Banorët e Anës së Malit tashmë do të kenë qasje në shërbime të reja dhe më cilësore shëndetësore drejtpërdrejt në ambulancën e tyre lokale në Katërkollë. Përmes bashkëpunimit shembullor ndërmjet Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin dhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë qendër shëndetësore është funksionalizuar reparti i ri i fizioterapisë, si dhe është siguruar pajisje e re diagnostikuese EKG. Ky investim shënon një hap vendimtar drejt decentralizimit të shërbimeve mjekësore dhe lehtësimit të përditshmërisë për pacientët e kësaj zone.
Sjellja e kujdesit mjekësor sa më pranë qytetarit ka qenë një nga synimet kryesore të udhëheqjes së institucionit shëndetësor. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Kreshnik Mustafa, shprehu mirënjohjen e tij për këtë arritje që eliminon nevojën e udhëtimit të banorëve drejt qendrës së qytetit për shërbime bazë.
“Prioriteti ynë kryesor ka qenë dhe vazhdon të mbetet që shërbimet shëndetësore të jenë sa më pranë qytetarëve, duke u mundësuar atyre kujdesin e nevojshëm pa pasur nevojë të udhëtojnë larg. Vendosja e fizioterapisë në ambulancën e Anës së Malit është një investim thelbësor dhe një vlerë e madhe për të gjithë komunitetin tonë”, ka thënë ai.
Projekti është realizuar falë përkushtimit të bashkatdhetarëve tanë në SHBA. Shoqata “Ana e Malit” – Nju-Jork mbuloi pajisjen e plotë të kabinetit të fizioterapisë, duke dëshmuar sërish lidhjen e pashkëputur të mërgatës me vendlindjen. Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Albert Salaj, nënvizoi rëndësinë e përkrahjes së institucioneve dhe stafit mjekësor.
“Misioni i diasporës ka qenë gjithmonë mbështetja e vendlindjes në momentet më të ndjeshme. Jemi krenarë që mundësuam pajisjet e nevojshme për fizioterapinë dhe shprehim mirënjohje të thellë për punën e palodhur të drejtorit dhe të gjithë stafit mjekësor, të cilët kanë dhënë provën e përkushtimit të tyre të lartë”, ka theksuar ai.
Përveç kabinetit të fizioterapisë, një kontribut të veçantë individual ka dhënë edhe donatori Nail Osmani me familjen e tij. Pas konsultimit me stafin mjekësor për nevojat urgjente të pacientëve, familja Osmani dhuroi një aparat të ri EKG si dhe një pajisje portative fizioterapie për përdorim shtëpiak.
“Pas bisedës me mjekët dhe identifikimit të nevojës urgjente për një aparaturë EKG, familja jonë vendosi menjëherë të kontribuojë. Kjo pajisje do t’i eliminojë pritjet e gjata për pacientët, ndërsa aparati portativ do t’u lehtësojë ushtrimet atyre që e kanë të pamundur të lëvizin. Jemi shumë krenarë që mund t’i shërbejmë rajonit tonë dhe i bëjmë apel të gjithë diasporës të vazhdojë të kontribuojë për atdheun”, u shpreh ai.
Me funksionalizimin e këtyre shërbimeve të reja, Shtëpia e Shëndetit i fton të gjithë banorët e Anës së Malit që t’i shfrytëzojnë këto kapacitete mjekësore që gjenden më pranë shtëpisë së tyre. Ky donacion është një shembull i shkëlqyer se si bashkëpunimi mes institucioneve vendore dhe diasporës sjell ndryshime direkte dhe me ndikim afatgjatë në mirëqenien e qytetarëve.
Eliana Peku
