“Lufta” e partive shqiptare për marrjen e meritave

Debatet dhe polemikat nuk përbëjnë asgjë të veçantë, sepse janë një dukuri e rëndomtë te shqiptarët. E gjithë kjo “luftë” për marrjen e meritave, kryesisht në rrjetet sociale, konfirmon edhe një herë thënien se “Suksesi u takon të gjithëve, ndërsa faji mbetet jetim”!

Ismet Kallaba

Dy ngjarje që lidhen me shqiptarët kanë shënuar javën e kaluar. E para ka të bëjë me njoftimin e Universitetit të Malit të Zi për ndryshimet dhe plotësimet në Rregulloren mbi njësimin e kualifikimeve të fituara në institucionet e huaja të arsimit të lartë, duke lehtësuar procedurat administrative dhe reduktuar shpenzimet për përkthimin e dokumentacionit në procesin e njohjes së kualifikimeve. Ndërsa e dyta ka të bëjë me fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Katërkollë – Ostros.
S’do mend se të dy këto lajme pozitive duhet të gëzojnë secilin shqiptar në Malin e Zi, në veçanti ata që janë të prekur drejtpërdrejt nga këto zhvillime.
Sepse akti i parë korrigjon një padrejtësi ndaj të rinjve shqiptarë në Malin e Zi, të cilët studimet i kanë kryer në gjuhën amtare në universitetet në rajon, ndërsa fillimi i rikonstruksionit të rrugës ndikon në përmirësimin e infrastrukturës rrugore si parakusht për zhvillimin ekonomik të trevave shqiptare, siç janë Ana e Malit dhe Kraja.
Pavarësisht se këto ngjarje nuk kanë asgjë të përbashkët në pamje të parë, ajo që i bashkon është një “luftë” që ka filluar ndërmjet partive politike shqiptare për marrjen e meritave se kush është meritor, qoftë për zgjidhjen e problemit të njësimit të kualifikimeve në shqip apo për rrugën Katërkollë – Ostros.
Por këta aktorë politikë harrojnë, më saktë nuk duan të pranojnë përgjegjësinë e tyre për dështimet e politikës shqiptare dhe pasojat e saj. Sa për kujtesë, në kohën kur filloi zbatimi në praktikë i ndryshimeve ligjore që rregullojnë fushën e arsimit të lartë, konkretisht njohjen e diplomave dhe njësimin e kualifikimeve të fituara jashtë, përfaqësuesit politikë shqiptarë, përfshirë deputetët dhe pjesëtarët shqiptarë në Qeverinë e Malit të Zi, heshtën dhe nuk bëzanë. Ndonjëri prej tyre, madje, e justifikoi këtë duke iu referuar standardeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e arsimit, pjesë e të cilave është edhe Mali i Zi.
Në anën tjetër, partitë politike shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre, që pothuajse rregullisht kanë qenë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi, duhen të përgjigjen se pse është zvarritur deri tani fillimi i rindërtimit të rrugës Katërkollë – Ostros? A është kjo (fillimi i rindërtimit të rrugës) vërtet meritë e tyre apo më në fund, qeverisë malazeze i ka rënë në mend të investojë edhe në trevat shqiptare, të lëna pas dore për dekada me radhë?!
Për hir të së vërtetës, nuk mund të mohohet fakti se nuk është investuar më herët në infrastrukturën rrugore, por partitë politike e kanë parë më të arsyeshme që t’i ndërtojnë rrugët lokale, ato rrugë e rrugica të cilat u kanë sjellë vota, sesa akset rrugore kryesore, siç është rruga regjionale Katërkollë – Ostros – Virpazar. E njëjta logjikë është ndjekur edhe me ndërtimin e ndriçimit publik, ku nuk ka mbetur lagje fshati pa ndriçim publik. Absurdi më i madh është se ka raste kur ndriçimi publik kalon edhe nëpër livadhe e fusha, apo është ndërtuar në vendbanime që tashmë nuk kanë asnjë banor! Kjo flet shumë për prioritetet e partive politike, përfshirë edhe ato shqiptare që kanë qenë në pushtet në nivel lokal apo qendror.
Duke iu rikthyer edhe një herë Krajës, çdo politikan të përgjegjshëm duhet ta shqetësojë fakti dhe brejë ndërgjegjja se pse Kraja që ndodhet buzë liqenit të Shkodrës, akoma sot nuk ka ujësjellës, por banorët e saj janë të detyruar të furnizohen me ujë nga ndërtimet inxhinierike të kohës së shkuar?! Pse nuk është rindërtuar (kur do të ndërtohet) pjesa e mbetur e rrugës së Skjesë nga rruga që të çon për Ostros?! Pse nuk hapet pikëkalimi i ri kufitar Skje-Zogaj?!
Ka mjaft pyetje që kërkojnë përgjigje nga partitë politike, gjegjësisht politikanët dhe qeveritarët shqiptarë, por me këtë rast po mjaftohem vetëm me këto.
Dëmi tashmë është shkaktuar. Për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës, pa mohuar edhe shkaqet tjera, një zonë e tërë është shpopulluar në përmasa të rrezikshme.
Së fundi, debatet dhe polemikat nuk përbëjnë asgjë të veçantë, sepse janë një dukuri e rëndomtë te shqiptarët. E gjithë kjo “luftë” për marrjen e meritave, kryesisht në rrjetet sociale, konfirmon edhe një herë thënien se “Suksesi u takon të gjithëve, ndërsa faji mbetet jetim”!

Të fundit

më të lexuarat