse shqiptare.
“Pikërisht në këtë trevë kryeneçe, në trevën e Hotit, lindi në vitin 1840 biri i vetëm i Gjon Lulit – Dedvukaj, Deda. Sa i përket fëmijërisë dhe rinisë së Dedë Gjo’ Lulit, deri te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, burimet janë të pakta, andaj nuk kemi të dhëna të mjaftueshme. Dihet se Deda në vitin 1842 mbeti jetim, ngase i vdiq i ati Gjoni, ashtu që u rrit në shtëpinë e axhës, Gjelosh Lulit, nën përkujdesjen e bashkëshortes së tij, Dilë Hasanës. Deda u rrit në një frymë patriotike dhe shumë shpejt krijoi familjen me Prendë Gjeloshen nga Gruda, me të cilën pati dy djem: Kolën dhe Gjergjin, si dhe dy vajza: Narën dhe Mirën”, tha Junçaj.
Duke folur për figurën e Dedë Gjon Lulit, Junçaj u shpreh se emri i Dedës është i lidhur ngushtë me ngjarjet më të rëndësishme, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te vrasja e tij, jo vetëm të Hotit apo të Malësisë së Madhe, por edhe të Shqipërisë.
“Sidomos është personi me të cilin lidhet ngushtë Kryengritja e Malësisë së Madhe, kështu që në rast se nuk e përmendim Dedën e flasim për kryengritjen, kemi lënë diçka anash. Dedë Gjo’ Luli nuk është vetëm i Hotit apo i Malësisë së Madhe, por është një ndër shtyllat e pavarësisë së Shqipërisë, sepse atdhetarët si Deda janë ata që na e bënë Shqipërinë shtet. Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e Ismail Qemalit për Dedën, i cili u shpreh se ‘Dedë Gjo’ Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë’, tha Junçaj.
Historiani Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, në kumtesën e tij “Dedë Gjo’ Luli dhe Malësia e Madhe në vitet 1914-1915 – nga mbrojtja e Principatës te drama e kufirit shtetëror”, u shpreh se vitet 1914-1915 përbëjnë një prej periudhave më dramatike të historisë së shtetit shqiptar të sapokrijuar.
Ai, duke u ndalur te “Malësia e Madhe në vorbullën e viteve 1914-1915”, theksoi se gjendja e Malësisë së Madhe ishte edhe më dramatike.
“Për të kuptuar pozitën e Dedë Gjo’ Lulit në vitet 1914-1915 duhet të kemi parasysh se vendlindja dhe hapësira shoqërore mbi të cilën mbështetej autoriteti i tij kishin pësuar, vetëm pak muaj më parë, një copëtim të drejtpërdrejtë politik dhe territorial. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës e kishin ndarë Malësinë me një kufi të ri shtetëror, pjesa më e madhe e Hotit dhe e gjithë Gruda iu dhanë Malit të Zi, ndërsa Kelmendi mbeti brenda shtetit shqiptar”, tha Gurakuqi.
Ky nuk ishte thjesht një ndryshim harte, nënvizoi Gurakuqi, por për malësorët ishte ndarja e një hapësire historike, fisnore, ekonomike dhe shoqërore, ku kufiri i ri ndërpriste rrugë, prona, kullota, marrëdhënie familjare dhe komunikime të përdorura prej shekujsh.
“Për Hotin, tragjedia ishte edhe më e madhe: fisi i Dedë Gjo’ Lulit, që kishte qenë ndër shtyllat e kryengritjes kombëtare të vitit 1911, u nda dhe një pjesë e rëndësishme e truallit të tij historik mbeti jashtë Shqipërisë”, tha Gurakuqi.
Ai më tej theksoi se, kur në shtator-nëntor 1914 u vu në diskutim flamuri kombëtar dhe orientimi politik i qytetit të Shkodrës, malësorët nuk qëndruan mënjanë.
