Në ambientin e sallës për tubime të mësimdhënësve të shkollës fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, të hënën, më 8 qershor 2026, në ceremoninë solemne ishin tubuar gjysmëmaturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit kujdestarë të paraleleve, drejtori i shkollës, Luan Kukaj, dhe pedagogu i shkollës, Lirim Goçaj, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomës “Pishtari” (Lluça) për rezultate madhore që ata kanë arritur në procesin mësimor-edukativ gjatë nëntë viteve shkollore në këtë shkollë dhe në katër paralelet e shpërndara katërklasëshe të saj në Vuthaj, Martinaj, Krushevë dhe Vishnjevë.
Nga 29 gjysmëmaturantët e dy paraleleve mësimore të klasës së nëntë, nga një në gjuhën malazeze (17 sish) dhe atë shqipe (12 sish), pesë nxënës gjysmëmaturantë (tre nga paralelja me mësim në gjuhën shqipe: Erina Novaj, Fatjeta Gjonbalaj dhe Benard Balidemaj, si dhe dy në gjuhën malazeze: Osman Shaboviq dhe Almin Çekiq), gjatë shkollimit nëntëvjeçar fillor kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore në paralelet me kujdestar klase Sherif Feratoviq, në atë me mësim në gjuhën malazeze, dhe Sevdije Lecaj – Kukaj, me mësim në gjuhën shqipe. Atyre solemnisht ua ka dorëzuar diplomën “Pishtari” drejtori i shkollës Luan Kukaj.
Për suksesin madhor të arritur në mësim, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, të gjithë gjysmëmaturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Në fjalën e rastit, drejtori i shkollës Luan Kukaj ka përshëndetur të gjithë të pranishmit në akademinë solemne, e në veçanti laureatët e diplomës “Pishtari”, me theks të veçantë në shkollimin e tyre të mëtejmë dhe në avancimin e diturive të fituara, duke dëshiruar që të vazhdojnë shkollimin dhe të jenë të suksesshëm si deri më tani.
Ai në vazhdim është shprehur se ajo që në veçanti e gëzon është e dhëna se të gjithë ata në vitin e ardhshëm shkollor, sipas deklaratës së tyre, mësimet do t’i vazhdojnë kryesisht në shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, në të dyja gjuhët mësimore.
Për të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni solemne, shkolla shtroi koktej.
Në fund, theksojmë se këtë vit, për çudi, Komuna e Gucisë nuk e vazhdoi traditën e përshëndetjes, vlerësimit dhe shpërblimit të laureatëve të çmimit të lartë në mësim – Diplomës “Pishtari” (Lluça), për rezultatet e larta të arritura në procesin mësimor-edukativ.
Sh. Hasangjekaj
