Të rinjtë nga Ulqini dhe Tuzi kanë finalizuar me sukses projektin “Të rinjtë, identiteti dhe përkatësia në procesin e integrimeve”, i realizuar nga OJQ “Horizonti i Ri” me mbështetjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave.
Aktiviteti përmbyllës u zhvillua të shtunën (11 prill 2026) në Ulqin dhe mblodhi të rinj nga Ulqini dhe Tuzi, përfaqësues të institucioneve shtetërore, mësimdhënës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Diskutimet u fokusuan në rolin e të rinjve në proceset integruese, rëndësinë e ruajtjes së identitetit, sfidat e sistemit arsimor dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi.
Në hapje të aktivitetit foli drejtori i përgjithshëm në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Arben Xhurreta, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për projekte të këtij lloji.
“Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projekteve që promovojnë demokracinë, të drejtat e pakicave dhe përfshirjen shoqërore, veçanërisht kur ato fokusohen te të rinjtë”, u shpreh ai.
Në vijim, Fikret Lulanaj, sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit trajtoi sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor në kontekstin e proceseve integruese.
“Sistemi arsimor në Mal të Zi dhe në rajon përballet me sfida të shumta, përfshirë nevojën për përafrim më të mirë ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, emigrimin e të rinjve, si dhe nevojën për reforma më të thella dhe investime më të mëdha në arsim”, theksoi ai.
Lulanaj shtoi se investimi në arsim mbetet një nga kushtet kryesore për zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe për përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e tregut evropian të punës.
Ndërkohë, Arta Lika nga Ministria për Çështjet Evropiane foli për perspektivën evropiane të Malit të Zi dhe rolin e të rinjve në këtë proces.
“Përfshirja aktive e të rinjve në procesin e integrimit evropian është thelbësore, pasi ky proces ofron mundësi të reja për zhvillim personal dhe profesional”, tha Lika, duke prezantuar edhe rrugëtimin e Malit të Zi në procesin e negociatave që nga viti 2012.
Ajo theksoi se procesi i integrimit nuk është vetëm institucional, por edhe shoqëror, dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm të të gjithë aktorëve, veçanërisht të të rinjve.
Një pjesë e rëndësishme e projektit ishte kampi edukativ në Plavë dhe Guci, i cili u vlerësua si një nga aktivitetet qendrore. Ky kamp krijoi hapësirë për edukim joformal, debat dhe fuqizim të të rinjve në fushën e të drejtave të pakicave dhe pjesëmarrjes qytetare. Programi u moderua nga Vediha Gjoni, koordinatore e projektit, e cila theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të të rinjve në aktivitete të tilla.
Në përmbyllje të aktivitetit u bë ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit, si vlerësim për angazhimin dhe kontributin e tyre gjatë gjithë projektit.
“Të rinjtë treguan gatishmëri dhe seriozitet në trajtimin e temave të rëndësishme shoqërore dhe integruese, duke dëshmuar potencialin e tyre për të qenë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse”, u theksua gjatë ceremonisë.
Drejtorët e shkollave të mesme nga Ulqini dhe Tuzi, Ardita Kovaçeviq dhe Sehad Lulanaj, vlerësuan përfshirjen e të rinjve në programet e edukimit joformal dhe rëndësinë e vazhdimit të iniciativave të tilla.
“Projekte të tilla janë të domosdoshme për zhvillimin personal, arsimor dhe shoqëror të të rinjve dhe duhet të kenë vazhdimësi në të ardhmen”, u shprehën ata.
Sipas tyre, fuqizimi i të rinjve përmes edukimit joformal dhe projekteve ndërinstitucionale kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të përgatitur për proceset integruese evropiane.
D. Teliqi