“Kjo është pikërisht hapësira historike ku duhet vendosur Dedë Gjo’ Luli. Ai vinte në Shkodër jo thjesht si heroi i Deçiqit i vitit 1911, por si prijësi i një Malësie tashmë të copëtuar, një pjese të së cilës i ishte imponuar pushteti malazez, ndërsa pjesa tjetër kërcënohej nga i njëjti zgjerim. Ai kishte shërbyer ndërkohë në mbrojtje të Principatës së Vidit (Wied-it) dhe, pas rënies së saj, gjendej në Gjuhadol mes elitës nacionaliste shqiptare. Në të njëjtën kohë, pas tij qëndronte një botë malësore e tronditur nga ndarja e vitit 1913, nga presioni ushtarak, izolimi ekonomik dhe pasiguria e vazhdueshme”, u shpreh ai.
Gurakuqi, duke folur për vrasjen e Dedës, tha se ai u vra në muajin tetor të vitit 1915, në Orosh të Mirditës.
Ai, mes tjerash, shpalosi edhe një dëshmi dokumentare, duke përshkruar depërtimin e serbëve dhe të forcave të Esad Pashë Toptanit në Mirditë, në shtator dhe tetor të vitit 1915.
“Dedë Gjo’ Luli, prijësi i Hotit, i cili kishte ardhur për të luftuar në mbrojtje të Oroshit të Mirditës, u vra siç duket në këtë rast prej serbëve, ndërsa djali i tij po në këtë rast u dorëzua nga serbët tek Esad Pasha. Pas mposhtjes së rezistencës serbët, siç duket, e evakuuan Oroshin duke ia lënë fushën e veprimit hapur Esad pashës. Pas këtij momenti pjesa më e madhe e Mirditës duket se ra në duart e serbëve ose të Esad pashës”, tha Gurakuqi duke cituar pjesë nga dëshmia arkivore britanike.
Në kumtesën me titull “Dedë Gjo’ Luli në ‘Lahutën e Malcis’ të At’ Gjergj Fishës – nga figura historike te heroi epik” Marjan Lulgjuraj u shpreh se “Lahuta e Malcis” përbën një nga veprat themelore të letërsisë shqiptare të fillimit të shekullit XX dhe një nga përpjekjet më të rëndësishme të Gjergj Fishtës për ta shndërruar historinë, traditën dhe botën shpirtërore të shqiptarëve në materie poetike.
“Brenda galerisë së personazheve të poemës, figura e Dedë Gjo’ Lulit paraqitet me një status të veçantë. Nëse shumë prej figurave të ‘Lahutës’ marrin pjesë në episode të veçanta, Dedë Gjo’ Lulit Fishta i kushton një këngë të tërë. Në Këngën XXVIII, Fishta e vendos Dedë Gjo’ Lulin në qendër të një prej episodeve më të rëndësishme të Kryengritjes së Malësisë. Kënga nis me lajmin se në Rapshë të Hotit Dedë Gjo’ Luli ka marrë armët kundër pushtetit osman. Ai paraqitet i vendosur dhe i vetëdijshëm për veprimin që po ndërmerr”, theksoi Lulgjuraj.
Ai tha, ndër të tjera, se një nga veçoritë më të rëndësishme të portretizimit të Dedë Gjo’ Lulit është procesi i heroizimit.
“Flamuri në këtë kontekst nuk është vetëm një objekt material. Ai shpreh identitetin dhe aspiratën për liri. Ngritja e tij në Deçiq është shndërruar në një nga simbolet e rëndësishme të historisë shqiptare. Në planin letrar, flamuri funksionon si shenjë e kalimit nga vetëdija lokale e Malësisë drejt një vetëdijeje më të gjerë kombëtare”, u shpreh Lulgjuraj.
Shoqata “Penda” është themeluar më 5 janar 2026 me qëllimin për të ruajtur, promovuar e zhvilluar kulturën, historinë, artin, shkencën, gjuhësinë, letërsinë etj.
T. Ujkaj
